Pas mbylljes së ditës së gjashtë të protestës kundër rritjes së çmimeve, Kryeministri Edi Rama ka dalë në një bashkëbisedim live me qytetarët në rrjetin e tij social Facebook. Kreu i Qeverisë thotë se në këto kushte, dëgjimi i njëri-tjetrit është domosdoshmëri.
Sipas Ramës, protestat e zhvilluara janë turp, pasi ka pasur dhe protesta të tjera që kanë degraduar në një formë apo tjetër, por më të turpshme se kjo nuk ka.
“Besoj që dëgjimi i njëri tjetrin është domosdoshmëri gjithnjë sidomos në kushtet e një situate si kjo si të mos mjaftonte taksirati i pasojave të një lufte që është paraqitur në Shqipëri e kudo tjetër në formën e çmimeve të rritura befasisht, na duhet të komunikojmë edhe sepse këtu tek ne si në asnjë vend tjetër të NATO-s, në asnjë vend tjetër të Evropës e botës demokratike që po përjeton ekzaktësisht të njëjtat shenja shqetësuese në faturat e çmimeve të kemi të bëjmë me një gërdi turpi. Ka pasur protesta lloj lloj, dhe protesta që kanë degraduar në një formë apo tjetër por protestë më të turpshme se sa kjo as nuk ka pasur, as nuk ka se si të ketë. Reagim më të turpshëm sesa reagimi në mbështetje të kësaj proteste as nuk ka pasur e as nuk mund të ketë. Për çfarë protestohet, kundër kujt protestohet, se secila nga vendet që po përjeton kërcimin e çmimeve të energjisë, sepse këtu nuk po përjetohet, po protestohet, por po protestohet kundër shkaktarit që është Rusia, nuk ka dalë askush kundër qeverisë së vet”, tha Rama.