Nga Besnik Velaj
Nga kohë që s’mbahen mend, deri dhe 100 e ca vjet, qyteti i urtë e i butë i Fierit, që gdhiej e ngrysej në vetminë e tij, sikur druhej nga të huajt, të tregonte historinë e tij. Le të “mburren” qytetarët e tjerë në jug të Fierit, matanë urës së Vjosës me qylafët me antena. Punë e tyre… (P)unë e madhe. Në Fier sundon një qetësi patriotiko-atdhetare, një traditë e mosrrahjes së gjokseve…
Edhe lumi Gjanica rrjedh qetë-qetë, si për t’u bërë një natyrë me njerëzit my(u)zeqarë. Mirpo me rastin e festës së Pavarësimit të Shqipërisë për çdo vit, qeveritarët lokalo-vertikal duhet të gjejnë mënyrën për të njohur rrënjët e traditave, pemën që ushqehet nga rrënjët ku u poqën frutet e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë. Kush ka qenë personaliteti që ka bërë më shumë histori dhe përkrahu Plakun e Urtë të Vlorës, Ismail Bej Qemalin? 100 vjet e më shumë, për ata që duan ta njohin, por nuk e gjetën mënyrën për ta njohur… Çudi si s’patën kohë?! Pse nuk i mësuan të gjitha… të paktën historin intime “sikur thotë njeriu i bustit”!
Më në fund me hap të nxituar, pa prapaktheu, pa dilema të këtij tranzicioni 27 vjeçar euforik, me pamje të jashtme të gëzuar dhe të pjekur në përmbajtje, pas 100 e ca vjetësh, me inisiativën e ish-kryetarit të Bashkisë z.Baftjar Zeqo, ua gëzoi jetën myzeqarëve të qytetit të Fierit, se egziston realisht, jo eksperimentalisht, historiku i ngritjes së Flamurit Kuq e Zi. Si për të “ecur përpara”, siç deklaroi ai dhe të tijët që duartrokisin, vërtet është ecur përpara. Z. Baftiar Zeqo ngriti monomentin e Tonç Kilicës, ish krytar Bashkie që ngriti Flamurin Kombëtar më 29 Nëndor 1912, një ditë pas ngritjes së Flamurit Kuq e Zi nga Ismail Bej Qemali në Vlorë, më 28 Nëndor 1912. Ja ç’shkruhet për atë që pati fatin historik të ngrerë në mes të qytetit të Fierit, Flamurin e Pavarësisë në atë 29 Nëntor të largët të vitit 1912: ”Të Naltës Kryesi të Qeverisë së Përkohshme, Vlorë. Ju bajm me ditë me gëzim, se të mbështetun në vendim të Kuvendit, që na u komunikua nga ana e kryesisë së Beratit, me Hirë të Zotit e ngrem dhe këtu Flamurin Kombëtar. Me nderime dhe Zoti na e pruftë mbarë! Kryetari i Bashkisë Fierit, Tonç Kilica, Fier më 29 Nëndor 1912”.
Qytetarët fierak enden në hapësirën e një gëzimi të shpallur, ku tregohet se aktin patriotiko-atdhetar e ka kryer një zotëri i nderuar, një kryeqytetar, një burrë i shquar, që ka qënë dhe kryetar i bashkisë së Fierit! Pse njerëz të penës (mirë bëjnë që shkruajnë dhe për artistin tragjik Kiu Poron) të mos të shkruajnë historinë e këtyre burrave të shquar dhe të anashkalojnë historinë e heronjve me flamur në dorë?!
Po të pyesësh kush ka qenë Tonç Kilica, historia ka plot fakte. Çudi që askush nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë diçka të dokumentuar, madje deri tek miqtë tanë në televizionin public “Apollonia”! A nuk e dinë historianët, se e pashkruara, e pafilmuara, e paekranizuara merret me vehte, nga ata që e kryen veprën. Ata që e mbanin mend pak e nga pak, a nuk janë tek të shumtit?
