Përshtypje nga një ekspozitë figurative në Francë me aromë shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor HOXHA, Francë

Nga data 25 mars deri më 27 mars 2022 u hap në qytetin e Lyonit në Francë ekspozita e përvitshme e pikturës dhe e fotografisë. Ajo u hap në “Salon D’Arts Plastiquenë” në Espace Jean Poperen në Komunën e Meyzieu., një komunë që ndodhet në pjesën verilindore të Lyonit. Kjo ekspozitë u organizua nga Association des Createurs Majolans. Në këtë ekspozitë u paraqitën mbi 200 punime në vaj, dru, qeramikë skulpturë dhe grafikë nga 30 piktorë, skulptorë, qeramistë, grafistë dhe fotografë të njohur nga Rajoni i Auvergne – Rhone – Alpes. U paraqitën portrete njerëzish dhe kafshësh, peisazhe, instalacione, fotografi bardhë e zi dhe punime në dru, bakër, gurë dhe qeramikë. Ekspozita u vizitua edhe Kryetari i Komunës Meyzieu, i cili mbajti një fjalim të shkurtër para komunitetit artistik dhe vizitorëve të shumtë, si dhe falënderoi e uroi autorët.

Në këtë ekspozitë tre ditore mori pjesë edhe piktori dhe skulptori i njohur shqiptar, Klement Sina. Ai u prezantua para publikut francez me njëmbëdhjetë vepra artistike me temë nga historia, etnografia dhe arkeologjia shqiptare. U prezantua me  katër portrete bardhë e zi (profesori i njohur shqiptar, Tritan Kalo, piktorët e mëdhenj botëror, Pikaso dhe Salvator Dali dhe një portret nudo gruaje); me katër punime me bojë vaji (dy tablo nga qyteti i Beratit natën dhe në perëndim të diellit dhe dy tablo nga Kuçova); me dy punime në qeramikë dhe bakër të rrahur: një medaljon me portretin e Skënderbeut në qeramikë dhe Legjenda e Beratit e rrahur në bakër; dhe me dy pjata antike në qeramikë.

Në këto punime dëshmohet pjekuria artistike e autorit, paraqitet shpirti i tij estetik, ndihet fuqia dhe magjia e ngjyrave, përçohet fryma historike, si dhe shfaqet qëndresa, antikiteti dhe bukuria shqiptare. Identitetin shqiptar, Klementi e shpreh përmes portretit të Skënderbeut në qeramikë dhe Legjendës së Beratit të punuar në bakër. Përmes portretit të Heroit tonë kombëtar dhe Legjendës së Beratit, ky artist shqiptar evokon para francezëve qëndresën e popullit shqiptar kundër pushtuesve osman, shpalos sagën e lavdishme të shqiptarëve dhe sakrificat e tyre për liri, si dhe hyjnizon të kaluarën e lavdishme të shqiptarëve. Në dy tablot e për qytetin e Beratit dhe për Kuçovën shpaloset bukuria e qyteteve shqiptare, ndërsa në dy pjatat në qeramikë është antikiteti i botës shqiptare me gjithë mistikën mijravjeçare që fsheh përbrenda. Përmes portretit të profesor Tritan Kalos, vlerësohet puna e këtij mjeku të shquar shqiptar që i dha shumë mjekësisë shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës dy vjeçare të Covid-19.

Këto punime unikale, sjellin një larmi kompozicionale dhe një fuqi koloristike përmes një dekori shpërthyes dhe një kodi të veçantë artistik. I mundësojnë publikut francez një udhëtim eksplorues në veprat e këtij artisti dimensional duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablot, peisazhet, portretet, e deri te punimet në bakër dhe qeramikë.

Artisti shqiptar e gjen frymëzimin në tri vende evropiane: në Shqipëri, në Greqi dhe në Francë.

Të njëmbëdhjetë punimet e tij u pëlqyen nga artdashësit e shumtë, të cilët vizituan ekspozitën për tre ditë me radhë. Vlerësime për veprat e artistit shqiptar shprehu edhe kryetari i Komunës së Meyzieu, si dhe përgjegjësja e ekspozitës. Një falënderim të veçantë mori edhe nga Tirana nga profesori dhe mjeku i njohur, Tritan Kalo. Ai e falënderoi për portretin e tij bardhë e zi të ekspozuar në këtë ekspozitë franceze.

Kjo nuk është hera e parë që Klementi dialogon me publikun francez. Ai ka marrë pjesë edhe në disa ekspozita të tjera kolektive në qytetin e Lyonit, i cili është qyteti i tretë më i madh në Francë, pas Parisit dhe Marsejës. Veçohet ekspozita në edicionin e 26-të Arteve Figurative (14 shkurt 2021, ku u paraqit me punimin me titull “Ngjyrat e dashurisë”. Ka marrë pjesë edhe në një konkurs fototografie bardhë e zi ku ka zënë vendin e pestë në Francë.

