Nga Sebi Alla
Në dukje PD si godinë të ofron disi relaks me ngjyrën e kaltër. Për shumë vite, nën drejtimin e Lulzim Bashës, zhurmat më të mëdha bëheshin nga harabelët dhe kumriet nëpër selvi dhe poshtë në kafenenë e partisë ndiheshin gjallë teksa trokitesh ndonjë gotë qelqi gjysmë e mbushur me raki thane apo wisky. Sot situata ka ndryshuar, pasi përtej fasadës fshiheshin dyert e blinduara që vetëm krahët e fortë të katër burrave mund t’i lëviznin nga vendi. “Erdhi Bashkimi” – thanë disa personazhe të PD-së. Ashtu përtueshëm dhe mjaft i lodhur Bashkimit iu desh një kohë e gjatë për të kaluar oborrin, më pas të ngjiste shkallët dhe sapo hyri në derën e çliruar nga blindimi, ai ra përdhe pa ndjenja. Tund e shkund, thirri në emër Bashkim, Bashkim, Bashkim çohu, por ai nuk lëvizte. Doktor Berisha ka fituar instiktet e politikanit, por nuk ka humbur ato të mjekut. I dha ndihmën e parë, bëri çmos ta sillte në jetë, ose iu duk sikur bëri çmos, ai Bashkimi që ka ndërruar disa emra që nga viti 1991, nuk ja doli. Vdiq! Po po, vdiq por po mbahet i “fshehur” si rast. Thonë se krizën më të madhe kardiake një paraifrakt të rëndë e kaloi më 8 janar. Bashkimin e gjetën me një këmbë jashtë godinës dhe me një tjetër brenda. Ata që ishin jashtë nisën ta shtynin për ta futur brenda, ata që ishin brenda e shtynin për ta nxjerrë jashtë. “Jam Bashkimi juaj, ç’po bëni kështu, më mbytët”- tha ai dhe pasi hëngri tymin e fikëses së zjarrit nga brenda dhe gazin lotsjellës nga jashtë, Bashkimit i ra paraifrakti. E lanë aty, edhe Berisha që “shpëtoi kokën” e vet edhe Basha që shihte nga dritarja e katit të dytë të godinës. E kaloi me vështirësi 8 janarin, por ai vdiq ditën kur emrin po ia përmendin edhe më shumë. Është Bashkimi që po bërtasin të gjithë demokratët, Berishistë apo Bashistë, paçka se ky i fundit ende nuk e ka fituar “statusin” të thërritet në mbiemrin e fenomenit.
Në fillim emrin e kishte Shpëtim, në vitin 1992, pak më vonë e ndryshoi në Gazep, duke u mësuar me ndryshim emrash në vite të ndryshme, në: Fitim, Dyzen, Vegim dhe “vdiq” sapo mori emrin e ri Bashkim.
Eh mor Baç, baca të deshi!
I duhet ky emër Partisë Demokratike. Nëpërmjet Bashkimit kërkon të mbledhë të madh e të vogël që ka dhënë ndihmesën në PD, paçka se sot janë shpërndarë si zogjtë e korbit dhe “klloçka” e vjetër po mundohet t’i afrojë edhe një herë. Vetë Berisha po zbut inatin duke u futur në lojën që di ta nisë dhe bitisë mirë. Për momentin i nevojitet bashkimi i çdo fryme, force dhe delli opozitar. Shembujt janë ashiqare, xhaketa e vjetër prej teritali dhe pardesyja gri e viteve 90’ është varur në garderobën e PD-së. Berisha nuk e quan më Lulzim Brava, por deputeti Basha. Fitoren e 6 marsit ai nuk e shprehu me revansh, duke futur në lojë rolin e përulësisë sepse i duhet Bashkimi… Për enturazhin e politikanëve që u ngrysën qytetar të thjesht dhe u gdhinë deputetë me ndikimin e Bashës, morali politik nuk vlen, para interesit personal. Berisha i do këta syresh sepse pasi t’i përdorë e ka të lehtë t’i degdisë kur të mos i duhen. Ai asgjë nuk harron, sidomos ditën kur e përjashtuan nga partia që rriti vetë dhe e linçuan aq shumë sa u bënë edhe më “amerikanë” se vetë amerikanët, teksa i kujtonin shpesh çështjen “non grata”. Sot ata nuk duan Berishën, por forcën e Berishës, duke bërë rolin e të penduarve dhe mbajtur radhën për të qenë sërish në sytë e doktorit që nuk po tregon se “Bashkimi ka vdekur”. Fjalorthi i disa deputetëve të PD-së është mjaft i cunguar këto kohë sa në çdo fjali përmendin Bashkimin, të cilën shkurtimisht e me përkedheli mund ta quajnë edhe “Baçi ynë”. Ah sa shumë të deshi tani baca Berishë o Baç… Të pati harruar, të kujtoi kur iu deshe, “vdiqe” kur nuk duhej.
