Nga: Bujar Meholli
Lexues i Niçes & Rembosë, adhurues i Çaplinit, ekspresionist e kritik social, njeriu që arriti përjetësinë në letrat shqipe me vetëm 27 vjet jetë – Migjeni! Djaloshi shkodran, si vegim, i erdhi sall një herë letërsisë shqipe. Ta lexosh Migjenin do të thotë të mahnitesh me gjenialitetin e djaloshit njëzet vjeçar që shndërrohet në artist të angazhuar për kauzalitetin e progresit social, me ide vizionare, frymë të re, moderne, drejt ndryshimit të inercionit të kohës kur jetoi dhe veproi.
I çliruar krejtësisht nga folklorizmat, Migjeni, krijues i “Vargjeve të lira” e “Novelave të qytetit të veriut” preokupohet nga rrethanat socio-politike të cilat marrin primatin dhe rezonojnë në artin e tij, qoftë në prozë, qoftë në poezi. Ja, fjala vjen, një nga episodet dramatike është “Legjenda e misrit” ku përmes një tragjiciteti të theksuar, Migjeni demaskon realitetin e hidhur duke protestuar për jetën e përditshme, të zymtë, të njëtrajtshme; burra, gra e fëmijë kërkojnë misër, sall misër, as hoxhë, as prift… madje as Zot!
Kur e mendon dhe përpiqesh ta përfytyrosh atë kohë reperkusive të ngjethen mishtë; mjafton historia e Lulit të vogël – mëkati i të cilit është varfëria, këpucët e shqyera – për ta pikasur zbehtësinë e fytyrës së Lulit vocërrak që simbolizon një epokë të tërë me ditë të zbehta, të zymta, të turbullta, që përshkohen nga hipokrizia e sistemit feudal-borgjez kundër të cilit do të vihet edhe Migjeni, sikurse Noli apo Çajupi.
Nuancat ekspresioniste që janë evidente në artin migjenian, protesta, klithma e shpirtit, britmat, ironia, sarkazma, humori i zi, nganjëherë duket sikur e përafrojnë edhe me idolin e tij nga fusha e kinematografisë, Çaplinin e madh. Ky i fundit në filmin e famshëm “Jetë qençe” portretizon endacakun që bredh pa dysh në xhep, i injoruar, uritur, i damkosur me vulën e varfanjakut, rrjedhimisht të përbuzurit, që i duhet të rropatet andej-këndej për bukën e gojës sikurse qentë; porsa t’i hedhim një sy “Mollës së ndalueme” të Migjenit, na del përpara një 30-vjeçar i papunë që sorollatet nëpër qytet. “Një tridhjetëvjeçar. I papunë. Qëndron përpara reklamave të kinemas’ – e ditë pune asht! Phe! Iu ba se e thret dikush… Por jo. Askush s’e thret. Askush nuk ka nevojë për puntuer.” Pra, siç shihet, Migjeni s’merret me glorifikime a zbukurime (ornamente artistike), por preokupohet me njeriun e tjetërsuar që gjallon në zgrip të jetës i rrethuar nga absurdi, vuajtja, e fatkeqësia.
S’do mend që Migjeni u ndikua nga letërsia revolucionare ruse me korifenjtë e saj, pastaj nga Kërlezha e nga filozofia nihiliste e Niçes; kështu djaloshi shqiptar brumoset me ide përparimtare, revolucionare, i vendosur kundër borgjezisë dhe sistemeve totalitare (fashizmit) për t’u bërë përjetë tribun i vegjëlisë, i popullit, i të shtypurve në luftën për liri dhe demokraci. Mund ta shohim edhe te skica “Në kishë” se si sarkazma e Migjenit shprehet përmes përqeshjes së klerit e ligjit kur lypësi i ri vjedh pesë-gjashtë lekë dhe futet në kishë, ulet në bankën e fundit duke shpëtuar nga vapa dhe nga polici i shëndoshë që i ishte vënë pas. Lypësi bën një sy gjumë, i lodhur, për ta parë veten më pas të rrethuar nga njerëz që vinë për të dëgjuar oratorin. “Kur padreja filloi t’u kërcnohej atyne që vjedhin, dhe n’atë mënyrë e preku n’intimitet lypsin, ky u çue, duel jashtë, e te dera, mbasi plot mni e nderoi padren, me një të shame, pëshpriti: “Po si do të jetoj unë?… këtë kurrë s’ma the. E unë pra due të jetoj!” Kështu, Migjeni në skicat e fragmentet e tij bëhet kritiku më i zëshëm social dhe artisti më progresist i gjysmës së parë të shekullit XX. Edhe poezia e tij, e mrekullueshme dhe me mendime të thella, përbëhet nga ide përparimtare, universale, ajo ikë nga format tradicionale dhe mëton ta thyejë monotoninë poetike shqipe.
Migjeni mund të themi se është ekspresionisti i parë në letërsinë shqipe. Djaloshi që vihet kundër çdo padrejtësie, shkruan me vrull (ani pse nganjëherë me ndonjë shkarje tek-tuk e me stil të papërsosur) duke u munduar që sa më parë t’i bëjë të ditura këto probleme, t’i transmetojë tek lexuesi këto preokupime intelektuale, sikur ta ndiente se udha krijuese do t’i ndërpritet herët. Arti ekspresionist është art opozicioni, dhe bazamenti i tij përbëhet nga protesta e kritika të ngulitura thellë në realitet. Shkrimtari e kritiku austriak Hermann Bahr në një ese të vitit 1916 shkruante se: “Njeriu kurrë s’ka qenë më i vogël e më i paqetë. Kurrë s’ka munguar kaq shumë gëzimi dhe liria. E ja tek ulërit dëshpërimi: njeriu kërkon duke ulëritur shpirtin e vet; edhe arti ulërit e kërkon ndihmë, thërret shpirtin: është ekspresionizmi”. (Marrë nga “Protesta e ekspresionizmit”, revista Palimpsest). Në këtë linjë, Migjeni, i bie tamburit, thërret shpirtin, skutat më të thella për t’i shkrirë në art gjërat që i sheh e përjeton – prostitutat (aq të ngjashme me vajzat në tablotë e Modiglianit apo Munchit), lypësit, fëmijët, gratë, të varfrit, të zhgënjyerit, ëndërrimtarët… JETËN me gjithë bukurinë dhe shëmtinë që bart…