Ukraina: Ku do dalë Rusia? 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 

 

Nga Zeno Jahaj

 

Prej vitit të kaluar bota është në ankth nëse Rusia, një shtet euroaziatik me afërsisht 150 milionë banorë, më i madhi në botë për nga sipërfaqja, do ta pushtojë ushtarakisht apo jo Ukrainën, shtetin fqinj rreth 40 miljonë banorësh, i dyti në Europë për nga sipërfaqja, pikërisht pas Rusisë.

Është plotësuar thuajse i tërë kuadri për shpalljen e luftës: janë lëshuar deklaratat përkatëse nga autoritetet më të larta zyrtare ruse, si dhe janë dislokuar në formacion paraluftimi rreth 150.000 forca e mjete ushtarake në kufijtë veriorë, lindorë e jugorë të Ukrainës.

Kësisoj, Rusia, e vetme, shpërfillshëm, teston ndryshim në rregullat e lojës, të vendosura e, deri më tani, të pranuara ndërkombëtarisht, duke u nisur nga pozitat e forcës ushtarake. Një karshillëk ndaj rregullave, komunitetit ndërkombëtar dhe fuqive të tjera të mëdha botërore.

Për më tepër, nuk kërcënon vetëm Ukrainën, por NATO-n si organizatë ushtarake, ngase ka pranuar kërkesën e Ukrainës, të paraqitur që në vitin 2008, për t’u përfshirë në procedurat e antarësimit.

Kësisoj, nëse do të kemi një pushtim ushtarak rus të Ukrainës, do të gjëndemi, praktikisht, në një përplasje lufte të përmasave botërore.

Por që ky pushtim ushtarak të ndodhë, duhet që Rusia të plotësojë dy kushte: të justifikojë imperativat dhe të peshojë mundësitë.

Imperativat janë arsyet “shtetërore” dhe nevojat ruse pse duhet të pushtojë Ukrainën.

Imperativi kryesor apo “arsyeja” e shpallur formalisht është të ndalohet që Ukraina të bëhet pjestare e NATO-s, ngase prania e NATO-s drejtpërdrejt në kufijtë e Rusisë, “rrezikon e krëcënon drejtpërdrejt sigurinë e Rusisë”.

Imperativë apo “arsye” tjetër është “siguria” e popullatës prej rreth 8 milionë rusësh qytetarë të Ukrainës, e përhapur kryesisht në rajonet lindore të Donjetskut dhe Luhanskut, në ato bregdetare jugore dhe në Kiev, kryeqytetin e vendit.

Këto imperativa, dëshira apo arsye “shtetërore” ruse, që të bëhen realitet, duhet të balancohen me mundësitë, domethënë me kapacitetet dhe aftësitë e shtetit rus për të arritur që, jo vetëm të bëhet pushtimi, por edhe të mbahet përjetësisht gjëndja e pushtimit.

Sigurisht që, në pikëpamje termash absolutë fuqie, Rusia zotëron superioritet vendimtar krahasimisht me Ukrainën e shkundur nga paqëndrueshmëritë politike e ekonomike, nga korrupsioni (në vitin 1917, Ukraina është vlerësuar ndër 9 vendet më të korruptuara në botë) dhe nga nga dekadenca ushtarake.

Në këto kushte, sikur ballafaqimi të mbetet vetëm midis këtyre të dy vendeve, Rusia është plotësisht në gjëndje ta pushtojë Ukrainën.

Por, problemi nuk qëndron te aftësia për ta kryer pushtimin. Si në çdo pushtim, problemi më i madh lind pas kryerjes së tij, çka do të thotë mbajtja e gjëndjes së pushtimit. Historia ofron plot mësime për t’iu afruar zgjidhjes së këtij problemi. Kështu, për shembull, forcat  e Aleancës së Madhe Antinazifashiste që çliruan Gjermaninë në Maj të vitit 1945, për mbajtjen nën kontroll të saj sipas zonave përkatëse angazhuan një ushtar për çdo 50 gjermanë, ndërsa forcat e koalicionit për Luftën Kundër Terrorizmit në Irak në vitin 2003 u desh të angazhonin një ushtar për çdo 100 irakenë.

Kësisoj, për mbajtjen e gjëndjes së pushtimit, Rusisë do t’i duhet të angazhojë rreth 400.000 forca të përhershme.

Por deri kur do t’i mbajë të angazhuara këto forca? Është një pyetje dërmuese. Praktikisht do të thotë që Rusia mund të kryejë një pushtim të suksesshëm, por paspushtimi do të rezultojë në një dështim po aq të suksessëshëm.

Nga ana tjetër, problemi më i madh dhe vendimtar do të jetë reagimi ndërkombëtar. Nuk besohet që ky reagim të jetë ushtarak, ngase edhe pasojat mund të jenë të paparashikuara.

Ndërkohë, ka plot alternativa të tjera bashkëplotësuese dhe efektive për shkurajimin e Rusisë që kjo të mos e ndërmarrë veprimin ushtarak. Dhe sigurisht njera është diplomacia, e cila është në veprim intensiv, madje në nivelet më të larta strategjike.

Lexo edhe :  Çfarë po ndodh? Trump paralajmëron Putinin: 'Po luan me zjarrin'

Por globalizmi ofron edhe armë të tjera efektive, ndër të cilat, sanksionet. Sanksionet ekonomike të fuqive të bashkuara ekonomike të Aleancës, sidomos në kushtet gjithnjë e më të ndërvarura ekonomike ndërkombëtare, mund të jenë shumë më dërmuese për ekonominë e njëanshme ruse që mbështetet kryesisht nga gazi. Rusia realizon një GDP prej vetëm 2,223 trilionë dollarë, ndërkohë që SHBA realizon 14,66 trilionë, Gjermania 2,94 trilionë, Mbretëria e Bashkuar 2,173 trilionë, Franca 2,145 trilionë, etj.

