Nga LEONARD KARAJ
Edhe e shtuna që lamë pas ishte një përplasje agjendash mes Lulzim Basha që mblodhi Kuvendin Kombëtar dhe Sali Berishës, i cili bëri refendumin për tu njohur vendimet e Kuvendit të 11 Dhjetorit. Me këtë që po ndodh brenda forcës më të madhe opozitare, a kemi dy PD, një e tërhequr nga Berisha dhe një nga Basha?
Po, praktikisht kemi dy PD, që paradoksalisht secila proklamon se është më e madhe sesa tjetra, por fatkeqësisht, të dyja bashkë mbeten minorancë përballë Ramës. Tani, imagjinoni për një moment sikur zgjedhjet të bëheshin pas 2, 3 apo 4 muajsh: do rrezikonim seriozisht që PD-ja (ajo zyrtare të paktën), të kapte dështimin historik, nën 15% të votave në rang vendi. Pra, edhe sikur Edi Rama të bënte fushatë për Lulzim Bashën; edhe sikur kryeministri t’u bërtiste të tijve në PS që të votonin PD-në, çka nuk do kishte shanse që të ndodhte, as në ëndërrat më mikluese të Bashës, sërish PD-ja në kllapinë ku ka rënë për shkak të përplasjes për karrigen e kryetarit, nuk do mund të vinte në pushtet. Për deduksion, 4 muajt e kaosit, të cilat nga njëra anë ishin të domosdoshme për ta shkundur mirë partinë, nëse merr parasysh “status-quo” vrastare ku e kishte futur Lulzim Basha, nga ana tjetër po rezultojnë si funerali i kësaj forcë politike. Me këtë gjë nuk po them që nuk do ketë më PD. Por nëse deri tanimë ishim mësuar me një forcë të madhe opozitare, e cila e ka drejtuar këtë vend për 13 vjet dhe që kishte shanse të rivinte në pushtet, tanimë, gjasat që ta shohim Bashën Kryeministër janë aq të zbehta, sa edhe ai vetë zor se e beson. Në pak fjalë, dhjetori i PD-së vulosi që tani, mandatin e katërt të Edi Ramës në pushtet. Pastaj çështja e numrave analizohet sipas dëshirës së gjithsecilit, përderisa nuk kemi një votim real në këtë parti. Unë besoj se Basha ka pjesën më të madhe të Grupit Parlamentar, kryetarëve të degëve dhe natyrisht edhe të Kryesisë së Partisë, përderisa i ka emëruar vetë aty (paçka se me statut do duhej të ishin zgjedhur), por Berisha zotëron bazën e partisë. Dhe në një votim normal, demokratik, Basha nuk do të ishte sot Kryetar Partie as de jure. Mjafton të përmendin faktin se në 13 qershor Basha u votua nga pak më shumë se 30 mijë demokratë për kryen e partisë, ndërkohë që me refendimin e 18 dhjetorit, votat e të cilit unë i besoj pa asnjë medyshje, u shkarkua me gati 44 mijë vota. Ky është një sinjal tejet domethënës, për Bashën, i cili në çdo vend tjetër të Europës, nuk do kishte mundur të qëndronte asnjë sekondë më shumë në postin e kryetarit.
Çështja e dy Kuvendeve duket se do të përfundojë në Gjykatë, përveç anës juridike që ka rëndësinë e saj, po aspektin politik si e komentoni?
PD-ja ka pasur edhe më përpara përplasje brenda vehtes (kujto përplasjet me Selamin, Pashkon, Imamin, Gec Pollon, Ngjelën, Patozin, Topin, Topallin, etj), por në asnjë rast apo rrethanë kjo përplasje nuk zbriti në bazë. Totalisht ndryshe, kriza aktuale, e cila nuk është vetëm mes Bashës, Berishës dhe mbështetësve të tyre në kryesi, apo grup parlamentar. Më e keqja është se kjo përplasje po ndodh në bazën e partisë, aty ku pjesa më e madhe janë militantë, të cilët me gjithë respektin për cilindo, nuk kanë formimin e duhur intelektual sa të harrojnë nesër sharjet, ofendimet dhe përplasjet mes vehtit, për karrigen e Bashës dhe Berishës. Nuk do harrojnë faktin se Basha & CO i quajtën llum i partisë, pijanecë që shiten për një gotë raki dhe deri hajdutë ordinerë (arena e hajnisë e quajti Basha Kuvendin e 11 dhjetorit). Ndaj teza që ka shpalosur së fundmi Lulzim Basha dhe të gjithë ata që i rrinë nga pas, se mjaft që të kem partinë, sepse demokratët do më vijnë nga prapa, se nuk kanë ku të shkojnë, sipas mendimit tim dhe oponioneve të marra në bazë, është totalisht e gabuar, një vetëvrasje politike, shumë herë më e rëndë edhe sesa bojkoti i parlamentit dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 2019-ës. Demokratët nuk do t’ia falin këtë katrahurë as Berishës dhe ca më pak Bashës, ndaj PD-në, e ndarë kësisoj mëdysh, e shikoj në pikën e saj më të ulët historike. Në këto kushte zgjidhja do të ishte vetëm largimi si i Bashës dhe Berishës dhe në PD të bëhej një garë reale për kreun e kësaj force politike.
