Basha-Berisha, nga përplasja vijnë në përplasje shkojnë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vera e re në fuçinë e vjetër

18 dhjetori i skizmës së madhe në PD. Berisha merr edhe bazën në sifidën e referendumit, ndërsa Basha mjaftohet me Kuvendin Kombëtar në Pallatin e Kongreseve. Si pritet të jetë e ardhmja e PD-së dhe përplasja që do të vijojë në synimin final për të marrë zyrtarisht postin e kryetarit.

Nga ROLAND QAFOKU

Era e ftohë e ajrit të Tiranës dhe temperaturat e larta në Partinë Demokratike nuk kishin asnjë lidhje këtë të shtunë. Ekranet e të gjitha televizioneve informative për herë të parë u konfiguruan me dy splitter-a për një ngjarje që ndodh brenda një partie të vetme. PD-ja e Lulzim Bashës zhvillonte kuvendin thirrur prej tij dhe PD-ja e Sali Berishës votonte për shkarkimin e Lulzim Bashës. Dhe finalja e një ditë-nate të gjatë dhjetori ishte: Referendumi i mbledhur nga mbështetësit e Sali Berishës shkarkoi Lulzim Bashën si kryetar dhe kuvendi i mbledhur nga mbështetësit e Lulzim Bashës përjashtoi Sali Berishën e shpallur non grata si anëtar i grupit parlamentar dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Kjo nuk është më një krizë në PD. Është një degradim politik i një niveli shumë të ulët të përplasjes mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës që deri dje ishin një ndërsa sot kanë ndarë partinë në dy pjesë. Mjafton të përcjellim dy deklarata të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës të bëra ndaj njëri-tjetrit mbrëmjen e vonë të së shtunës për ta kuptuar edhe më mirë këtë degradim: Tha Lulzim Basha për Sali Berishën: “Sa herë hip e zbret shkallët Berisha nga selia është punë e tij.  Çdo demokrat duhet të jetë i bashkuar. Berisha mund t’i hipë dhe zbresë shkallëve, ai mund të krijojë celula dhe organizata me orientim antiamerikan, por ai nuk do të jetë më pjesë e organeve drejtuese. Është i përjashtuar. Deri tani sjellja e tij është qesharake”.

Tha Sali Berisha për Lulzim Bashën: “Po kjo lagje i rezervon Lulzim Bravës, apo peng Bashës, të njëjtin fat. Diktatori komunist nuk kishte lindur në atë lagje, kurse Basha ka lindur aty. Pra e denatyralizoi. Nderim e mirënjohje për votën e tyre.”

Sikur nga qershori deri tani të moj jetoje në planetin Tokë dhe befas të ktheheshe këtu nuk do ta besoje atë që ndodh sot në Partinë Demokratike. Deri në qershor të dy ishin bashkë në unison dhe tashmë janë ekstremist larg a thua se nuk kanë qenë ndonjëherë bashkë. Me atë që ndodhi të shtunën e 18 dhjetorit kupton se të dy palët gjen plot drejtësi dhe dhe po aq padrejtësi. Te të dy palët gjen të mira dhe po aq gabime. Por ajo më kryesoja është se Partia Demokratike është katandisur në një parti të shkatërruar dhe me atë që po ndodh këto ditë kupton qartë përse kjo forcë politike këto tetë vjet nuk funksionoi ashtu siç duhet të ishte opozita. Kemi nga njëra anë Sali Berishën që po merr prapsh atë që mbolli vetë me Lulzim Bashën të cilin e konceptoi, e ideoi, e emëroi, e mbështeti dhe e drejtoi dhe nga ana tjetër kemi Lulzim Basha që vërtetë ishte kryetar por kurrë nuk u bë lider i saj. Me vendimet skandaloze që ai mori në këto tetë vjet, me dualizimin që edhe e kishte por edhe donte ta kishte si alibi të përhershme për dështimet dhe me gafat politike që bëri ai jo vetëm e shkatërroi Partinë Demokratike por vrau shpresën që opozita duhet të mbillte kur pushteti qeverisës degradonte.