Zor se Rusia do bëjë indiferenten ndaj pafuqisë për t’iu kundërqëndruar potencialeve për sanksione dërmuese nga ekonomitë e fuqishme të vendeve të NATO-s.

Zor se asaj do t’i gjënden Kina apo Turqia në ndërmarrjen e saj ndaj një Ukraine ku nuk janë të pakta edhe interesat e Kinës e të Turqisë. Për më tepër, historia dhe gjeopolitika na thonë se Turqia dhe Kina nuk mund të klasifikohen ndër miqtë e Rusisë. Përkundrazi.

Zor se shkolla politike dhe ajo ushtarake ruse do ta pranojë këtë rrugë pa krye.

Atëherë mbetet të përcaktohet se cila është lënda e vërtetë e “kërcënimit” rus ndaj Ukrainës dhe ndaj NATO-s.

Këtë e shpegojnë imperativat e tjera, arsyet e pashpallura. Ndër to, shtënia në zotërim e pjesës nevralgjike të bregdetit ukrainas të Detit të Zi, përkatësisht të brezit që lidh Krimenë me dy “republikat” e vetëshpallura të pavarura të Donjetskut and Luhanskut, në Ukrainën lindore, është një imperativ thelbësisht i lakmuar.

Me pushtimin e Krimesë, Rusia krijoi një prani sunduese ushtarake në Detin e Zi. Por me shtënien në zotërim të porteve që lidhin Krimenë me dy “republikat” e Donjetskut and Luhanskut, ndër të cilët përfshihet edhe porti shumë i rëndësishëm strategjik i Mariupolit, atëherë i gjithë Deti i Zi shndërrohet përfundimisht në një liqen thjesht rus, pavarësisht nga prania relative ushtarake detare turke, bullgare e rumune e NATO-s.

Këtë alternativë e favorizon faktorizimi i ndjeshëm rus i popullatës së qyteteve ku shtrihen pothuajse të gjitha portet që zotëron Ukraina. Këto porte, të lidhura edhe me “republikat” e vetëshpallura ruse të Donjetskut and Luhanskut në lindje të Ukrainës si dhe Krimenë në jug të saj, përbëjnë një zinxhir i cili, nëse rusifikohet edhe më tej, asfikson në një masë të madhe daljen e Ukrainës në det, ngase kontrolli strategjik i Detit të Zi i transferohet tërësisht Rusisë.

Për më tepër, me këto lëvizje, Deti i Zi shndërrohet në një teatër ushtarak rus, nga ku krijohen lehtësira për përshkallëzimin e kërcënimeve të nivelit strategjik edhe përtej rajonit të Detit të Zi, një synim ky, i të gjithë carëve të Rusisë.

Në këto kushte, Rusia, as nuk mundet, as nuk ka interes ta pushtojë Ukrainën, apo siç thuhet, të shkojë deri në Lumin Dniepër për të marrë Kievin. Asaj i mjafton që t’i zërë frymën Ukrainës, duke e rrethuar nga tre anë dhe duke e futur në një darë të stërmadhe, për ta shtrënguar sipas oreksit.

Këtë alternativë nuk do ta arrijë me luftë klasike, siç po demonstron për sytë e botës. Kremlini duket sikur dëshiron të krijojë përshtypjen se është mjaftueshmërisht i fuqishëm dhe po aq i guximshëm. Por, në fakt, do të tërhiqet kur të shohë se rreziqet do të bëhen shumë të mëdha ose të paparashikueshme. Ai thjesht teston kapacitetet, vendosmërinë dhe vullnetin e Perëndimit për të hyrë në luftë në një terren ku dukshëm Rusia gëzon avantazhe gjeografike.

Në fund të ditës, Kremlini do të rigjallërojë dhe do të futë në punë përvojën e gjatë shumëvjeçare që ka grumbulluar tashmë, të veprimtarive luftarake hibride, përmes të cilave ka treguar se mund të arrijë të njëjtin rezultat si edhe lufta.

 

Të fundit

Jakin Marena: Vesi del me shpirtin, pse Berisha ‘përlotet’ për zgjedhjet në komunizëm?!

Kryetari i PD, Sali Berisha, po përdor të gjitha mënyrat dhe mjetet për të bindur mbështetësit e vet demokratë...

Bardhi kërkesë urgjente Begajt: Ndaloni përfshirjen në procesin zgjedhor!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bajram Begaj që të mos ndërhyjë përmes kabinetit të tij,...

Vjosa Osmani takon kongresistet amerikane, tema kryesore stabiliteti në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për garantimin e stabilitetit afatgjatë në...

Para, miell, legalizim dhe shantazh, deputeti demokrat tregon variantin e PD për 11 majin

Deputeti i zgjedhur demokrat Ivi Kaso ka denoncuar në A2 CNN krimet zgjedhore të 11 majit. Në Ditarin me Bruna Çifligun ai tha se...

Atentati në Durrës, detajet e fundit: I plagosuri shkoi në komisariat për ndihmë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Durrës. Mësohet se një person në zonën e Fllakës është plagosur me armë zjarri. Shkaqet...

Lajme të tjera

Web TV