Nga Meta, Basha, te Blushi, të rinjtë që shkonin në mbrëmjet në Dajt: ‘Gara’ mes djemve për të kërcyer me vajzat që pëlqenin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Uvil Zajmi

Sot, pak ose aspak ka mbetur nga lavdia e dikurshme. Jo vetëm sepse mundësitë e argëtimit janë të panumërta, por edhe sepse ato ndërtesasimbol janë braktisur apo zëvendësuar me të tjera, ku të tjerë breza po ngrenë të tjera kujtime.

Mali i Dajtit, vendi ku të gjithë, sidomos të rinjtë, prisnin me padurim të shkonin. Frekuentimi i tij masiv ka nisur nga mesvitet ‘60-‘70, gjatë muajve të dimrit nga nxënësit e shkollave të mesme, universitetet, qendrat e punës deri edhe te dikasteret. Ato më kryesoret ishin katër gjimnazet: “Q. Stafa”, “P.N. Luarasi”, “S. Frashëri”, “I. Qemali”, si dhe të mesmet profesionale, Politeknikumi, Mjeshtëria Sportive, Ekonomiku, Ndërtimi, Teknologjiku. Jo vetëm si argëtim, por ngjitja në terrenin malor ishte pjesë e programit shkollor edukim-mësim, kalitjes fizike e rinisë, studentëve, klasës punëtore.

Shumë shkolla, ndërmarrje nga e gjithë Shqipëria, udhëtonin me tren, autobusë për në Tiranë, vetëm për t’iu ngjitur në këmbë e kaluar një natë në kampin e Pionierëve në Dajt, sidomos kur kishte dëborë, por edhe nga fama që ai kishte marrë. Ishprofesorë e muzikantë tregojnë për muzikën që luhej, vallëzimet, dashuritë si dhe për shumë ish-nxënës, sot politikanë, që bëheshin pjesë e këtyre ekskursioneve, si Ilir Meta, Majlinda Bregu, Ben Blushi, Lulzim Basha etj.

Ndërtesa, vepër moderne e kohës, vetëm për pionierë
I bukur e madhështor, me ide të arkitektit Adem Stërmasi, nga grupi i ing. Pëllumb Nishani, Zija Fterra, kampi u ndërtua në mesvitet ‘50-‘60, në një lartësi 1500 m në malin e Dajtit, në lindje të Tiranës, kryesisht për pionierë për të kaluar pushimet veriore. Me 3 kate, dhoma të mëdha për fjetje me krevate marinari, ku mund të akomodoheshin rreth 400 persona në një natë. Me 9 ndarje në pjesën ballore, një vendqëndrim i ndriçuar në hyrje dhe dy basorelieve me simbolin e pionierit në fasadën qendrore. Me dy salla të mëdha, njëra në katin e dytë dhe tjetra në të parin që shërbente si mensë e restorant, por aty organizoheshin edhe mbrëmjet, ku vallëzohej, shoqëruar me muzikë live nga një orkestër. Dajti njihej edhe si mali i 5 simboleve: Kampi i Pionierëve, ai i Punëtorëve, Vilat Qeveritare, Antenat dhe XXV, të gjithë pranë njëri-tjetrit.

Takohemi te lapidari… pastaj të vallëzojmë së bashku.

Aty ka qenë pika, vendi ku të gjithë takoheshin para se të merrnin rrugën drejt Dajtit për në kamp. Një lapidar me një histori nga lufta, i vendosur ku mbaronte muri i Kinostudios “Shqipëria e Re”, ngjitur edhe me Institutin e Higjienës. Për të ardhur aty, shfrytëzoheshin autobusët e linjave Tiranë-Kinostudio-Porcelan, stacioni i fundit i tyre. Grumbullimi bëhej rreth orës 13:00 apo 14:00. Bukë me vete, byrek, djathë, vezë të ziera, ullinj që i përgatiste familja, pastaj nisja, më këmbë, një marshim rreth 2-3 orë dhe në kamp arrihej para se të errësohej.

Përjashtim nga të mesmet e Tiranës bënin vetëm dy shkolla, ajo e Gjuhëve të Huaja dhe Liceut Artistik, nxënësit, mësuesit e tyre mbërrinin deri lart me autobusë në dispozicion. Liceistët merrnin me vete veglat muzikore, deri edhe orkestrën që për atë natë ishte e tyre. Mbërritja ishte e organizuar e në dhoma të mëdha sistemoheshin në grupe djem e vajza, por të ndarë. Gjithçka me shpejtësi, pastaj në katin e parë te salla e madhe e mensës, plot hapësirë, ku ishin tavolinat, duke pritur orën kur do të niste mbrëmja. Energji e grumbulluar, dëfrimi me orkestër e muzikë live të kohës, si i vetmi argëtim, liri pa kufi ku të gjithë kërcenin, shoqëruar edhe me këngëtarë të njohur si L. Zhegu, L. Kondakçi. Të pranishëm ishin edhe humoristë nga Estrada e Tiranës e Ushtarit, Ansambli i Ushtrisë etj.