Dhe sot të dy i numërojnë njëri-tjetrit mëkatet dhe pabesitë ndaj njëri-tjetri me një lehtësi që edhe kundërshtarët socialistë nuk do t’ua bënin kështu. Basha mëse një herë e përsëriti në fjalimin e tij konkluzioni se si do jetë Partia Demokratike sot do jetë Shqipëria nesër. Kjo të bën të vësh alarmin kur PD sot është më e përçarë se kurrë, më e ndarë se kurrë dhe më pa të ardhme se kurrë. Atëherë si mund të besojmë se Shqipëria nesër do jetë më mirë? Në këtë situatë që po kalon PD besojmë se më shumë i shkon për shtat fraza “Nga përplasja vijnë, në përplasje shkojmë, vargje të përshtatura nga pozia brilante “Kënga e ushtarëve të vjetër” të gjeniut Ismail Kadare i cili disa dekada më parë shkroi: “Nga lufta vijmë, në luftra shkojmë,/ Në zjarr e tym na shkoi kjo jetë, /Gjithmonë drejt luftrave shtegtojmë, /Siç shtegtojnë drejt dimrit retë/ Alarmi prapë ja gjëmon/Dhe horizonti është me re/Nga lufta vijmë, në luftra shkojmë/dhe tjetër fat s`kërkojmë ne…”.

REFERENDUMI I BERISHËS

Sali Berisha zgjodhi sërish simbolikën gjatë votimit të tij të shtunën në mëngjes. Duke preferuar “Bar Amerika” për të treguar votën e tij për të shkarkuar Lulzim Bashën ai bëri një lloj karshillëku ambasadores Yuri Kim. Vetëm 24 prë më parë Kim kishte postuar një listë me 200 persona të shpallur non grata në të gjithë botën të cilëve nuk i ishte hequr vendimi. Berisha e bëri nul në mendjen e vet duke e thelluar edhe më shumë përplasjen, një përplajse që duhet thënë se atë e kanë ndjekur në këto 31 vjet dhe përherë ka dalë i humbur me SHBA. Por në konceptim tim pavarësisht se lëvizja e Berishës nisi pas një “halli të tij pesonal” ajo përkoi perfekt me interesin e një pjesë të madhe të pakënaqurish në PD. Ata dy tre personazhe që u përpoqën që ambicjet e tyre ti kthehin në lëvizje dëhstuan. Dalja e Berishës me aksionin “Foltore” ishte shkëndija që ndezi bazën e Partisë Demokratike. Sot mund të vazhdojmë të themi se Berisha e bën për hall personal. Po, sepse kjo ka një të vërtetë. Por në këto momente lëvizja ka marrë të tilla përmasa që edhe vetë Berisha nuk e ndalon dot më këtë lëvizje që nisi vetë. Në historinë e një partie politike në Shqipëri kurrë nuk ka ndodhur që të mbajë një kuvend dhe më pas edhe një referendum të thirrur nga anëtarësia. Nuk ka ndodhur që anëtarësia të votojë nga mëngjesi në mbrëmje në temperatura të ulta dhe rezultati të dalë në kohë rekord si për ti dhënë shembull edhe KQZ-së që për zgjedhjet parlamentare dhe lokale i nxjerr rezultatet disa muaj pas votimit. Ky i PD-së është unikali dhe historik për PD dhe për klasën politike shqiptare. Dhe nuk janë pak por 43 385 anëtarë të Partisë Demokratike në të gjithë vendin që votuan për shkarkimin e kryetarit aktual Lulzim Basha, nga 43 879 që morën pjesë në votime. Është i freskët në memorien tonë që më 27 maj kryetari i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana deklaroi se Partia Demokratike kishte të regjistrur me kartë 75.067 anëtarë që do votonin në atë kohë për zgjedhjet e kryetarit në PD dhe se në garën e 13 qershorit Lulzim Basha mori 32.832 vota duke u zgjedhur në krye të PD për një mandat të tretë. Vetëm gjashtë muaj e 5 ditë më pas rezulton se janë 10.553 anëtarë të PD votuan më shumë për shkarkimin e tij. Por a mjafton i gjithë kjo frymë në këtë të ftohtë dhjetori? Sigurisht që jo. Anëtarët e PD duket e përçarë, duket e tulatur, të hutuar dhe më e rëndësishmja është se kjo parti nuk arrin të bëjë opozitën e duhur ndaj qeverisë. Dhe Berisha nuk nguroi ta përkthente këtë si humbje masive besimi të Bashës në bazën e partisë:

“Dua të shpreh një mirënjohje të pakufijshme për këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Rikujtoj këtu se në një proces të manipuluar nga fillimi gjer në fund në qershor, Lulzim Brava u votua nga 32 mijë anëtarë. Ndërsa sot kundër tij kanë votuar si njerëz të lirë, si demokratë të lirë rreth 44 mijë anëtarë të PD. Kjo, dëshmon edhe njëherë se deputeti Basha ka humbur çdo lloj besimi dhe është gjykuar ashpër nga Partia Demokratike në referendumin e saj të parë të thërritur nga anëtarësia”. Kulmi ishte në votimin për shkarkimin e Bashës në lagjen ku ai është rritur në Tiranë dhe këtu sërish Berishës iu ngrit një top që ai në të tilla raste di ta shoot-ojë fort teksa u shpreh: “Ai mendoj unë të shkojë në lagjen 8, të ulet aty ku lindi të pyes veten pse u ndëshkua nga ata dhe po të dojë të rrijë deputet i PD. Gara në parti do të jetë e hapur, për këtë shekull ai i ka larë duart”.

