Nga Erald Shulla
Nuk ka pasur nyje të lidhur aq fort, saqë koha të mos e ketë zgjidhur apo këputur fare. Sa kohë i duhet Partisë Demokratike për të zgjidhur problemet e veta, që janë dhe s’janë demokraci. Sepse për tre muaj me rradhë në Partinë Demokratike, partia më e madhe opozitare në vendin tonë, por që ka drejtuar vendin, nga ndryshimet në arritje të mëdha, ndoshta dhe e vetmja, të paktën kështu siç e dëshirojmë dhe duam ta kemi, një parti realisht me përvojë të fortë opozitë dhe pozitë dhe opozitë prapë, e pabesueshme më çfarë po merret kështu dhe si ka përfunduar sot. Ku të dhimbset për gjendjen në të cilën ndodhet, nuk po tregon që është në gjendje të ndjeke ideale e programe kombëtare dhe gjithë frikë për të ardhmen e saj nesër. PD-në këto tre muaj e ka mbërthyer një lëmsh që sa vjen dhe më shumë koklavitet rreth fytit të saj dhe demokratëve që nuk po dinë çfarë të bëjnë më, nga të shkojnë dhe si të veprojnë, duke u ngatërruar keq e më keq. Njëherë mblidhen, sepse i thërret Berisha, herën tjetër mblidhen sepse i thërret Basha. Njëherë i përdorin dhe i duhen si pro amerikan, herën tjetër si anti ambasade amerikane… Njëri thotë i kam unë demokratët, tjetri deklaron se janë me mua. Po demokratët, ata janë prej vitesh, ngelen të njëjtët si me Berishën si me Bashën pavarsisht cili është kryetari i rradhës. Janë me demokracinë dhe aleatin jetim të vendit, SHBA-në.
Problemi vazhdon akoma sepse këtë lëmsh të koklavitur në fytin e partise se demokratëve mesa duket nuk e zgjidhën as foltoret e shumta në çdo qytet të organizuara nga Sali Berisha, as delgatët e kuvendit të 11 dhjetorit në stadiumin Air Albania, as referendumi i 18 dhjetorit, as vula me gjithë logon e re, (Faktikisht të vjetrat). Por nuk e zgjidhin as mbledhjet e shumta të kryesisë së Lulzim Bashës, as këshilli kombëtar i tij, as kuvendi i organizuar nga ai. Po si do shkojë dhe përfundojë kjo historia e kësaj partie 31-vjeçare, e cila tashmë është aset kombëtar? Do e humbasim këtë aset? Jo, larg qoftë, edhe vet kryeministri Edi Rama nuk besoj që e dëshiron edhe pse i intereson kjo situat.
Do vazhdojmë akoma të shohim demokratët që sorrollaten të ndarë me njeri-tjetrin, disa këtej dhe disa andej? Demokratët do vazhdojnë të mbushin sallat, stadiumet, sheshet teatrot, jo duke protestuar kundra qeverisë por duke shpresuar që janë me liderin e duhur, i cili do i zgjidhi lëmshin nga fyti i tyre dhe shfaqja e kësaj drame, madje groteske, për Partinë Demokratike do marri fund? Faktikisht duhet theksuar, pranuar dhe thënë me të madhe që të dy, si z.Lulzim Basha dhe z.Sali Berisha janë përgjegjës për situatën. Janë pasqyre e njeri-tjetrit, hije e njeri-tjetrit. Të dy vazhdimisht këto 8 vite kanë tërhequr fijen e interesit të vet, duke e ngushtuar deri në këtë pikë lakun. Që të dy janë aktorët kryesorë dhe shkaktarët e kësaj situate të koklavitur. Këto kohë janë shpeshtuar zërat nga politikanë dhe analistë të shumtë duke ndjekur kronoligjinë e ngjarjeve në PD se si mund të zgjidhet situata. Sipas tyre, gjykata do vendosë, për vulën, siglën, flamurin, selinë, dhe fatin e kryetarit të Partisë Demokratike. Një gjykatës u tërhoq, nuk e dimë ende se çfarë do të bëj gjyqtari i rradhës! Nejse, ajo që sot duket më shumë për t’u menduar – dhe situata e solli, – nuk është më e ardhmja e fatit të kreut të PD z.Lulzim Basha as fati i doktor Sali Berishës, por fati i Partisë Demokratike, e cila për mendimin tim sot është më shumë se kurrë pranë ose më saktë një fije e hollë peri e ndanë nga ndarja e madhe. Ky është momenti deçiziv për Partinë Demokratike, do mbetet një parti solide apo Basha do marri të vetët dhe Sali Berisha të vetët duke krijuar dy gjysma partish. Se këtë kishte mangut Shqipëria. Nëse kjo do ndodhi, pra ndarja, do ishte rruga e humbjes, e gjetur vetë, për të mos thënë vetëvrasje shpirterore, edhe ideale, për demokratët. Eduard Gibbon thotë “Vetëvrasja është zgjidhja e fundit për burracakët”. Atëherë them se na duhen burra në krye, burra shteti. Deri sa të mbërrihet kjo, tani për tani, mbase zgjidhet situata dhe na e shpëton PD-në karrigia e kryetarit, të pyetet, kë do për kryetar të Partisë Demokratike?