Ashtu si statujat Apollonisë së lashtë që flenë nënë tokë së bashku me madhështinë e historisë së tyre, ashtu edhe për figurat e shquara të qytetit të Fierit flenë, përveç Tonç Kilicës janë shumë, presin të zgjohen nga gjumi dhe t’u shkundet pluhuri i harresës. Figura e shquar e kryeqytetarit të parë Tonç Kilica, e njohur së fundi pas 100 e ca vjetësh, apo banorët e nderuar para 100 vjetësh duhen të njihen nga qytetarët e sotëm të Fierit! A duhet popullit t’i humbas historia? Duke shëtitur në vendin ku është ngritur Flamuri i Pavarësisë, në zemër të qytetit, kemi bindjen se Fieri mburret me madhështinë e monomenteve dhe busteve të Apollonisë së lashtë… në ditët e sotme ky qytet i lashtë ngjan me një pjell dështake të atij qyteti të lashtë, kur nuk lidhet kujtesa monomentale me qytetin e sotëm ”të madh dhe hijerëndë”, për ta festuar çdo përvjetor Pavarësie! A nuk e ndigjoni zërin bubullitës të Ismail Bej Qemalit, kur vraponte fushave të Myzeqesë, i shoqëruar nga bijët dhe trimat e tij për në Vlorë dhe thoshte: “Prapa na vjen historia”! Ky kushtrim ka disa vjet që nderon Plakun e Urtë të Vlorës. Ka 100 e ca vjet dhe aty tek cepi i lulishtes së Fierit, ku Tonç Kilica betohet për Flamurin Kuq e Zi të Ismail Bej Qemalit. Aty tek cepi i lulishtes, në zemër të qytetit të Fierit është ngritur dhe një busti, një gjysëm bust me një mbishkrim të thatë: “Tonç Kilica…” Kaq… Pse duhet të enden intelektualët, historianët e shtetit poshtë e vertikalisht, në tunelin e një varfërie historike, për t’u bërë prezent qytetarëve të Fierit treguesit mikroskopikë, që na diktojnë faktet historike të varfëra, për të lartësuar dhe rritur për ditë e më shumë imazhin e njerëzve të ndritur? Ndjenjat patriotike të së tashmes, të së ardhmes, duhen forcuar, duke sfiduar thellimin e hendekut social kombëtar, deri në rritjen e vlerave atdhetare. Përpiqemi të rrokim me imagjinatë madhështinë e këtij burri të shquar myzeqar, dhe me aq bust nuk mundemi. Përpiqemi të harmonizojmë madhështinë e aktit solemn të ngritjes së Flamurit Kuq e Zi të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, me madhështinë e burrit që e kreu këtë akt madhor në Fier dhe nuk na harmonizohet gjëkundi?! Harmonia ka një zgjidhje. Të mendohesh deri sa e zgjodhën Kryetar bashkie-kryeqytetar, duhet të ketë qenë i mençur dhe nga një familje e sojme. Me gjithë trumbetimet e hamendjeve, në podiumet e radhës së politikës së kohës, sipas të cilave atributet vlejnë si në kontekstin e mësipërm, rritja e personalitetit të Tonç Kilicës plotësohet nga veprimtaria e tij atdhetaro-patriotike. E vërteta është se, tash 100 e ca vjet ai vërtitet i gjallë në llogoret e zemrës së Pavarësisë Kombëtare. Duhet ta lartësojmë sot në Piedestal! Kur karvani i delegatëve me në krye Ismail Bej Qemalin vazhdonte rrugën në të hyrë të Lushnjes, midis shumë të tjerëve që i uruan mirseardhjen, ishin Tonç Kilica dhe Kareman Beu. Meqënëse administrate turke në këto zona ishte dobësuar shumë, nuk ishte në gjendje të siguronte udhëtimin e patriotëve. Midis të shumtve, të dy patriotët me njerëzit e tyre u kujdesën për sigurimin e jetës së Ismail Bej Qemalit. Sipas urdhërit të Esat Pash Janinës, komandanti ushtarak i Vilajetit të Janinës, Plaku i Urtë i Vlorës ishte në rrezik të arresohej nga forcat ushtarake lokale turke. Nënprefekti i Lushnjes Emanuel Efendiu dhe ata të dy lajmëruan patriotët myzeqarë për rrezikun e arrestimit. Në bunkerin e errët të forcave ushtarake lokale nuk u duk as një tytë pushke për hakmarrje. Ky ishte dhe si efekt i kërcënimit të patriotëve myzeqarë për komandatin e forcave ndjekëse. Patriotët dhe atdhetarët u treguan të vendosur ta mbronin me gjak Ismail Bej Qemalin dhe me ndihmën e tyre ishte grumbulluar në Çermë një fuqi shqiptare e madhe. Esat Pash Janina u detyrua që të mos donte përgjegjësinë e një lufte të armatosur shqiptaro-turke, kur Perandoria Osmane ishte në luftë. Ai njoftoi autoritetet në Lushnje, që Ismail Bej Qemali ta prisnin mirë, ta lajmëronin arritjen e tij në çdo vend. Tonç Kilicën e bëri për vete shembulli i Ismail Bej Qemalit dhe gjithë patriotëve të tjerë që e shoqëronin. Ja si i përshkruajnë ata momentet e vështira që kaluan: “Për të vënë re ishte guximi, kurajua, fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e Plakut Ismail Bej Qemali, i cili shkonte gjithmonë përpara. Patriotizmi shembëllor, guximi i punës së shenjtë që kishte nisur e mbushte me kurajë, që të merrte udhën e gjatë. Duke parë guximin e Plakut të shtrenjtë na forcohej dhe ne zemra, që të kapërxenim gjithë ato rreziqe (K.N). Para shëmbullit 100 e ca vjet të Tonç Kilicës kanë marr jetë dhe veprimet patriotiko-atdhetare të tjerë myzeqarëve më vonë. Ai është një shembull publik nga aseti i zgjedhur i pasurisë sonë kombëtare, siç ndodh në vendin e shqiponjave”.
