Nga Visar Zhiti
I dashur V., mik i dashur,
jam shumë mirënjohës për solidaritetin dhe ndihmën e sinqertë në luftën e vendit tim për liri. Për fat të mirë jam gjallë në këtë ruletë ruse që po ngjet në kryeqytetin tonë. Do të shohim se si do të jetë gjendja me pushtimin nga Bjellorusia në veri të Kievit, që mund të jetë dhe fillimi i dërrmimit të regjimit të Lukashenkos, i cili nuk mbështetet më nga shumica e ushtrisë së tij, por që shumë pjesë kontrollohet nga forcat ruse. Tani për tani me 12000 njerëz dhe qarkimi me rreth 3000 nga ushtria jonë dhe 4000 brenda, sulmi në Kiev duket i pamundur. Por në qytete të tjera si Mariupol dhe Chernihiv, ku njerëzit po vdesin urie për javë të tëra pa energji elektrike, gaz dhe ujë, nën bombardime e bombardime si dhe në rrethinat e Kivit, ku është dhe shtëpia ime e familjes, kemi një katastrofë humanitare.
Përqafime miqësor!
D.
Është mesazhi më i fundit që më vjen nga Ukraina, nga poeti Dmitry Chystiak, për të cilin kam shkuar diçka, kam botuar disa poezi të tij dhe një interviste, ku u përgjigjet 7 pyetjeve në luftë për lutën në Ukarainë, kam thënë se ai është profesor i letërisë dhe i frengjishtes në Universitetin Kombëtar “Taras Shevçenko” të Kievit, poezia e tij është botuar në shumë gjuhë të tjera dhe ka marre shumë çmime letrare. .
Po si t’i përgjigjesha mesazhit të tij? Nuk kam asgjë veç lotëve dhe lutjeve dhe zemrës time me ju. Kaq..
A ka mbërritur mesazhi im apo ajrin e shqyejnë shpërthimet e tmerrshme dhe fjalët vdesin dhe bien si pendë flatrash të djeguara.
Dhe çudia është se ai më ka dërguar dhe një elegji në anglisht, e shkruar tani nën bombardimet në një dhomë që dritaret i ka të mbuluara me raftet e librave që të mos duket drita jashtë, se pranë saj predhat kanë shkatërruar shtëpi të tjera.
Po shkatërrohet një vend sovran, me kulturë dhe traditë, me njerëz të lirë që duan t’i largohen gjithnjë e më shumë të kaluarës së tyre, kur ishte një perandori komuniste me qendër Moskën, me tiranë në krye si Lenini dhe Stalini dhe pjellat e tyre si Putin sot, që vazhduan deri dhe në Shqipërinë e vogël me enveristët.
Por do të doja të flisnim për poezinë e Dmytro Chystiak, që iku përmes bombardimeve për të gjetur mua, megjithëse ka një thënie se kur gjëmojnë topat, muzat heshtin. Në fakt realitetet kanë treguar dhe të kundërtën. Shqipëria e di, se kur kishte letërsi të realizmit socialist me plot gjëmime, fshehtas pati dhe letërsi ndryshe, poezi që dolën nga burgjet dhe internimet. .
Dhe tani nga lufta. Poeti Dmytro Chystiak, burrë i ri te nja 35 vjetët, nuk po zgjatem, mjafton shembëlltyra e atij si Njeriu që po qëndron nën bombardime, kur po vriten njerëz me mijëra e bëhen gërmadha për një çast pallate, institucione, spitale, teatro, etj, teksa miqtë e Dmytro Chystiak nëpër Europë, në Azi e Amerikë e kanë ftuar të ikë nga andej.
Jo! Ai po rri pranë luftëtarëve të vendit të tij, që po luftojnë për ardheun dhe Europën, sipas tij, mes qytetarëve dhe sakrificave të pabesueshme, i përkushtuar në këtë luftë, ndërkohë i lidhur me shumë televizone jashtë vendit, ku jep intervista me frengjishten e tij “excellent”, (edhe foton e poetit e nxora nga ekranet e një televizoni të huaj) dhe tregon gjendjen dramatike, shkaqet dhe historinë, të ardhmen që do ta fitojnë me gjak, duke dhënë sa më shumë shpresë njerëzore.
Teksa në televizionet tona akademikë dhe politologë të rëndomtë arrijnë deria aty sa mundohen ta justifikojnë agresionin rus, nga që NATO paskërka kaluar “gardhin”, sepse paskësh “gardh” liria e popujve dhe sovraniteti i vendeve dhe demokracia që duan të kenë si sistem, e ndonjë me dinakëri kërkon të vendosë Putinin djathtas më shumë se majtas, kur ai si i çmendur po bombardon sa djathtas dhe majtas dhe po s’e ndalën, ai nuk do të ndalet nëpër Europë dhe botë me turr stalinisto-hitlerian, teksa bashkëpunëtorët e nazizmit i quajne pafalshëm kuislingë, ndërsa ata të stalinizmit, që tradhtuan interesat e atdheut në kohë paqeje nuk i dënojnë si kuislingë të Kremlinit, etj, etj, por unë desha thjesht tani t’i bashkohemi besimit të poetit ukrainas Dmytro Chystiak dhe të popullit të tij edhe me anë të poezisë, të shkruar nën bombardime.
Ajo ngjan me buzëqeshjen e tij, që e shohim tani në intervistat televizive, që edhe pse e trishtë, ështe e mrekullueshme, është buzëqeshja e njeriut të vërtetë, që nuk e shëmtuan luftrat, që asnjë bombardim nuk ka për ta asgjesuar, nëse do të mbeten njerëz mbi fytyrë të dheut.
Në vend të buzëqeshejes, ja poezia, që e nxjerrin ne për herë të pare…..