Lexo edhe :  Sikur Edith Durham të ishte këshilltare e Kurtit dhe Ramës

KUVENDI I LULZIM BASHËS

Lulzim Basha nuk zhgënjeu as këtë të shtunë lidhur me oraret. E thirrur zyrtarisht në orën 11.00, vetë ai mbërriti në Pallatin e Kongreseve në orën 11.58. Me avantazhin se ka mbështetjen e shumicës në kryesinë e partisë dhe në grupin parlamentar Basha arriti të mbledhë kuvendin e tij në dukje normalisht. Por dukej qartë që salla me 1800 vende nuk mund të mbajë kurrë asnjë karrige më shumë e jo më 5004 anëtarë. Sado thirrje që kishte në sallë kur fliste dhe nuk fliste Basha mbështetësit e tij nuk kishin frymën dhe entuziasmin e kampit tjetër. Edhe thirrjet “Lulzim Basha, Lulzim Basha” në hyrje të sallës por edhe brenda nuk ishin të sinkronizuara. Mungesa e sigurisë dallohej edhe kur gazetarët u afronin mikrofonin delegatëve dhe shumcia e tyre nuk donin të flisnin. Edhe delegatët më të rëndësishëm kuf flisnin spontanisht përpara kamerave nuk tregonin për atë që ndodhte por sikur mbanin fjalim. E para rastësisht aty në hyrje të sallës ishte Jorida Tabaku që kur i duhen gazetarët i falënderon dhe flet çtë dojë, por kur nuk i duhen asaj i del gjithmonë një problem në familje. Megjithatë regjia qendrore u kujdes në çdo moment të shfaqte brohoritjet kishin vetëm dy slogane: “Lulzim Basha, Lulzim Basha” dhe “Rama ik, Rama ik”. Ironikisht të dy këta emra janë duke konsumuar mandatin e tretë vetëm me një ndryshim, Basha në krye të opozitës dhe Rama në krye të qeverisë. Fjalimet në Kuvend ishin pa ndonjë impresion të veçantë. Përjashtim bëri profesor Rexhep Uka. Ai i dha peshë kuvendit më shumë me prezencën se sa me fjalimin që duket sikur e vazhdoi atje ku e kishte lënë politikën në vitin 1994. I gjithë fjalimi i tij nuk ishte vetën i gjatë, tepër shumë i gjatë prej 40 minutash, por një histori e vjetër për masën e të rinjve në sallë. U duk sikur po fliste në Kuvendin e vitit 1995 kur u përjashtua Eduard Selami e jo më 18 dhjetor 2021. Megjithatë shumë nga frazat e tij mbetën në mendje. Kam nxjerrë disa prej tyre që për ne që e mbajmë mend mirë atë kuvendin para 26 vjetësh të bën të mendosh shumë por nuk e di nëse e kanë përtypur ata anëtarë të PD-së që kanë lindur në 1995. Ja disa prej tyre: “Yesmenët bëhen mazhorancë”, “Nëse nga “krerët”, në kuvendin e Shqipërisë, dëgjojmë të shahet sot nëna, motra, vëllai, armiku tradhëtari, si dje poliagjenti, mendoni se poshtë, në popull, do kalojë në vesh të shurdhër? Jo.”, “Kujdes… nuk je në listën e shefit”, “Policia festonte në maj 1996 fitoren në trotuarin e presidencës me të shtëna kallashi, “Shqiponja me dy krena nuk e ka fajin, sepse edhe ne po dukemi sikur jemi dy krena të një trupi”, “Edhe Gorbaçovi kur tentoi të bëjë një epokë të dytë, duke kandiduar për president, nga 70 milionë votues, mori vetëm 0.2 për qind. Nuk bëri dot epokë më. Kambana bie për ata që kanë vesh”, “Nuk do harroj kurrë në një takim konfidencial me Ibrahim Rugovën, kur tha “o bëni politikë, o shkoni me dhenë”. Unë dhenë nuk kam, por do punoj tokën”. Megjithatë të gjitha këto vlejnë, pavarësisht konteksit kohor. Por edhe më i gjatë ishte fjalimi i Lulzim Bashës prej 58 minutash. Pas çdo 10 minutash dukej sikur mbaronte dhe në fakt fjalimi niste përsëri nga e para. E ngriti zërin disa herë por për fat nuk arriti në ngjirje. Lëshoi fraza entuziaste por asnjëherë sa të kundërshtarëve. Euforia e Bashës shkoi deri atje sa suksesi i tij imagjinar të kapërcente kufijtë e Shqipërisë teksa në kuvend tha: “PD është pastruar nga hijet e së shkuarës. Edhe jemi partia e vetme në Ballkan që njësojmë aleancën për demokracinë, me qëllim për të kthyer normalitetin e vet. Ky është fokusi ynë. Ka qenë fokusi ynë me betejën për vettingun e politikanëve”.

