Nga Kastriot Kotoni
Të vështrosh në shikim të parë luftën në partinë më të madhe opozitare pas ngjarjeve të 8 Janarit, krijon një tabllo edhe më të qartë për qëllimin e vërtetë, pa mëdyshje të Sali Berishës e mbështetësve të tij kundër Lulëzim Bashës. Deklarimet e përsëritura të Departamentit Amerikan në mbështetje të Lulëzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokratike, tashmë të njohur edhe nga gjykata shqiptare e kanë qartësuar opinionin shqiptar se mbështetja ndaj Bashës është në vetvete një qëllim strategjik i politikës amerikane në Shqipëri. Post-kuvendet e të dy krahëve të opozitës, megjithë përpjekjet për spektakle demokracie, ishin një flluks sapuni, sepse deri në këtë proces nuk kishte asnjë lëvizje për demokraci dhe distancim të qartë ndaj personave “non grata”. Kalimi në shkallë më të gjerë i luftës kundër korrupsionit në rang botëror të Amerikës e shtjelloi konceptin e sigurisë për Amerikën. Në këtë kontekst asnjë analist që mbështet lëvizjen e foltores të Sali Berishës, nuk e ka përfaqësuar në asnjë rresht konceptin e sigurisë, por është marrë sipas variantit “erdha, pashë dhe ika e ta shpërbleva nderin me nder duke të mbështetur zoti Sali Berisha”. Qartësisht në disa medie ka pasur edhe anatemime foshnjarake ndaj politkës së ambasadores amerikane në Shqipëri, po ashtu një grup tjetër i përfaqësuar në portale dhe në mediat online kanë ngritur tonet sovraniste, a thua se jemi përballë një “agresioni perëndimor”. Po le të mos shkojmë më thellë, që të jemi më konkretë e ta zemë se do të kishim një situatë hipotetike: “Sikur Lulëzim Basha të ishte përson Non Grata”, çfarë hipotezash do të ngriheshin nga palët dhe analistët e gjithologët që gëlojnë në mediet tona. Së pari, a do të bashkohej Sali Berisha në mbrojtje të Lulëzim Bashës? A do të kishim lëvizje me foltore në mbrojtje të Lulëzim Bashës? E së treti, kush do ta zëvendësonte Lulëzim Bashën si sovranist?
A e mendoni ju? Saliu mezi do ta priste edhe një shërbesë të vogël ndaj Amerikës, vetëm e vetëm të ishte sa më i larë në shumë çështje me të. Pra, do të distancohej nga Basha për ta shfrytëzuar këtë si një moment të artë për të gjetur fajtorin e humbjes e nuk do të priste qoftë edhe një ditë e jo më tre muaj konsultime për t’u distancuar nga Basha në mbrojtje të vlerave amerikane. Po Bashën, e mendoni qoftë edhe një sekondë në krahun e “Trekëndëshit të Bermudës”, shumë, shumë do t’i kërkonte ndjesë Saliut për besimin që i fali e do të kish ikur nga sytë këmbët. Po lëvizje sovraniste nuk do kishte jo e jo, edhe pse kishte mbi vete një investim të Sali Berishës, do ta kalonte me një “mea culpa” për gabimet e fajet e tij në drejtim të PD-së siç po bën këto ditë për fajet e Partisë Demokratike qysh në lindjen e saj. Kreu democrat do të justifikohej si dikur Enver Hoxha në Pleniumin e Dytë të Komitetit Qendror mbajtur në Berat(shih librin “Liri Belishova Dhe Koha e Saj” me autor Bashkim Shehun. Ku Partia Komuniste kish vepruar si organizatë terrorriste dhe i pari që kish dijeni ishte sekretari i përgjithshëm, vetë ai, E. Hoxha i cili pranoi se ashtu zbatonte vijën e orientimit të Dushan Mugoshës e të (Aliut alias Miladinit) dhe të Liri Gegës. Me një kërkim falje, ai i kërkoi shokëve edhe ndëshkimin e tij me përjashtim nga Partia. Ky fenomen që po ta lidhësh me fenomenin e sovranistit, ish-komunistit Sali Berisha ka në analogjinë e tij në kohë të