S’na tremb Putini, kemi tunelet anti-bërthamore të Enverit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla

Sa mund është derdhur bashkë me hekurin, betonin, forcën njerëzore dhe shpirtin e trazuar, se botës do i bënim ballë me bunkerët anti-atomik? Në listën e gjatë të aseteve kundër luftës që mbeti “imagjinare”, kemi 220 bunkerë kundër armëve bërthamore, të shtrira në të gjithë vendin. Kurrë nuk u përdorën, e mos ardhtë ajo ditë që të jetë nevoja të shkohet nën panik në ato bunkerë. Dikush na i rikujtoi për tu përfshirë edhe një herë në histerizmin tonë, se ai, Enveri, kishte plot të meta, por na la ca bunkerë anti-atomik që do i bëjnë “ballë” rrezes shfarosëse. Çuditërisht për mjerimin tonë, dikur i thonim “populli mik Sovjetik”, sot i themi vendi armik dhe kemi zëvendësuar “armikun” Amerikë të dikurshme me mikun sot dhe mikun rus të atëhershëm, me armikun tani. Gjithnjë kështu kemi qenë në këto 80 e kusur vite, duke ndërruar miq-armiqtë, pa harruar dhe “Kinën motër”, për të mos i mbetur hatri, as “vëllait turk”. Po bie alarm… Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi gatishmërinë bërthamore vetëm pesë ditë pasi nisi sulmin ushtarak në Ukrainë. Bota u dridh ca, por Vladimiri nga Kukësi, Natasha nga Vlora, apo edhe Nikita e Josifi në Tiranë e gjetkë, nisën të mendonin se do mbrohemi në bunkerët e Enverit. Dhjetëra emisione… Banorët e Kukësit kërkojnë të rihapet, pastrohet e mirëmbahet bunkeri anti-atomik që e kanë nën këmbë, poshtë pallatit, apo nën klubin ku pihet raki e fortë, rrufitet kafe Brazili dhe flitet për “fuqitë e mëdha” si Rusia, SHBA, Anglia, Franca, Kina e pa harruar “superfuqinë” tonë anti-bërthamore.

220 “vrima” ku të futemi

Ka superfuqi, por ka edhe fuqi si ajo e kohës së komunizmit që la pa hapur rrugë e ngritur fabrika, por investoi në bunkerë. Diku 175 mijë kupolat e vogla në male, fusha e bregdet dhe deri në tunele anti-bërthamore të ngritura kudo në Shqipëri. Në inventarin e Ministrisë së Mbrojtjes figurojnë 220 tunele anti-bërthamore nga më të vegjëlit deri tek tre të mëdhatë që ndodhen në Tiranë, rrëzë Malit të Dajtit, në Kukës brenda qytetit dhe në Fushën e Aviacionit në Gjadër. Gjithashtu tunele të tilla gjysmë të bllokuara ndodhen edhe në zonat bregdetare. Aq seriozisht u mor mbrojtja jonë kundër bombave me fuqi atomike sa nëpunës të Bashkisë së Kukësit sugjeronin që duhet të investohet për të rihapur tunelet. Ekspertët e fushës ushtarake thonë se mund t’i rezistojnë pjesërisht forcës goditëse të një bombe bërthamore të prodhuar deri në vitet 70’, por rrezatimit apo bombave të tjera me fuqi shumë të madhe, as në ëndrrat më të bukura nuk mund t’i bëjnë ballë. Si “popull trim” që jemi, sa herë lufta troket diku larg, mbushim mendjen top se ka një zgjidhje të fundit, të futemi në tunelet që na la ai, Enveri. “Po të jemi të gjithë tok, as zjarri, as uji, as era, s’na luajnë nga vendi”-tha plaku Mere, kur ende nuk e dinte se gjylja e madhe do plaste, mu në mes të mullarëve të tij të barit. Ku ka gjyle që na prek ne. Ja nisi kjo e keqe? Tashmë, nuk ka vend shprehja s’do gjejmë vrimë nga të futemi. I kemi 220 vrima, paçka se disa janë të zëna. Në Tiranë ndodhen dy krejtësisht të lira që shërbejnë për turizëm. Gjithashtu edhe Ministria e Mbrojtjes ka hapur një tender ditët e fundit për të kryer punime përforcuese në kryeministri… Ku i dihet, kurrë mos thuaj kurrë! Një tunel poshtë zyrave të luksit ku gatuhet “politikë e madhe” për të ruajtur kryet e kokave të shtetit nuk është keq. Po a na mbajnë 220 vrima tok kështu si jemi? Po sikur këto vrima anti-atomike ti zenë më të pushtetshmit dhe biznesmenët që mund të privatizojnë bunkerin? Edhe ky është hall më vete, 220 vrima janë pak…!

Lexo edhe :  Kush i humbi zgjedhjet? Askush, si gjithmonë

Bunkerin e mendjes kush e shemb?

Bunkerëve të vërtetë ua kemi gjetur anën. Mijëra kupola të vogla janë shkatërruar me lloj e sororollop forme, duke përdorur vare, apo deri në nitrat të bashkuar me naftë që krijonin shpërthime të mjaftueshme që të thermohej betoni dhe dilte hekuri si skelet. Kështu shkoi kjo histori. Disa i ndërtuan duke derdhur djersë për të fituar çerek buke me groshë ushtarësh, dhe të tjerë duke i shkatërruar po për të fituar bukën e gojës në shitjen e skrapit. Të tjerë bunkerë në bregdet u kthyen edhe në bare e restorante që sipas menusë ofrohet peshk i egër deti, ani se është i rritur në rezervat… Për raste lufte u ngritën ama shërbyen edhe për qejfin e çifteve të dashuruarish që luftonin “armikun” me “armët” që mbajnë gjithnjë me vete. Në përgjithësi bukën e kanë siguruar një pjesë që blenë miell të paktën për nja gjashtë muaj, edhe bunkerët do i rihapim që Vladimirit nga Rusia ti bëjë karshillëk adashi nga Shqipëria me bunkerët kundër bombave bërthamore. Ja pra që forcë për të sulmuar nuk kemi, por për tu mbrojtur në bunkerin e mendjes kemi plot.

Të fundit

Olta Xhaçka thellon avantazhin ndaj Blerina Gjylametit në Tiranë! Ja renditja

Vijon numërimi i votave preferenciale në Tiranë. Ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar kolegen e saj, Blerina Gjylameti me 55...

Ja çfarë fiton një shtet kur merr çmimin e parë në Eurovision

Kur një vend fiton Eurovisionin, nuk është thjesht një trofe i bukur që zbukuron zyrat e televizionit kombëtar. Fitorja sjell një sërë avantazhesh të...

Elisa Spiropali: Papa i Ri, ura dashurie dhe dialogu në kohë trazirash

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjete sociale me rastin e fillimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së...

Pse ka më shumë vota të numëruara se sa vota në total? Shpjegon Celibashi

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ishte këtë të diel në një lidhje direkte për Euronews Albania ku u pyet nga gazetarja Greta...

Joe Biden diagnostikohet me sëmundjen e rëndë!

Ish-presidenti Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë. Një deklaratë nga zyra e tij tha se Biden, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë...

Lajme të tjera

Web TV