Zhak Shirak, Presidenti më proshqiptar në historinë e Francës. Meriton një shtatore gjigande në Tiranë dhe Prishtinë. Ja 7 arsyet.  

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor HOXHA – Paris

 

…Presidenti i shquar francez, Zhak Chira (Zhak Shirak, 1932-2019) nuk jeton. Ka tre vite që  ndodhet në parajsë. U shua paqësisht pranë familjes së tij në mëngjesin e 26 shtatorit të 2019-ës në moshën 86-vjeçare. Sa më shumë largon vdekja e tij, aq më i dashur dhe më i pavdekshëm bëhet për shqiptarët dhe francezet. Ai ishte Presidenti më proshqiptar në historinë e Francës dhe Presidenti më i preferuar për francezët. Anketat në Francë e radhisin si Presidentin më popullor pas Presidentit, Charles de Gaulle (Sharl de Gol). Ai ka qenë dy herë President i Francës (17 maj 1995 -16 maj 2007), dy herë Kryeministër (27 maj 1974 -25 gusht 1976, 20 mars 1986 -10 maj 1998), disa herë Ministër në ministri të ndryshme dhe Kryetar i Bashkisë së Parisit për 18 vite me radhë (20 mars 1977 – 16 maj 1995).

Shirak i deshi dhe i ndihmoi shumë shqiptarët kur ata kishin shumë nevojë për ndihmën e tij dhe të Francës. Gjatë 30 viteve në postet më të larta në shtetin francez, ai mori vendime shumë të rëndësishme për shqiptarët. Ai do të kujtohet përjetë nga kombi shqiptar për këto shtatë vendime që mori në interes të Shqipërisë dhe Kosovës.

1.Për nënshkrimin e dekretit për t’i dhënë një sheshi të madh në Paris emrin e Heroit tonë Kombëtar.

2.Për përkrahjen ndaj forcave antikomuniste dhe demokratike shqiptare.

3.Për binjakëzimin e Bashkisë së Tiranës me Bashkitë e Francës.

4.Për dënimin e genocidit serb në Kosovë.

5.Për organizimin e Konferencës së Rambujesë (6 shkurt-23 shkurt 1999-22 mars 1999).

6.Për rreshtimin e Francës në forcat e NATO-s gjatë bombardimit të Serbisë (24 mars -6 qershor 1999).

7.Për pritjen dhe akomodimin e mijra azilantëve kosovarë në Francë gjatë Luftës në Kosovë dhe për ngritjen e 5 kampeve në Shqipëri.

 

LINJA PROSHQIPTARE DHE MIQËSIA 30 VJEÇARE E SHIRAK ME SHQIPTARËT

Miqësia e Shirak me shqiptarët dhe linja e tij proshqiptare është shumë e hershme. Ajo daton që në vitin 1977 kur u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Parisit. Shqiptarët e Parisit e votuan masivisht, kështu që pa mbushur asnjë vit në krye të Bashkisë, ai vendosi që t’i vërë emrin e Heroit tonë Kombëtar një sheshi të madh në Paris duke plotësuar një kërkesë të shqiptarëve në këtë qytet. Më 10 korrik 1978, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai mblodhi Këshillin Bashkiak, i cili vendosi që sheshi “Villa Lumier” (AZ/19) të quhej “Palace Scanderbeg” duke lartësuar kështu emrin e Heroit të madh shqiptar në kryeqendrën evropiane e botërore. Pas këtij vendimi, shqiptarët i dhuruan një Medalje Ari me simbole shqiptare. Medalja i’u dha me një ceremoni madhështore në Paris ku morën pjesë personalitete nga e gjithë mërgata shqiptare. Ceremonia zyrtare e përurimit të “Palace Scanderbeg” u zhvillua me 6 dhe 7 maj 1980 ku morën pjesë personalitete të shumta shqiptare nga e gjithë bota. Mungoi vetëm ambasadori i Shqipërisë në Paris, i cili nuk mund të shkonte për shkaqe politike, “Diplomacia shqiptare e asaj kohe ka bërë një nga turpet më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar”, shkruan shkrimtari i madh shqiptar me banim në Paris, Ismail Kadare. Vendimi i Shirak për emërimin e Sheshit Skënderbe me kërkesë nga diaspora antikomuniste shqiptare e Parisit, e kryesuar nga Lec Shllaku (ish kryeredaktor i revistës “Koha e Jonë” në Paris), Skënder Zogu (nipi i Mbretit Zog) dhe nga disa kundërshtarë të regjimit komunist shqiptar, shkaktoi një tërmet politik në Tiranën komuniste. Përshkak se nismëtarët ishin armiqtë e saj më të betuar, Qeveria shqiptare i kërkoi Qeverisë Franceze anullimin e këtij vendimi duke kërcënuar me ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike. “Siç një diplomat i lartë francez, dëshmitar i kësaj ngjarjeje, më ka treguar, për hir të së vërtetës Ministria e Jashtme e Francës, e cila, si të gjitha diplomacitë, nuk e donte sherrin me një shtet tjetër, bëri shumë presion mbi udhëheqjen e Bashkisë së Parisit me qëllim për ta rrëzuar një nismë të tillë, por kryetari i saj, Zhak Chirac, nuk u thye”, shkruan ish ministri i Jashtëm dhe ambasador i Shqipërisë në Paris, Besnik Mustafaj.