ndryshme me partner të ndryshëm të njëjtën tipologji politike. Vetëm se sovranist bëhesh kur je në pushtet e për të mbajtur pushtetin kalon në sovranist. Po për sa i përket fushës së ndëshkimeve, ngjajnë si dy pika uji. Nako Spiru ndëshkon Sejfulla Malëshovën, ndërkohë që kishin kërkuar të dy në Berat ndëshkimin e Enverit këtë e ndëshkon Koçi Xoxe e në vazhdim revolucioni hante bijtë e tij. Ka vetëm një qëndrim të pastër sovranist në historinë politike të Shqipërisë, vetëm në Kongresin e Lushnjës. Trashëgimia jonë politke qysh me Esad Pashën ka qenë një ndërrim stacioni nga perëndimi në lindje, aq sa edhe Zogu kur kishte marrë ultimatumin nga Duçja më kot kërkonte të fitonte kohë për të gjetur një partner tjetër. Rruga për demokraci është shumë e gjatë e me shumë sakrifica, ndaj edhe pse tek ne kjo ka ardhur nga strukturat e Partisë së Punës, ka lënë një trashëgimi të variantit të organizatave e celulave të Partisë Komuniste. Ndaj edhe Basha ka një betejë me veten, për të ndryshuar konceptin e partisë që ka trashëguar nga S. Berisha. Bashës nuk i duhen beteja elektorale për të maksimalizuar votat e elektoratit në parti duke rënë në kurthin e zgjedhjeve të pjesëshme zgjedhore, atij i duhet një parti e vërtetë që ta bindi për betejën për dmokraci sipas meritokracisë dhe vlerave perëndimore, të rrisë inisiativën politike përballë partisë në pushtet. Artikulimi i tij verbal ka cilësi të reja, por me aksion politik të ulët dhe me një platformë që vetshpall luftë në të trija frontet duke e stigmatizuar kundërshtarin në bllok, gjë që po e çorienton elektoratin në qasje të spektaklit e që në fakt nuk ka asgjë të rëndësishme se çfarë thotë Berisha për Bashën, të cilët sipas tij ndajnë pazaret bashkë me Ramën, apo atë të Bashës për “Trekëndëshin e Bermudës”, kur në fund të fundit, Bashës vetë i ngec si hala në fyt ikja nga gara e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, për të cilat akoma nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Atij i duhet ndryshimi i mendimit, siç thotë Umberto Eko në një ese me titull “Forca e mashtrimit” (së rremes), Teoria e tokës së zbrazët, e cila ka shumë idhtarë edhe pse së cilës i kanë dhënë përgjigje shkencëtarët e shkencave të natyrës. Ku e ku e më i vështirë është ndryshimi i mendimit në çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis njerëzve sidomos në bindjet politike. Kryeministri Rama me të drejtë ka luksin të sodisë këtë teatër eklektik, sepse për elektoratin do të ishte e udhës që frekuenca e luftës politike të ishte më e lartë ndaj qeverisë dhe jo një palo diversion se kush është më miqësor me pushtetin apo jo. Foltorja herë e kthen luftën si vlerë morale d.m.th. kërkon mirënjohjen ndaj Saliut, që e ngriti këdo në parti dhe në pushtet, por harron ndërkohë se përkrahet nga analistë që kanë shkruajtur tërë ditën e tërë natën “se politka nuk ka moral”. Foltorja betohet gjithmonë se ka përherë një kryetar të gatshëm, por harron se edhe sikur të vihet një njeri që e zgjedh S. Berisha bota nuk do ta njohë, ndonëse ka edhe ndjekës të verbuar që nesër do të jenë viktimat e rradhës (tradhtarët në rradhët e partisë). Shikojeni se si dalin vullnetarët e foltores me pankarta kundër Bashës, si dikur vullnetarët e Enverit. Nuk bëhesh as demokrat pa beteja për ide dhe as sovranist nga halli brenda ditës. Duhen dekada e platforma kombëtare që zhvillohen edhe në sajë të demokracisë.