Poeti nga Sheper të Zagorisë solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare
Veprat e tij njihen gjerësisht pasi janë ngjitur në skenat teatrore dhe janë ekranizuar në film. Ishte poet, dramaturg, patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Andon Zako, i njohur me emrin e tij letrar Çajupi, u lind më 27 mars 1866 – dhe u nda nga jeta në 11 korrik 1930….
Jeta e poetit
U lind në Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani i cili punonte në Kavallë dhe Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar Çajupi marrë nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë, mori mësimet fillore në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioj frëngjisht për pesë vjet ne liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë, në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vjet në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Vdekja e Eugjenisë në vitin 1892, ishte për të qe humbje tragjike.
U kthye në Egjipt ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare, duke u bërë një ndër figurat qendrore të kolonisë shqiptare në atë vend. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Karriera juridike mori fund për shkak të një gabimi strategjik që bëri duke mbrojtur një shoqëri franceze kundër interesave të princit të Egjiptit, më pas iu përkushtua letërsisë. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adoptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqëve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
Vepra
Shkrimi i parë që njihet është artikulli “Duke kërkuar një alfabet”, botuar në revistën “Shqipëria” në Bukuresht. Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi punën letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratike dhe fryma popullore në brendi dhe në formë, Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Përrallë nga e kaluara”. Vjersha e gjatë “Baba Tomori”, me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si “Mëmëdheu”, “Ç’jemi? … Ku kemi lerë?”, “Vaj” etj, në të cilat vihet re brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në një varg poezish kumbon me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj.). Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat “Sulltani”, “Punërat e Perëndisë”, “Greku dhe Shqiptari”. Në një sërë vjershash poeti flet për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.,. i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën “Krejt Hajvan”, që mbeti si dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa.
Dramaturgjia
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: “Përralle nga e kaluara” dhe “Pas vdekjes” (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në komedinë e parë, autori vë në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e jep me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. “Pas vdekjes”, është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkruan me sarkazëm dërrmues portretin e politikanit që bën lojën e Xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut”, botuar më 1937.
Përkthimet
Andon Zako Çajuopi njihet edhe për përkthimet e tij. Përktheu dhe botoi në shqip 113 fabula të La Fontenit. Në vitin 1922 botoi një përmbledhje poezish sanskrite, “Lule të Hindit”.