Përkrahjen ndaj forcave demokratike shqiptare, Shirak nuk e ndërpreu asnjëherë. Ai është ndër të parët personalitete të larta politike europiane, që në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Parisit priti në 1991 n Paris përfaqësuesit e opozitës shqiptare.

Pas rrëzimit të regjimit komunist dhe triumfit të forcave demokratike në Shqipëri, Shirak dha një kontribut të madh në binjakëzimin e Bashkisë së Parisit dhe të Marsejës me Bashkinë e Tiranës. Ai është Kryebashkiaku i parë i Parisit që priti në 1991 një delegacion nga Bashkia e Tiranës. Si President i Shoqatës Ndërkombëtare të Kryetarëve të Bashkive dhe Liderëve të Kryeqyteteve dhe Metropoleve Pjesërisht ose Plotësisht Frankofone (AIMF, 1 maj 1979), ai propozoi që lidhjen e parë me qytetet franceze, Tirana ta vendoste me Marsejën për të hapur rrugën e anëtarësimit të Tiranës edhe në Organizatën e Qyteteve të Mesdheut. Ai pati një rol të madh në anëtarësimimin e Tiranës në Shoqatën Botërore të Qyteteve Frankofone. Kontaktet me Bashkinë e Tiranës nuk i ndërpreu as gjatë periudhës si President i Francës. Në qershor 2000 ai priti në Pallatin Elize një delegacion nga Bashkia e Tiranës që merrte pjesë në Asamblenë Botërore të Qyteteve Frankofone. Ky delegacion kryesohej nga nënkryetari Buron Kaceli. Gjatë bisedës, Shirak u thotë: “Në Paris ka mjaftë shqiptarë, besoj dhe nga Tirana. Me një përfaqësi të tyre kam bashkëpunuar për t’i vënë një sheshi emrin “Skënderbej”.

 

KONTRIBUTI I SHIRAK PËR LIRINË DHE PAVARËSINË E KOSOVËS

Shirak dhe një kontribut të madh edhe në çlirimin e Kosovës nga Serbia. Linjën pro kauzës kosovare, ai e shfaqi që kur ishte Kryetar i Bashkisë së Parisit. Më 1994 priti në zyrën e tij, liderin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, duke qenë ndër personalitetet më të larta politike evropiane që pret njeriun që kishte nisur që më 1990 Revolucionin Gandian për Pavarësinë e Kosovës. “Kjo pritje ngjalli kundërshti të forta nga diplomacia serbe. Për më tepër, kjo ndodhte në një kohë kur Presidenti i Francës, François Mitterand priste me nderime protokollare Presidentin e Serbisë Sllobodan Millosheviç. Pak muaj më vonë, kur do të hynte në fushatën presidenciale, të cilën do ta fitonte edhe për fatin e mirë të Kosovës, ai do të theksonte në programin e tij se “Kosova do të jetë vija e kuqe, të cilën Serbia nuk duhet ta shkelë”, -shkruan ish kryediplomati shqiptar, Besnik Mustafaj.

