Arbi AGALLIU, Deputet Kuvendi i Shqipërisë
Përgjatë vitit 2021 ekonomia shqiptare u paraqit në dimensione të ndryshme. Në muajit e parë të fillimit të vitit, të cilët ishin muaj me kufizime të theksuara të orarit dhe lëvizjes, si funksion i pandemisë, ekonomia shqiptare paraqitej në vështirësi të caktuara. Sektori i shërbimit është një nga sektorët që u prek më së shumti gjatë periudhës së pandemisë, si dhe hoteleria baret dhe restorantet. Kufizimi i orarit dhe frika ndaj pandemisë Covid -19, bëri që ky sektor të ishte një sektor goxha i prekur.
Fillimi i ndryshimit në ekonominë shqiptare përgjatë vitit 2021, do të dukej pikërisht gjatë periudhës zgjedhore. Ishte pikërisht kjo periudhë ku Qeveria filloi të injektonte më së shumti para sidomos për fondet e rindërtimit, çka akuzohet edhe sot si një nga elementët që përdori për tjetërsimin e votës. Fondet e përdorura gjatë periudhës zgjedhore lidhur me rindërtimin, bënë që sektori i ndërtimit dhe sektorë të tjerë në orbitë të ndërtimit të kishin një lloj lëvizje dhe qarkullim të kapitalit.
Duke qenë një vit zgjedhor, Qeveria u mundua të injektonte më tepër para dhe të performonte më mirë me qëllim që të maksimizonte votën në funksion të saj. Pas zgjedhjeve në Shqipëri nisi sezoni veror, gjë që bëri të kishte një lloj rigjallërimi të sektorit të turizmit, shërbimet, hoteleria, baret dhe restorantet filluan të vinin në nivelet e vitit 2019 lidhur me qarkullimin e parasë apo kapitalit që ato bënin.
Turistë të ndryshëm qofshin këta shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi sikurse dhe shumë emigrantë u rikthyen, madje edhe shtetas të huaj të cilët “përfituan” nga mos korrektësia e zbatimit të rregullave lidhur me Covid- 19 që ekzistonte në Shqipëri gjatë periudhës së verës.
Ishte pikërisht ky sezon që injektoi dhe solli para në ekonominë shqiptare, gjë që bëri të kishte një frymëmarrje sado minimaliste në një vit plot tension dhe me plot probleme siç ishte 2021.
Si përfundim mund të themi që ekonomia shqiptare gjatë vitit 2021 ishte një ekonomi e brishtë, një ekonomi e cila jo vetëm reflektoi pasojat e Covid -19 apo ende pasojat e tërmetit, por mbi të gjitha nuk pati një ndihmë nga Qeveria për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë, për ti dhënë frymëmarrje aktorëve dhe agjentëve të tregut. Qeveria u akuzua dhe akuzohet si një qeveri klienteliste duke përdorur elementë si Koncesionet apo PPT dhe jo strategji për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme ekonominë vendase.
Nga ana tjetër, 2022 është një vit ku do të përfundojë ai që quhet procesi i rindërtimit çka do të thotë më pak para të injektuara në ekonomi. Po të vëmë re dhe buxhetin 2022, ishte një buxhet që sektorë të cilët janë shumë të rëndësishëm dhe jetikë për ekonominë e Shqipërisë siç është ai i bujqësisë, po financohen gjithnjë dhe më pak. Kjo tregon edhe njëherë që problematikat apo turbulencat në 2022 do të vijojnë pothuajse identike me ato të 2021.
Nga ana tjetër ajo çka parashikohet në 2022 ka të bëjë me faktin e rritjes së çmimeve. Ne kemi sot një tendencë të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare çka është reflektuar dhe në Shqipëri. Qeveria nuk po merr masa për të amortizuar këtë rritje çmimesh, përkundrazi e nxit duke rritur detyrimet fiskale për sektorë të caktuar sikurse është futja e TVSH-së 10% për inputet bujqësore. Kjo gjë do të bëjë të kemi rritje çmimesh në këtë sektor, çka e bën fermerin dhe bujkun shqiptar tashmë të pa interesuar për t’u marrë me bujqësi, pasi importi do të jetë ai që do të konkurrojë produktin vendas.
Nga ana tjetër kemi vendosjes e akcizës 6 lekë /litër për gazin për konsumin familjar, gjë që i bën shtresat vulnerabël të cilat e përdorin këtë lëndë qoftë për ngrohje, qoftë për gatim, të përballen gjithmonë e më tepër me pamundësi. Po kështu rritja e çmimeve në mënyrë të ndjeshme për shportën e konsumit, do të afektojë pensionistët Shqiptarë, të cilët janë mbi 600 mijë në vend. Do të afektojë familjet në nevojë, do të afektojë shtresën e mesme, çka e bën më të vështirë jetesën në Shqipëri dhe rrit dëshirën apo kërkesën e shqiptarëve për t’u larguar nga ky vend.
Nëse Qeveria nuk merr masa siç duhet për të lënë tregun e lirë, për të siguruar konkurrencë të lirë dhe për të hequr dore nga orientimi i tregut në funksion të dy apo tre bizneseve të mëdha apo klientëve të cilët janë pranë saj, atëherë viti 2022 do të jetë një vit realisht i vështirë për ekonominë shqiptare.