Shikime, simpati, njohje, miqësi të reja e pak dashuri gjimnazi, pavarësisht nga shkollat ku ishin. Vazhdonte deri në mesnatë, pastaj shkonin në grup te buza të greminës, që ishte vendi më i përshtatshëm nga ku shihej mirë kryeqyteti natën. Ishte krijuar ideja se Tirana e ndriçuar ngjan një formë ylli dhe ashtu dukej. Nxënësit shoqëroheshin nga mësuesit për siguri, pasi ishte errësirë, humnerë, përbente rrezik. Pas këtij rituali afronte kthimi për të fjetur, nxënës që bënin sikur flinin, pastaj drita që hapeshin e mbylleshin, zhurmë, lëvizje në korridore, bërtitej, qeshje, humor, një detyrë e vështirë për mësuesit kujdestarë të mbanin rregull, e që mbyllnin njërin sy.

Të nesërmen në mëngjes, dikush zhdukej, merrte rrugën për te XXV, të tjerë në aktivitete sportive. I privilegjuar ishte ai që kishte një kitarë, e këndohej në grup. Apo dikush me një aparat fotografik. Në drekë, para largimit shkohej edhe një herë te buza e greminës, për ta parë Tiranën nga larg, ku dallohej 15- katëshi, që të orientonte me qendrën e saj. Pastaj kthimi.

Mësuesit ishin më tolerantë, ndonëse vajtje-ardhja ishte me përgjegjësi, deri aty ku mos të cenohej puna e tyre e statusi i nxënësit. Kuriozitet ishte kalimi te tubat gjigantë të ujit, që janë edhe sot, një ritual i përhershëm, ishte ndjesi e veçantë, të qëndroje poshtë tyre. Entuziazmi i vizitës në Dajt vazhdonte gjatë javës në klasa, shoqëruar me biseda, tregime, shaka, një situatë që krijonte shqetësim për mësuesit e lëndëve dhe vështirësi që nxënësit të hynin nëlinjën e mësimit. Ishte kuriozitet e madh për ata që nuk kishin shkuar në Dajt kur dëgjonin histori që tregonin nxënësit.

Lexo edhe :  Më 23 dhjetor 1912, Ismail Qemali emëroi delegacionin e parë për Konferencën e Londrës

FSHEHURAZI TE “XXV”

Të vendosura në shpatin ballor të Malit të Dajtit, mbi Kampin e Pionierëve, ku ishin edhe antenat televizive, ato ishin tri shifrat romake, rreth 15 m të lartë dhe që dukeshin shumë mirë nga Tirana. Simbolizonin 25-vjetorin e çlirimit dhe ideja për një simbol të tillë gjigant u dha në prag të këtij jubileu. Ndonëse terreni i vështirë, puna për të krijuar XXV u realizua me forca xheniere, ushtarë. Ajo zgjati disa muaj me qëllim që të shifrat të ishin gati në nëntorin e ‘69-ës.

Për shumë vite ashtu kanë qëndruar me idenë që të shtohej edhe një tjetër “X”, për 30-vjetorin, por u la në heshtje, deri kur nisi mbulimi i tyre duke mbjellë pemë. Për nxënësit ishte e ndaluar të ngjiteshin në atë lartësi, rreth 150 m, si terren i rrezikshëm shkëmbor, por kishte djem që para kthimit në Tiranë, në fshehtësi, largoheshin nga grupi e për të treguar se “kam qenë te 25-a” shkonin të shkronjat gjigante.

“Gara” mes djemve për të kërcyer me vajzat që pëlqenin

Shpëtim “Çim” Rexha, kitarist i njohur, një ndër instrumentistët e mbrëmjeve të famshme në kampin e Dajtit, për “Panorama” u rikthehet atyre viteve kur kujton: “Kur ishte Liceu, bëhej nami. Ata ishin instrumentistë dhe këndonin të gjithë me në krye Françesk Radin. Ndërsa institucionet merrnin këngëtarë me vete, si Luan Zhegun, Kozma Dushin, Liljana Kondakçiun etj.”

Si organizoheshin mbrëmjet?

Për orkestrën kishte dy variante: Ditore për ata që e merrnin nga Tirana e shkonin bashkë me në Dajt, kryesisht ndërmarrjet, ministritë. Dhe ajo stabël, orkestra e kampit, që qëndronte aty gjatë javës. Mbrëmjet me shkollat organizoheshin në katin e parë, dihej programi. Nuk kishte këngëtarë, ose në raste sporadike, sigurisht edhe muzikë ritmike për vallëzim.

A ishin më të privilegjuara ministritë, institucionet?