Jeta dhe “veprat” e Bashkimit
Bashkimi ishte 31 vjeç, lindi më 12 dhjetor 1990. Nëna qe një grua pjellore, pa emër, ndërsa baballarët janë shumë dhe nuk dihet se kush ngjizi. Disa thonë se ishte një “orgji burrash” komunistë safi, që jetonin me idealet e së shkuarës dhe një grupim tjetër po komunistë, të cilët përthithën idetë e reja, por pa prerë rrënjët nga ushqehej komunizmi. Më 22 mars 1992, u rrite si Shpëtim, duke dhënë shenjë se demokracia, tregu i lirë dhe hapja e madhe do të zhvillonin vendin. Disa ndryshime dhanë efekt për mirë, por Shpëtimi në “duart” e Berishës ndryshoi shpejt “emrin”. Në vitin 1996 batërdi me votat, Shpëtimi u “thirr” në PD dhe ia ndryshuan emrin në Gazep. Dhunë mbi opozitën, terror mbi median e lirë, rrjepje të xhepave të qytetarëve me skemat piramidale dhe sado që Gazepi ushtronte dhunë, nuk ia doli të mbante nën fre një popull të revoltuar. Thuajse shkatërrim i përgjithshëm i PD-së me zjarrin që ndezi jashtë u dogj vetë brenda. Iu deshën tetë vite, 1997-2005 që Gazepi të vetëquhej herë Patriot, herë Virtyt e herë Shpresim… Në fund ia arriti të ndrysonte emrin në vitin 2005, ku vetë doktori do e quante Fitim. Për katër vite se ndryshoi atë emër, por era frynte edhe në kampin opozitar, ndaj Berisha nuk rrezikoi. Thirri edhe një herë Fitimin dhe i tha se tashmë do quhesh Dyzen… PD dhe LSI ndanë sinoret, jep një copë këtu e merr një atje, Dyzen hesapi për katër vjet. LSI u nginj mirë, PD-ja u tkurr edhe pse hante bejagi. Ishte koha për të lënë pushtetin dhe LSI-ja nuhati erën e ngjalës së pjekur që qe shtruar në sofrën e PS-së. Ha e nda, merr e ik… Lëng goja në kampin tjetër në PD. Aty thuhej se po bësheshin ndryshime të mëdha kur Lulzim Basha fitoi me akt dhurimi partinë nga Berisha. E thirrën edhe një herë Fitim-Dyzenin e mpakur. Emrin do ta ndryshosh i thanë, tani e tutje do quhesh Vegim. Ai nuk bzani për tetë vjet, këtë herë emrin ia vendosi Basha bashkë me Berishën. Ku e dinte ai i shkreti se një ditë kumbarët do grindeshin aq shumë, sa nga 9 shtatori 2021 kur Berisha u përjashtua nga Basha, deri më 6 Mars 2022 kur Berisha mposhti Bashën, të mbeste pa emër fare… Shpejt ndryshoi moti, e thirrën përsëri dhe sapo i thanë se do të quhej Bashkim, ai vdiq.
Shënim: Bashkimi nuk është emër individi. Është koncepti i bashkimit të ideve, qëllimit dhe grupimit njerëzor, në këtë rast brenda PD-së.