Prokuroria e Tiranës ka identifikuar personat të cilët kanë marrë informacionin “sekret” dhe e kanë shpërndarë atë në aplikacionin e “whatsapp”. Ata janë vënë nën përgjim dhe pritet të zbardhet përfshirja e tyre. Nga ana tjetër Basha thotë se prokuroria duhet t’i shkojë çështjes deri në fund.
Zyrtarët e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë të dyshuarit kryesorë për skandalin e publikimit të listë pagesave të mbi 690 mijë qytetarëve punonjës të administratës publike apo bizneseve private në vend. Prokuroria e Tiranës thotë se kanë mundur të identifikojnë se cilët punonjës të AKSHI-t kanë patur akses në sistem, ku kanë kopjuar dhe shpërndarë databazën e pagave. Skandali thellohet edhe më shumë, përderisa prokuroria ka dyshime të forta se të njëjtët zyrtarë që shpërndarë në mënyrë të paautorizuar listapagesat e qytetarëve, më herët nxorën edhe databazen me të dhënat e qytetarëve të kryeqytetit, e njohur si dosja e patronazhistëve, ku krahas emrit mbiemrit dhe numrit të ID-së secili patronazhist shënonte preferencën politike të votuesit. Dosja e njohur si patronazhistës u hetua më herët nga SPAK, por ky institucion iu kaluar topin organit të akuzës në kryeqytet. Për shkak se janë ngritur dyshime të bazuara në prova, që të dyja databazet janë shpërndarë nga e njëjta linjë dhe kanë rrjedhin nga i njëjti institucion, grupi i hetimit ka gjasë t’i bashkojë dhe hetojë në një të bashkojë dhe hetojë në një të dyja dosjet. Për të siguruar prova, prokuroria krahas kqyrjes së sistemit dhe kompjutarave të këtyre zyrtarëve, ka kryer dhe përgjime e vëzhgime të disa prej të dyshuarve, të cilët në bisedat mes tyre, kanë nxjerrë detaje që i kanë shërbyer hetimit. Zyrtarë të Prokurorisë thanë se së shpejti pritet të ketë rezultate konkrete për hetimin. Rrjedhja e të dhënave të një numri kaq të lartë qytetarësh, konsiderohet një nga skandalet me të rënda të ndodhura vitet e fundit, pasi të dhënat personale të punonjësve të administratës, por edhe atyre të biznesit privat mund të keqpërdoren nga individë, por edhe grupe kriminale.
Reagimi i Bashës
Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas skandalit të publikimit të pagave të qytetarëve dhe rrjedhja e këtyre databazave nga AKSHI. Me anë të një postimi në rrjete sociale, Basha shkruan se ky skandal sëbashku me atë të patronazhistëve, konfirmojnë dhe njëherë masakrën zgjedhore. Sipas kryedemokratit, ai që e mbron publikimin e këtyre të dhënave duhet të mbajë përgjegjësi dhe drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund këtij skandali. ”E vërteta vonon, por nuk harron! Skandali i pagave dhe skandali i patronazhistëve nuk janë gjë tjetër veçse konfirmimi i masakrës zgjedhore, konfirmimi i raportit të OSBE/ODIHR, konfirmimi se ndryshimi u pengua dhunshëm nga partia-shtet. Frymëzuesi dhe mbrojtësi i nxjerrjes në pazar të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë duhet të mbajë përgjegjësi dhe drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund këtij skandali të paprecedentë që ka tronditur themelet e shtetit”, ka shkruar kreu i demokratëve Lulzim Basha.