Në fund por jo për nga rëndësia, konferenca për shtyp në prani të kryesisë ishte një gjetje, por një prezencë që duhet të kishte ndodhur me kohë, por tani nuk ka më kohë. Berisha 77-vjeçar sapo kishte mbaruar konferencën e tij në të ftohtë përpara selisë dhe hija e tij duket se do jetë më e gjatë në netët në vijim.

E DJATHTA DHE E MAJTA

Me atë që po ndodh në PD, për të majtën në pushtet situata i shkon për shtat titulli i romanit “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” të shkrimtarit skocez Archibald Cronin. Dikush shkruan se kryeministri Edi Rama qenka lindur me këmishë. Dikush tjetër se ai ua kaloi të gjithëve. Por duket se me të djathtën historia përsëritet. Në historinë politike e djathta shqiptare mori goditjen më të madhe në vitin 1945 kur në pushtet erdhën komunistët. Shpesh e kam bërë pyetjen se si ka mundësi që një klasë e djathtë ndonëse jo shumë e konsoliduar por që kishte krijuar shtratin dhe komunitetitn e vet me pasuri dhe shkollim perëndimor arriti të përmbysej aq lehtë nga të majtët ekstremë saqë në pushtet jo vetëm të vinin komunistët por në krye të tyre të ishte një si Enver Hoxha që nuk kishte as pasuri e as diplomë dhe ti godiste ata më pas me një urrejtje të pashoqe. Asyeja ishte e thjeshtë: Grindjet brenda të djathtës ishin të atij niveli saqë të gjithë ishin kundër të gjithëve. Jo vetëm nuk arritën të bashkohen por u përçanë në atë mënyrë që shumica ikën jashtë Shqipërisë dhe të tjerë që mbetën këtu u masakruan lehtë nga regjimi gjakatar i Hoxhës. E djathta shqiptare kurrë nuk arriti të bashkohej e as të faktorizohej pas Luftës së Dytë Botërore brenda jo e jo, por edhe jashtë Shqipërisë. Dhe arsyeja e parë ishin grindjet mes eksponentëve të së djathtës. Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Mithat Frashëri, Mehdi Frashëri, Eqrem bej Vlora, Ibrahim Biçaku etj, jo vetëm që nuk u bënë bashkë, por mes tyre kishte aq shumë armiqësi saqë synonin të gjenin rast për ta vrarë njëri-tjetrin. Kështu po ndodh edhe tani në vitin 2021 por sigurisht jo me vrasje. Pas themelimit të saj më 11 dhjetor 1990, Partia Demokratike që përfaqësosn të djathtën është më e përçarë se kurrë. Dhe nga kjo përçarje po përfiton e majta që qeveris me qetësinë e një force politike aq komode dhe që rri e vështron se çndodh te PD. Se për qeverinë nuk e ka mendjen kush tani për tani.

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Vrau burrin me sëpatë në Sarandë, gruaja shtrohet në spitalin psikiatrik

Ka dalë sot para Gjykatës së Sarandës 48-vjecarja Elvira Tahiraj, e cila në orët e para të mëngjesit të...

Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë!

Pas 5 orësh kryebashkiaku u Tiranës Erion Veliaj doli nga ambjentet e Prokurorisë së Posaçme ku ishte thirrur prej prokurorit Olsi Dado për një hetim pasruro...

Fluks në pikën kufitare të Kapshticës, 5 ditët e fundit mbi 42 mijë hyrje-dalje

Gjatë këtyre ditëve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës ka pasur fluks të madh të shtetasve shqiptarë që kthehen në vendlindjen e tyre...

VIDEO/ “Ça do më bësh”, përplasje e fortë mes Lart Vasilit dhe G-Banit: I pafe…

Nxehën gjakrat në shtëpinë e Big Brother Albania4. Ditën e sotme ka Papur një përplasje të fortë mes mes këngëtarit G-Bani dhe aktorit Laert...

Prindërit e gënjyen për ekzistencën e Babagjyshit, letra e vajzës 8-vjeçare bëhet virale

Një vajzë 8-vjeçare nga Arizona ka shkruar një letër plot zemërim për prindërit e saj pasi zbuloi se Babagjyshi nuk ekzistonte. Pas një diskutimi në shkollë,...

Lajme të tjera

Web TV