Presidentin Rugova, Shirak do ta pres edhe më 13 qershor 1998 kur Lufta në Kosovës kishte marrë përmasa tragjike me mijra kosovarë të shpërngulur nga ushtria dhe forcat militare serbe. Këtë here, ai do ta pres në Palais de l’Elysée si President i Francës dhe do t’i japë mbështetje të madhe kauzës kosovare. Pas takimit, Shirak bëri para gazetarëve deklaratën që nuk e kishte bërë gjerë atëherë asnjë President në Francë apo nga vendet e tjera. Në lidhje me këtë takim, gazetarja e njohur në Paris, Klara Buda në artikullin e saj me titull “Takimi i parë me Ibrahim Rugovën dhe deklarata e presidentit Shirak” (klarabudapost.com, 6 gusht, 2017) ndër të tjera shkruan: “Pas shumë përpjekjesh, më 13 qershor 1998, presidenti Chirac e priti Dr. Rugovën në Palais de l’Elysée. Republika e Kosovës, megjithëse legjitime, ishte në atë kohë e panjohur nga Franca. Presidenti Chirac nuk mund ta priste Presidentin Rugova në titullin e Presidentit. Për ta bërë këtë ai, më parë, duhej të njihte Republikën e Kosovës. Kur presidentët dolën në oborrin e Elizesë duke njohur protokollin dhe vendosjen e presidentëve, qëndrova afër vendit ku do të vinte Presidenti Zhak Chirac. E shkela protokollin dhe e pyeta Presidentin francez, pothuaj si lutje, mbi pozicionin e Francës. Ai u përgjigj: “Sot në Kosovë ne jemi në një situatë afërsisht të të njëjtës natyrë si dikur në Bosnje. Gjithsejcili e sheh mirë që ka një nderhyrje brutale nga ana e Serbëve që shkakton eksodin e kosovarëve, që shkakton konfliktet, të vrarët, se egziston në realitet një vullnet i pastrimit etnik, që po përsëritet. Kjo gjë është e papranueshme dhe duhet të marrë fund. Nëse kjo do të vazhdonte, do të kishte rrezik të madh, pasi konflikti do të përhapej në ansamblin ballkanik. Në këto kushte Franca ka një pozicion të thjeshtë: duhet të përdoren gjithë mjetet duke përfshirë dhe ato ushtarake, për të vendosur paqen. Vendimet e para të NATO-os u morrën në këtë frymë, që përkon me pozicionin Francez dhe me domosdoshmërinë. Ne dëshirojmë që aksionet eventuale ushtarake të miratohen në unanimitet, në gjirin e grupit të kontaktit dhe mendoj se kjo është e mundur. Ne e mbështetëm menjëherë rezolutën që kërkon autorizimin e Këshillit të Sigurimit për të reaguar në mënyrë ushtarake nëse del nevoja dhe urojmë që vendimet të merren në gjirin e Këshillit të Sigurimit. Këtë të djelë do të bëhen veprimet e para, të hënën do të zhvillohen bisedimet midis Eltsinit dhe Milosheviçit, dhe shpresoj se do të arrijmë ndalimin agresionit të Serbëve në Kosovë, në të kundërt do të përdoren të gjitha mjetet duke perfshirë dhe ato ushtarake.” Presidentit Rugova i ndriçonin sytë. Duke u larguar, ai përsëriti shprehjen e tij origjinale, tashme të zakonshme:  “L’independance pour Kosova” (Pamvarësi për Kosovën).

Lexo edhe :  19 dhjetor 1918, u mbajt Kongresi i Tiranës me në krye Abdi Toptanin

“Zhak Chirac do ta mbante premtimin që i kishte dhënë Ibrahim Rugovës. Pak muaj më vonë, kur NATO do të ndërmerrte bombardimet mbi Serbi, Franca do të ishte vendi i dytë, pas ShBA, me numrin e avionëve që do të merrnin pjesë në operacione, megjithëse prej afro 25 vjetësh Franca nuk ishte anëtare e strukturave ushtarake të NATO-s. Presidenti Chirac theu me këtë rast një vendim të marrë nga ati i tij shpirtëror e politik, De Gaulle, për të mos u përfshirë në operacionet ushtarake të NATO-s. Nuk ishte një hap i lehtë për t’u hedhur nga ana e Presidentit Chirac. Serbët e përjetuan si varrosje të miqësisë tradicionale serbo-franceze. Televizionet e mbarë botës e treguan monumentin simbol të kësaj miqësie në Beograd të mbështjellë me beze të zezë si me qefin”, -shkruan ish kryediplomati shqiptar, Besnik Mustafaj në artikullin “Lamtumirë President Chirac” (Telegrafi, 28.09.2019).

