Ringrihet sektori i shërbimeve/ INSTAT: Rritën shitjet e punësimin, përmirësohen dhe sektorët e prodhimit

Teksa prej dy vitesh jemi në pandeminë COVID, disa sektorë janë përmirësuar sipas shifrave të INSTAT në tre mujorin e tretë të këtij viti. Sektori i shërbimeve është ringritur, i agjencive dhe bareve e restoranteve. Kjo ringritje ka ndikuar në rritjen e shitjeve, punësimit duke bërë që përmirësim të ketë edhe sektori i prodhimit.

Statistikat afatshkurtra paraqesin ecurinë e ekonomisë së vendit në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit të ekonomisë si dhe mund të bëhen parashikime për të ardhmen e afërt. Vrojtimi tremujor ka për qëllim të paraqesë ecurinë e treguesve kryesorë ekonomikë të ndërmarrjeve ekonomike në periudha tremujore.

Në sektorin e Industrisë, në tremujroin e tretë të 2021, shitjet neto në volum shënuan rritje 19,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, prodhimi shënoi rritje 12.2 për qind, numri i të punësuarve u rrit me 0.3 për qind dhe fondi i pagave shënoi rritje me 10.9 për qind.

Baret dhe restorantet në tremujorin e tretë të këtij viti patën rritje me 18.7 për qind në shitje, 1.8 për qind rritje në numrin e të punësuarve dhe indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 14.4 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.

Indekset e treguesve në aktivitetin Informacion dhe Komunikacion, i cili përfshin aktivitetin e Publikimit, Telekomunikacionit si dhe shërbimet e Teknologjisë së Informacionit, në tremujorin e tretë 2021, paraqiten si
në vijim; Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 16,9 %, numri i të punësuarve shënoi rritje 25,9 %, dhe indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 55,1 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020.