Po me aq bust nuk nuk arrijmë të kuptojmë madhështinë e një “gjysmë burri”. A thua se kanë frikë të tregojnë pjesën tjetër të madhështisë. Duket si i ardhur aty nga një mëngjes dimri me brymë dhe i ngurosur pa dëshirën e tij. I shprehim këto mendime njeri-tjetrit: “E po kushton një djall e gjysëm bronxi… E sheh? E kanë derdhur në Bronx”. Po pse, sikur t’u kish shkuar në mend ta bënin prej argjendi do ta kishin bërë bustin sa një ftua, se argjendi kushton ca më shumë. Është valutë de…”! Tonç Kilica me gjithë parinë e Fierit po e shoqëronte me besnikëri karvanin e kryesuar nga Ismail Bej Qemali, nga Lushnja për në Fier. Mbi pirgje realitetesh, gëzimesh, sinqeritetesh, të një sistemi të ri qeverisjesh, pas 500 vjetësh, do të ndërtonin shtetin e ri shqiptar. Ishte një rrugë e nisur nga nuk mund ktheheshin më prapa… nga e kaluara 500 vjeçare, kishin mbetur gjymtyrët e davaritura të ish-Perandorisë Turke. Para, në shtegun e drejtë të së ardhmes shkëlqente perspektiva e krijimit të shtetit shqiptar.
Doli nga ëndrrat e bukura, i foli ma butësi kalit besnik, për të nxituar më shumë dhe u fut midis luftëtarve lushnjarë të armatosur. Duke udhëtuar për në Libofshë, karvani ndeshi në forca të shumta osmane,të cilat nuk kishin marrë djeni mbi urdhërin e fundit të Esat Pash Janinës. Se si u zhvillua ballafaqimi na e përshkruan në kujtimet e veta, njeri nga pjesëmarrësit e këtij udhëtimi, Qemal Karaosmani, shok i Tonç Kilicës: “Neve që ishim të armatosur, shkruante ai (K.N), ca e nga ca e kaluam lumin e dolëm matanë. Kur dolëm në buzë të lumit, matanë pamë prej anës që ishte Ismail Bej Qemali me delegatët, se në buzën e malit dolën 20 xhandarë e po vinin drejtë Ismail Beut. Atëherë e kuptuam se bëmë një gabim trashanik, nuk kaluam herën e parë Ismail Benë dhe pastaj të kalonim neve dhe na erdhi ndërmend që me të vërtet që telegrami erdhi në fund, pasi kish qënë dinakëri dhe u bindëm që po vinin për të na kapur neve. Po vritshim veten, që nuk lamë njeri me armë. M.q.s lundrat tona akoma nuk ishin nisur, me të shpejtë disa prej nesh u hodhën përsëri në lundrat dhe u nisëm për të vajtur tek Ismail Bej Qemali, por sa të venim ne, puna do të ishte mbarue. Ne sa arritëm në mes të lumit, xhandarët ia mbritën tek Ismail Beu. Po shikonim vallë çdo të bëhet? Kur pamë ne, që të gjithë xhandarët i bënë respektime dhe i puthën dorën Plakut, atëhere na u qetësua zemra edhe u kthyem prapë në këtë anë dhe dërguam lundrat që tq merrnim Ismail Bej Qemalin me shokët”.