Pas Maskarës së Raçak-ut (15 janar 1999) ku u vranë 45 civilë kosovarë nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe, Chirac e vuri Francën në vijën e parë të diplomacisë evropiane dhe perëndimore. Për të gjetur një zgjidhje për Kosovën,  u organizua në Marsejë tw Francës nga Grupi i Kontaktit një Konferencë ndërkombëtare (6 shkurt 1999- mars 1999), e cila u mbajt në Kështjellën e Rambouillet (6 shkurt 1999- mars 1999). Me cilësinë e mikpritësit, në çelje të Konferencës, Presidenti Chirac mbajti një fjalim të paharruar dhe paralajmëroi qëndrimin e Francës në rast se Serbia nuk do pranonte zgjidhjen paqësore. Ai u kujdes vazhdimisht që palët në konflikt të nënshkruanin sa më shpejt një marrëveshjeje paqeje duke u thënë: “Paqja është në duart tuaja dhe bota pret për një zgjidhje”.

Delegacioni i Kosovës e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë, por u refuzua nga delegacioni serb duke i hapur rrugë bombardimit të Serbisë nga NATO më 24 mars 1999, ku Franca ishte ndër shtetet kryesore në këtë intervenim ushtarak. Ajo zinte vendin e dytë pas SHBA-së për numrin e avionëve, si dhe dërgoi me dhjetra luftë-anije në rajon, përfshirë edhe një aeroplanmbajtëse. Vendimin për të bombarduar Serbinë, Shirak ia transmetoi kombit francez gjatë një fjalimi televiziv më 24 mars 1999 ku ndër të tjera tha: “Franca po merr pjesë në sulmet ajrore të NATO-s sepse Serbia ka demonstruar sjellje të papranueshme për shumë kohë në lidhje me shqiptarët e Kosovës. Unë e di se populli francez do të kuptojë që ne duhej të vepronim. Para pengesave të pajustifikuara dhe të pakuptueshme të Presidentit Millosheviç, aleatët ranë dakord njëzëri se nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të ndërhynin ushtarakisht kundër objektivave të synuara serbe”. Ky vendim i Shirak u mbështet nga 75% e francezëve. Bombardimet vazhduan deri më 6 qershor 1999 kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që mundësoi  tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Ndonëse Shirak i tha pa asnjë hezitim “PO bombardimit të Serbisë”, 5 vite më pas, u tha JO amerikanëve dhe NATOS për bombardimin e Irakut të Sadam Hyseinit, duke thyer aleancën shumëvjeçare me SHBA-në. Rreshtimi i Francës përkrah NATO-s në bombardimin e Serbisë në mbrojtje të kosovarëve dëshmon për një ndryshim radikal të kursit tradicional të politikës franceze nën presidencën e Shirak.

