Kristjan Asllani mund të ndjekë gjurmët e Ismael Benaserit për t’u bërë regjisori i ri i Milanit në të njëjtën moshë si algjeriani. Empoli e vlerëson 10 milionë euro, një shifër që mund të rritet deri në fund të sezonit nëse djaloshi i lindur në Elbasan vijon të prodhojë paraqitje rendimenti siç ka bërë në 18 prezenca sezonale me fanellën e Empolit në këtë sezon. I aftë të bëjë si regjisorin ashtu edhe fantazistin, 20-vjeçari po mbahet nën mbikëqyrje nga drejtuesit kuqezinj të cilët mund të vendosin të bëjnë një ofertë gjatë verës. Raportet me klubin toskan janë ideale siç e dëshmojnë transferimet drejt Milanit të Benaserit dhe Kruniçit. Lajmi i dhënë nga “Sportitalia” gjen konfirmim edhe nga burime të brendshme në klubet e sipërpërmendura. Asllani është produkt i akademisë së Empolit, teksa u promovua në ekipin e parë nga trajneri Andreacoli pas largimit të Riçitit i cili ishte truri i ekipit empolez. Tashmë në kabinën e regjisë është djaloshi i lindur në Elbasan, teksa paraqitjet e tij kanë rënë në sy të Maldinit, por edhe të disa homologëve të tjerë nga skuadra të njohura të futbollit në Gadishullin Apenin.
ANËSORI – Te Milani është kthyer në modë gjithashtu emri i Domeniko Berardit. Me kontratën që i skadon pas dy vitesh, Sasuolo i ka premtuar se do ta lejojë të largohet për oferta më të mëdha se 30 milionë euro. Një shifër e rëndësishme, e qartë, por mund të konsiderohet e përshtatshme për një lojtar në pjekuri të plotë (27 vjeç) dhe me rendiment, prej 12 golash e 14 asistesh deri në këtë pikë të sezonit. Berardi, nga ana e tij, ka shumë admirues, por perspektiva për të luajtur në Champions, aq më tepër me Milanin mund të ndikojë në zgjedhjen e tij.
DERBI MERKATOJE – Përveç reparteve të tjera, drejtuesit e “Djallit” po monitorojnë tregun edhe për një sulmues. Zlatan Ibrahimoviç për arsye moshe nuk ofron garanci, ndaj nëse ekipi arrin Champions-in, do të nevojiten prurje për vijën e parë. Dëshira e madhe është Xhanluka Skamakën. Sulmuesi është gati për hapin e madhe, por i përket Sasuolos që për ta lënë të lirë kërkon 25 milionë euro. Për 22-vjeçarin kuqezinjtë u interesuan edhe në merkaton e verës së kaluar, por më pas u vendos afrimi i Zhirusë. Për Skamakën interesohet edhe Interi, ndaj edhe në këtë front paraqitet një luftë e ndezur, pak a shumë si ajo që po bëjnë këto dy klube për titullin. Ivan Iliç është një tjetër profil ku milanezet janë interesuar, por kërkesa e Veronës për mesfushorin shkon deri në 15 milionë euro, ndaj për momentin nuk priten zhvillime.