Në Fier karvani u bashkua me delegatët e Kosovës, të cilët në bazë të ftesës telegrafike që u kishte dërguar vet Ismail Bej Qemali kur ishte në Trieste, qenë nisur me nxitim për të marr pjesë në kuvend. Por këto veprime të Ismail Bej Qemalit kërkonte t’i kundërshtonte Komandanti i Koorparmatës së Janinës, Esat Pash Janina, i cili me anë të një telegram vinte në dijeni kryekomandandin e ushtrisë perandorake osmane, se për shkak të gjendjes së shtetrrethimit ”…U a kemi kumtuar shqiptarëve se, duhet të heqin dorë nga mbajtja e kuvendit që ata kanë në plan…”. Por as këtë radhë patriotët nuk u tërhoqën. Ata vazhdonin rrugën drejt Vjosës, për në Vlorë. Dihet se Tonç Kilica e çoi deri në fund misionin, që kishte marr përsipër, duke ngritur Flamurin e Pavarësisë në Fier më 29 Nëntor 1912. Shtegu i tranzicionit 100 e ca vjeçar ishte i gjatë, shumë i gjatë dhe më i vështiri për t’i dhënë vendin e merituar ringjalljes së Tonç Kilicës. Por populli, intelektualët, elita e qytetit të Fierit e dinin se ç’vlerë kishte ai që ngriti Flamurin Kuq e Zi të Pavarësisë… përveç, ata të udhëheqjes lartë e poshtë, aq sa, edhe sot pas 27 vjetësh nuk duket në horizontin e demokracisë Kodi i Respekteve për 100 e ca vjet, për Tonç Kilicën. Të bënin të paktën bustin e tij prej shkëmbi gëlqeror, ta bënin të madh, në mos sa busti I Ismail Bej Qemalit në Vlorë, të paktën ca më të vogël. Dhe kur të shkonte populli, të afërmit ta shikonin madhështor e të lartë e do të thoshnin: “Aferim! Ky ka ngritur Flamurin Kuq e Zi të Pavarsisë”! Se vërtet ngritja e Flamurit në Vlorë ish një gjëmim që e ndjeu gjithë Shqipëria, por para se ta ndjente gjëmimin e math të 28 Nëndorit 1912, Shqipëria ndjeu gjëmimet e ngritjes së Flamurit Kuq e Zi, në gjithë qytetet që banoheshin nga shqiptarët në Shqipërinë Natyrale.
Në odën e burrave të shquar të Fierit, në krye e ka vendin pikërisht kryetari parë i Fierit të Pavarur, kryeqytetari i parë, Tonç Kilica, pastaj të tjerët kryetarë! Po të tjerët,cilët janë vallë… ku të pyesim, se në muze nuk ka të dhëna? ”Oda myzeqare” e historisë së qytetit të Fierit ka shumë vende bosh dhe “I zoti i dasmës” ende nuk po e bënë detyrën për t’i ftuar, për të zënë vendet. Është për t’u lavdëruar përpjekja e ish-Kryetarit të Bashkisë, z. Baftiar Zeqo, këshillit bashkiak apo komisionit që merret me figurat në bashki, por nisur nga dëshira që punët të bëhen më mirë, iu futëm punës të hedhim në letër përshtypjet që na ngacmuan, para figurës së madhe të Tonç Kilicës. Vërtet më parë nuk kishtë buste apo ishin të rrallë. Gjykojmë që ngritja e bustit të Tonç Kilicës nuk është brenda Kodit të Respekteve. Ka kohë, por kanë ardhur dhe kohë të reja, që sheshet e rrugët e qytetit të Fierit e ndjejnë mungesën e hijeshisë së burrave që kanë bërë historinë e qytetit. Apo jo, z. Nuri Plaku që keni shkruar hijshëm për Marinën (Marien), Nënën e Jezu Krishtit?! Politika Kombëtare duhet të nderojë “Kodet e Respekteve”. Në demokraci, bustet dhe përmendoret marrin frymë si ne të gjallët, janë arti që na duhet. Në këtë kuadër Fieri, edhe pse asokohe një qytet i ri me rritje 100 e ca vjeçare, krijuar nga Vrionasit me dashuri (ata vetë e kanë origjinën nga Frakulla e Fierit), e ka të nevojshme ngritjen e Flamurit Kuq e Zi nga Tonç Kilica dhe patriotët e tjerë sot e për çdo vit kanë gjëmimet e veta.