Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me përfaqësues të operatorëve dhe agjencive turistike, në vijim të përgatitjeve për titullin “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, duke folur për finalen e madhe të Conference League që do të zhvillohet më 25 Maj në stadiumin “Air Albania”, tha se është një operacion i jashtëzakonshëm që ka nevojë për mirëkoordinim për tifozët e shumtë që do të vijnë në Tiranë.
“Jemi përgatitur të presim rreth 5 mijë tifozë në Tiranë, nga secila prej skuadrave që do të luajë finalen e Conference League, kurse pjesa tjetër mund të jenë tifozë lokalë. Do të na duhet shumë ndihmë sepse është një operacion që do të ndodhë tre ditë; pra, dy ditë para ndeshjes dhe një ditë pas saj, ku do të mobilizojmë rreth 100 autobusë të dedikuar vetëm për transportin Tiranë-Rinas. Për këtë arsye na duhet të dimë pak a shumë kapacitetet tuaja. Jemi duke monitoruar hotelet e reja, që janë në pritje për t’u hapur, dhe të shohim kush do të kapë afatin e datës 25 maj; pra, do të jetë një operacion i jashtëzakonshëm. Ndaj, do të doja që të gjithë bashkë të kemi një super-koordinim vetëm për këtë ngjarje të madhe”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se çdo sfidë dhe betejë bëhet për të mirën e të gjithëve.
“Na është dhënë një mundësi fantastike! Sigurisht, është sfidë, por edhe mundësi, ndaj besoj se siç jemi mbledhur këtu, si komunitet, kuptojmë se nuk kemi rivalitet me njëri-tjetrin. Nëse Tirana promovohet mirë, përfitojmë të gjithë”, përfundoi ai.
Veliaj kërkoi bashkëpunimin e operatorëve dhe agjencive turistike, që të promovojnë Tiranën, ashtu siç i ka hije, në vitin e rinisë.