Mbështetjen dhe përkrahjen për kombin kosovar dhe për kauzën kosovare, Shirak e dëshmoi edhe në letërpërgjigjen që i dërgoi shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare. Më 26 gusht 1998, Kadare i shkruan një letër Presidentit Shirak ku i kërkon që të shpëtojë kombin kosovar nga gjenocidi serb. Më 9 shtator 1998, Shirak i i përgjigjet kështu Kadaresë: “…Qysh në fillim të kësaj krize, unë kam mobilizuar të gjitha mjetet e aksionit francez. Në planin diplomatik, në radhë të parë, sepse nuk mund të ketë zgjidhje globale e të vijueshme, pa një marrëveshje politike. Këtu është fjala për të përcaktuar një status të një autonomie shumë të gjerë, duke respektuar kufijtë ndërkombëtarë. /…/ Por, nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për t‘i bërë armët të heshtin. Atëherë, Franca do t’i kërkonte Këshillit të Sigurimit t’i jepte të drejtë NATO-s, për të ndërhyrë me të gjitha mjetet e nevojshme. /…/ Unë, personalisht, jam angazhuar për të mobilizuar Komunitetin ndërkombëtar. Për këtë, i kam telefonuar partnerëve tanë të Grupit të Kontaktit, Presidentit Clinton, Presidentit Jelcin, Kancelarit Kohl, Kryeministrave Blair e Prodi. Neve na duhet të bëjmë gjithë përpjekjet për të shmangur një ndërlikim, që më vonë do të bëhej i pamundur të vihej nën kontroll. Jam i ndërgjegjshëm, që na mbetet pak kohë për ta kryer. Të jeni i sigurt që kjo, për mua mbetet nga prioritetet më të domosdoshme”.

Gjatë luftës në Kosovë (28 shkurt 1998-11 qershor 1999), Franca priti dhe strehoi mijra refugjatë nga Kosova, si dhe ngriti 5 kampe refugjatësh në Shqipëri: dy në Tiranë, një në Ndroq, një në Mullet dhe një në Arapaj të Durrësit, ku u sistemuan mbi 50 mijë refugjatë. Dy koordinatorët kryesorë që u morën me këtë punë, Pjer Kalfas nga Marseja dhe Valter Gjoni (1954-2020) nga Tirana u nderuan nga Shirak me Urdhrin “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”. Në kuadrin e luftës në Kosovë u hapën edhe emisione në gjuhën shqipe në Radio France Internacional.

 

THIRRJE QEVERISË SHQIPTARE DHE KOSOVARE: NJË SHTATORE PËR ZHAK SHIRAK

Nisur nga shtatë vendimet e lartpërmendura të Shirak për Kosovën dhe Shqipërinë, ai duhet të ketë patjetër një shtatore gjigande në qendër të Tiranës dhe të Prishtinës. Ai pagëzoi me emrin e Heroit Kombëtar një nga sheshet më të mëdha në qendër të Parisit. I dha i dha Kosovës lirinë dhe Pavarësinë, ndaj edhe Tirana e Prishtina duhet ta nderojnë këtë mik të madh të shqiptarëve. Përmes këtij artikulli, dhe në emër të mbi 50 mijë shqiptarëve që banojnë në Francë, i bëj thirrje Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, si dhe Kryebashkiakëve të Tiranës dhe Prishtinës: z. Erion Veliaj dhe z. Përparim Rama që ta marrin në konsideratë këtë thirrje dhe të përurojnë sa më shpejt një shtatore, apo të emërojnë ndonjë shesh apo rrugë me emrin e këtij burrështetasi të madh francez e botëror.

Të fundit

Rama me nxënësit ekselentë/ I vetmi moment kur më duket vetja më i shkurtër…

Kryeministri Rama bëri batuta sot me nxënësit ekselentë teksa ndante medaljet për ta së bashku me ministret Manastirliu dhe Muzhaqi....

Tentoi ta puthte, Gresa: Xuxi është në moshë të babait tim, më vjen…

Kanë ndodhur një sërë situatash mes Xuxit dhe Gresë Gashit gjatë këtyre ditëve. Këngëtari pak ditë më parë tentoi ta puthte aktoren dhe kjo e...

Tym në kabinë/ Avioni bën ulje emergjente në Austri

Një avion që ishte nisur nga Bukureshti në Zyrih bëri një ulje emergjente në qytetin e Grazit, Austri, të hënën për shkak të problemeve...

Panik në Paris, zjarr në ashensorin e Kullës Eifel, qindra të evakuuar

Një ngjarje e pazakontë ndodhi në Kullën Eifel në Paris, ku një zjarr shpërtheu në boshtin e ashensorit mes katit të parë dhe të...

Vlashent Sata dhe Dojna Mema do të bëjnë dasmë por me një kusht!

Vlashent Sata, në një intervistë në “Natën me Aulonën” në MCN, kujton fillimet e lidhjes së tij me Dojna Memën dhe si të dy...

Lajme të tjera

Web TV