Duket se Berisha ka kapur bazën e PD-së jo vetëm në shifra por edhe në frymë. A po faktorizohet ish- kryeministri, teksa ka paralajmëtuar se do të udhëheqë protestat e opozitës në vijim?
E ceka edhe më lart, Berisha ka bazën e partisë, pjesën më të zhgënjyer nga Lulzim Basha, ndaj në këto çaste e ka shumë të lehtë për tu faktorizuar. Ndërsa sa i përket protestave, ato i shoh me goxha skepticizëm, pasi lënia në mes e shumë prej tyre gjatë viteve të shkuara ka vrarë shpirtin e demokratit protestues. Zor se Berisha do mund të mbledhë si dikur numër të madh njerëzish për të protestuar qoftë kundër Ramës, qoftë edhe për arsye të tjera, sikundër “Open Balkan”, së fundmi.
Nga kjo situatë përçarje brenda PD-së, a i sjell komoditet Kryeministrit Edi Rama, apo dobësimi i fortë i opozitës zyrtare i vë përballlë Ramës një opozitar qytetar në vijim?
Aq komod ndihet Rama aktualisht sa ta kishte shkruar me dorën e tij një skenar për mandatin e tretë qeverisë dhe zor se do ti kishte shkuar kaq mirë. Mos harroni edhe një gjë tejet të rëndësishme: Rama është një nga politikanët demagogë me dhunti të jashtëzakonshme. Ai di mirë sesi të manipulojë opinionin ndaj mos besoni në asnjë skenar opozitar që gjoja mund të vijë nga shoqëria civile. Shqipëria është një ndër vendet, për të mos thënë vendin i vetëm, në Europë me një korrupsion galopant në të gjitha sektorët e jetës (shikoni, naftën, çmimet e ushqimeve, tenderat, krimin, etj), dhe askush nuk ngrihet të protestojë, pasi është vrarë totalisht shpirti i protestës, për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme, të ardhura nga klasa politike.
Pavarësisht dobësimit të Bashës në PD, faktori ndërkombëtar deri tani është në mbështetje të tij. Por nëse Berisha marrë zyrtarisht partinë, çfarë qëndrimesh pritet të ketë faktori ndërkombëtar duke marrë parasysh çështjen “non grata”?
Faktori ndërkombëtar flet vetëm me pjesën zyrtare. Sot në krye të PD-së, zyrtarisht ëhstë Lulzim Bashë. Nesër do jetë dikush tjetër, cilido qoftë, madje edhe Sali Berisha. E sigurt është se gjithë faktori ndërkombëtar do ta takojë dhe do vijojë axhendën zyratre me PD-në. Harrojeni frikërat që lëshojnë sahanlëpirësit e Bashës se me Berishën në krye, PD-ja nuk ekziston më për SHBA-në dhe Evropën. Jo. Jo dhe jo. Si për parantezë, presidenti aktual i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik është shpallur “non grata” nga SHBA, por 1 muaj më parë, Gabriel Eskobar e takoi zyrtarisht. Zv/kryeministri aktual i Afganistanit, Abdul Ghani Baradar ka qenë deri para pak kohësh, një nga 10 njerëzit më të kërkuar në botë nga Inteligjenca Amerikane, por ja që sot, pritet të ulet në bisedime me zyrtarët më të lartë të SHBA-së. Pra, ndërkombëtarët respektojnë institucionet dhe jo njerëzit që i drejtojnë ato, të cilët normalisht janë të zëvendësueshëm në çdo kohë.