Portreti krijues i Serge Gainsbourg-it
Nga: Bujar Meholli
Qysh nga letërsia antike greke, poezia, gjegjësisht vargu, ka qenë i lidhur me muzikën, me tingullin; sërë artistësh i këndonin tekstet e tyre duke i shoqëruar me muzikë, me instrumentin e lyrës. Poetë të mëdhenj si Safo, Anakreonti, Alkeu, e të tjerë, shkruanin lirika të ndryshme plot pathos, ndjenja sublime, erotike, por gjithsesi edhe vargje që pasqyronin jetën socio-politike reale të kohës. Kjo traditë e lirikës e bartur deri në qytetërimin tonë ka sjellë mjaft pasardhës të lirikës/poezisë dhe këndimit – të njohur me emrin kantautor. Pra, artistë që i shkruajnë dhe i këndojnë tekstet e veta. Bob Dylan-i, njëri nga ta, madje, arriti të fitojë edhe çmimin “Nobel” për letërsi me lirikat e tij përgjatë një karriere prej pesë dekadash. Një artist i kësaj natyre, kantautor avangard, është Serge Gainsbourg i lindur në Paris. Krijimtaria e tij përfshin këngën, poezinë, pikturën, pianon, regjinë e aktrimin. Në kulturën franceze Gainsbourg-u konsiderohet ndër figurat kryesore të pop-it; një artist i jashtëzakonshëm që në skenë s’reshti së qeni provokues e madje skandaloz me tekstet e tij. Serge rrjedhtë nga një familje hebreje me origjinë nga Ukraina e cila pati emigruar në Paris. Vështirësia e të qenit hebre rezonoi edhe në karrierën e artistit, në tekstet e tij, i cili si i ri nisi të luajë piano nëpër bare dhe kafene e provojë të pikturojë derisa nisi karrierën si kantautor.
Krijimet e Serge-s shkaktonin bujë nëpër Francë; në kafene e bare diskutohej për prodhimtarinë e larmishme të këtij artisti që pati arritur ta rrisë ndjeshëm famën brenda dhe jashtë Francës. Sa i përket muzikës, nisi herët me xhazin për të vazhduar me eksperimentet në këngët chanson, yé-yé, funk, reggae, e madje edhe në muzikën elektronike. Gjithë ky konglomerat stilesh muzikore në të cilat varion Serge, e bën të vështirë për ta kategorizuar si artist. Sikur Boris Vian, edhe Serge ushtroi aktivitet letrar – shkroi poezi, të cilat i këndonte, me përmbajtje mjaft provokuese. Ai përdor shpesh lojë fjalësh, vargjet e tij përmbajnë shumë humor, nganjëherë banal e bizar, tekstet e tij lirike shpeshherë trajtojnë tema tabu si seksi, alkooli e droga. Gjatë gjithë karrierës shkroi mbi 500 këngë. Në një artikull të botuar në “The Guardian”, Francine Gorman rendit 20 skandalet më të mëdha që e kanë përcjellë karrierën e artistit francez. Një ndër ta është takimi me aktoren e famshme Brigitte Bardot me të cilën u martua më pas. Pasioni i madh për Bardot-in bëri që artisti ta humb sharmin e tij në takim me të, ta humb toruan; ky episod do të sjell më pas këngën “më të bukur të dashurisë” që e pati ka shkruar për takimin e “dështuar” që e pati me Bardot-in.
Disa nga albumet e famshme të Serge-s janë “Histoire de Melody Nelson”, “Love on the Beat”, “Initials B.B.”, “Gainsbourg Confidentiel”, e shumë të tjerë. Një jetë e tërë me shumë aktivitete artistike bëjnë që Serge të krijojë portretin e artistit të “çrregullt” i cili mban cigare në buzë dhe gotën e verës në dorë, e vishet me rroba lëkure. Karakteri i tij bëri që edhe puna artistike t’i njihet anekënd Francës duke shkaktuar polemika të shumta. “Një zezake po pinte qumësht. Ah!, tha ajo me vete, sikur të mundja ta zhysja fytyrën time në tasin e qumështit, do të isha më e bardhë se të gjithë anglezët” shkruan ai në njërën nga këngët. I njohur si duhanpirës dhe alkoolist i madh, Serge pëson sulm në zemër dhe ndërron jetë në moshën 69-vjeçare dhe përcillet në banesën e fundit në varrezat e seksionit të hebrenjve në Montparnasse. Ish-presidenti François Mitterrand pati thënë se Serge ishte “Bodleri ynë që e ngriti nivelin e këngës”. Serge Gainsbourg ngelet njëri ndër emrat më të shquar të shekullit XX në artin avangard me një krijimtari të larmishme në disa fusha të artit duke u renditur në mesin e artistëve të mëdhenj si Bob Dylan, Jim Morrison, Nick Cave, Kurt Cobain, e të tjerë…