Lexo edhe :  Një monografi për artisten Safete Toska, “fisnikja tironse” e këngës qytetare

Suksesin më të madh në fushën krijuese e ka në qeramikë dhe në skulpturë. Pikturat dhe skulpturat e tij pasqyrojnë indin e tij krijues të ngjizur në imagjinatë, kreativitet, origjinalitet dhe shije estetike. Ai komunikon me artdashësit dhe me njerëzit përmes ngjyrave dhe shpreh vështrimin vetjak me anë të objekteve, skulpturave dhe instalacioneve. Është i papërsëritshëm në stilin e tij dhe është gjithmonë në kërkim të formave dhe shprehjeve të reja artistike. Është një artist shumëdimensional, i cili gjatë krijimtarisë së tij mbi 30 vjeçare ka krijuar me dhjetra tablo, portrete, peisazhe, vizatime grafike, fotografi bardhë e zi, etj.

Karrierën artistike, Klementi e ka nisur në Shqipëri. Ka punuar në Byron e Ndërmarrjes Artistike dhe në Ndërmarrjen e SMT-së në Kuçovë. Në Kuçovë ka hapur ekspozitën e parë në këtë qytet. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga viti 1993 deri më 2016, ka jetuar familjerisht në Athinë dhe për 23 vite me radhë ka ushtruar profesionin e tij në shtetin helen, ndërkohë ka ndjekur edhe disa kurse private specializimi në fushën e qeramikës antike dhe në fushën e skulpturës moderne. Ka hapur në Greqi pesë ekspozita me punime në qeramikë, si dhe është marrë me arredim dhe restaurime. Nga viti 2016 jeton familjerisht në Lyon të Francës bashkë me bashkëshorten, vajzën dhe djalin e tij.

Në rrugëtimin e tij të gjatë artistik në Shqipëri, Greqi dhe Francë, ky artist shqiptar ka komunikuar me publikun artdashës të këtyre vendeve përmes shpirtit të tij estetik dhe figurativ. Ndonëse prej shumë vitesh ka banuar në Greqi dhe aktualisht në Francë, shumica e punimeve të tij janë inspiruar nga vendlindja. Në laboratorin e tij krijues ngjizen dhe përpunohen imazhet, historia dhe traditat shqiptare. Ai nuk shkëputet dot nga rrënjët, gjë që e ka dëshmuar me veprat artistike që ka ekspozuar në Greqi dhe në Francë, ku pjesa dërmuese e tyre janë me tematikë shqiptare. Kjo vihet re edhe ekspozitën e lartpërmendur ku nga 11 punime që paraqiti, nëntë prej tyre janë frymëzime nga Shqipëria, veçanërisht nga qytetlindja e tij. Impresionet frymëzuese i merr nga natyra, nga epika dhe peisazhet e mrekullueshme të vendit të shqiponjave.

Pikturat e tij janë mjaft origjinale dhe përçojnë mesazhe dhe vlera të veçanta artistike dhe ideore. Vepra e tij reflekton karakteristikat, personalitetin dhe botëkuptimin e tij rreth botës që e rrethon, por shtrihet edhe në kohë dhe hapësirë brenda dhe jashttë territorit shqiptar. Urojmë që udha e tij artistike të jetë sa më e gjatë dhe sa më suksesshme.

Klementi është një artist me njohuri të thella, jo vetëm në fushën e artit, por edhe në fusha të tjera. Ai është njohës i mirë i artit, i historisë dhe i etnografisë  së kombit të tij dhe një vizitor i rregullt i ekspozitave të ndryshme dhe i evenimenteve kulturore e artistike në Francë, veçanërisht në ato me aromë dhe motive shqiptare.

Të fundit

KQZ-ja në Kosovë numëron të gjitha votat me postë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet e para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka bërë të ditur pasditen e së martës se i ka numëruar...

Udhëheqësit arabë në samit/ Diskutime për ‘fatin’ e Rripit të Gazës dhe planit të Trump

Udhëheqësit arabë mblidhen sot në Kairo për të diskutuar një alternativë ndaj planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka pasur kritika...

Manjani tallet me koalicionin e Berishës: Me konservat e Lulit, shkohet thjesht te Luli

Avokati Ylli Manjani, ka ironizuar koalicionin e Sali Berishës me Ilir Metën dhe 24 parti të tjera, duke e quajtur një “aleancë konservash”. Avokati Ylli Manjani,...

Kundërpërgjigjet Kanadaja, i vendos tarifa prej 25 përqind produkteve amerikane

Kanadaja ka njoftuar se do të zbatojë tarifa 25 për qind për importet amerikane që arrijnë vlerën e 155 miliardë dollarëve. Lajmi u bë...

ELAL, fluturime me Tiranën/ Balluku: Fluturimet direkte në Izrael do të nisin në 2 prill

Brenda një muaji, Shqipëria dhe Izraeli do të lidhen me anë të fluturimeve direkte. Zëvendës kryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku...

Lajme të tjera

Web TV