Ndërmarrjet, ministritë, aplikonin kryesisht fundjavën, të shtunë e të diel. Mbrëmja me to bëhej në katin e dytë me orkestrën e kampit ose kur me këngëtarë e sillnin edhe orkestrën me autobusët që prenotonin. Aty kanë kënduar nga L. Zhegu, K. Dushi, L. Kodakçi etj. Interpretoheshin këngë shqiptare të kohës, rrallë ndonjë e huaj. Vinin edhe humoristë, aktorë nga estrada e shtetit, ajo e ushtarit.

Si ishin mbrëmjet e Liceut?

Kur vinte Liceu Artistik, krijohej tjetër atmosferë. Ata ishin fantastikë, vetë instrumentistë, këngëtarë, merrni veglat muzikore me vete, se vinin me autobusë. Edhe muzika ishte më ndryshe. Luheshin këngët e Bitëllsave, të tjera të njohura. Francesk Radi, Don Miluka, Genc Dashi i jepnin gjallëri sallës.

E kujtoni “Maturën ‘72″ të “Petro Ninit”?

Ishte një privilegj i atij gjimnazi që kishin grupin muzikor “Matura ‘72″. Kujtoj edhe Men Musaraj me grupin e tij, të sapokrijuar, dhe Dajti shërbente si vendi i lirë për të kënduar. Përjashto Liceun, të tjerët ishin të rezervuar dhe në mbrëmjen e madhe nuk këndoheshin këngë të huaja, kishte frikë nga grupet e rinisë.

Si vallëzohej?

Orkestra stabël përbëhej nga dy kitara, një bateri, një fizarmonikë. Disa nga instrumentistët ishin: B. Pirku, T. Hysa, B. Bega, A. Ngjela, Y. Gjyra, A. Murthi S. Prosi, M. Muça, A. Bashllori etj. Kërcehej edhe muzikë ritmike, gjithmonë me rregullin 2 hapa para e një mbrapa, duke tentuar të qëndronin afër, që për nxënësit ishte në modë. Në mbrëmje kishte më shumë djem se vajza, se familjet në disa raste nuk i lejonin ato të shkonin. Kështu nuk u binte të gjithëve të kërcenin me femra. Dikush që i vinte vërdallë, i kishte vënë syrin, donte t’i propozonte, siç ndodhte zakonisht, ose i shprehte dashurinë, bënte porosi në orkestër.

Porositej orkestra, si ta kuptojmë?

Vinte djali dhe fshehurazi i kërkonte orkestrës, që kur të ishte pranë vajzës të niste vallëzimi në mënyrë që tjetër person të mos kishte mundësi t’i afrohej më shpejt se ai. Qëllonte që për shaka orkestra ta fillonte e ta ndërpriste pas pak. Atij i dilte huq. Ndonëse viheshin në start para çdo vallëzimi, kur thuhej se fuqinë e kanë vajzat, sigurisht që ritmi, vrulli i djemve, ulej, shihnin partnerin që kishte preferuar vajza, në pritje të vallëzimit kur fuqinë ta kishin ato. Mësuesit kërcenin me njëri-tjetrin, më pak me nxënës.

Thatë se kishte një “qejf të dytë”?

Ai pas mbrëmjes ishte “qejfi i dytë”. Pasi pushonte orkestra kishte kërkesa dhe këmbëngulej nga nxënësit të qëndronin, madje në disa raste vijohej me magnetofona që i kishin me vete. Për liceun ishte më ndryshe, me një kitarë këndohej në dhoma, nga Çelentano, Batisti, Modugno. Po kështu edhe të nesërmen paradite, para nisjes të fshehur në shkëmbinj, mblidheshin duke kënduar me kitarë.

Ju gjithashtu ishit pjesë e këtyre mbrëmjeve…

Ndonëse isha gjimnazist i “Qemal Stafës”, edhe më pas të gjitha orkestrat më ftonin. I kam parë nga afër ato mbrëmje të paharruara. Deri tek Artistikja “Migjeni”, çfarë atmosfere krijonin se kishin edhe grupin artistik të njohur.(Panorama)

Të fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën e festave

Nga ngjyrat te dekorimet, nga tradita te dizajni, një pjesë e mirë e kujtimeve të festave të ndara me...

Rama: Ka një arsye kryesore për fitoret e mia! Ndodhi që u bëra kryeministër…

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në darkën e fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri kishte një përgjigje edhe për ata...

Reshjet e dëborës në Kukës, gjysma e popullsisë pa energji elektrike

Moti i keq në vend dhe reshjet e dëborës gjatë mbrëmjes së djeshme kanë sjellë problemet në qytetin e Kukësit. Mësohet se gjysma e popullsisë...

Ish-Presidenti Bill Clinton del nga spitali

Ish-presidenti Clinton doli nga një spital në Uashington të martën pasi u trajtua për grip, tha zëvendës shefi i kabinetit të tij në një...

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat

Makina të shumta, njëra pas tjetrës – kjo është panorama që ka mbushur qytetin e Vlorës këtë të hënë. fluksi i lartë i emigrantëve...

Lajme të tjera

Web TV