Adrien Brodi, triumfi i mbretit të aktrimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Leonard Veizi

Ai ishte mbreti i mbrëmjes. Një aktor brilant, i cili përsëriti një triumf që i kishte shpëtuar për 22 vite. Adrien Brodi fitoi sërish çmimin Oscar për rolin e tij në filmin “Brutalisti” të Bredi Korbetit – prodhuar në vitin 2024 – ku portretizoi arkitektin Laszlo Toth, një të mbijetuar të Holokaustit që emigroi në Shtetet e Bashkuara. Por këtë herë, ai e ngriti trofeun në moshën 52-vjeçare, me një pjekuri artistike të pakrahasueshme.

Një Fitore Historike

Fitorja e parë e Brodit ishte historike. Në vitin 2003, ai u bë fituesi më i ri i çmimit Oscar për “Aktorin më të mirë” me rolin e tij të paharrueshëm si Vladislav Shpilman në “Pianisti” të Roman Polanskit – prodhim i vitit 2002. Ai ishte vetëm 29 vjeç në kohën e xhirimeve, një përkushtim i jashtëzakonshëm që e detyroi të humbiste mbi 14 kilogramë për t’u përshtatur me karakterin e tij. Kjo sakrificë e la me shenja në trup dhe mendje – një përvojë që më vonë e bëri të pranonte se kishte përjetuar simptoma të Çrregullimit të Stresit Post-Traumatik.

Portretizimet e Skajshme

I lindur më 14 prill 1973 në Nju Jork, Brodi ka qenë gjithnjë i prirur për rolet që kërkonin transformim të thellë. Ai nuk ka qenë thjesht aktor, por një njeri që i jeton rolet, duke i dhënë dimensione të reja çdo karakteri që mishëron.

Gjatë karrierës së tij, Brodi është bërë i njohur për zgjedhjen e roleve të guximshme dhe të shumëllojshme. Në vitin 2011, ai interpretoi piktorin surealist Salvador Dali në “Mesnata në Paris” të Udi Alenit, duke i dhënë figurës së Dalit një hije misterioze dhe komike njëkohësisht. Një vit më parë, në 2010, në filmin “Eksperimenti”, ai solli një portret të errët dhe psikologjik si Travis, një burrë i zhytur në eksperimente sociale ekstreme.

Filmat e tij përfshijnë projekte të mëdha si “Mbreti Kong” i vitit 2005, nga Piter Xheksonit, ku ai luajti rolin e një shkrimtari idealist të zënë në një betejë epike mes njerëzimit dhe natyrës së egër. Në “Hoteli i madh i Budapestit” në 2014 të Ues Andersonit, ai shkëlqeu si një nga antagonistët më të rafinuar të kinemasë moderne.

Lexo edhe :  Trashëgimia kulturore në Gjirokastër, nën kërcënimin e zjarreve

Një Aktor i Pashtershëm

Në mbi 60 filma të karrierës së tij, Brodi ka treguar se është një aktor i paepur, një njeri që nuk zgjedh rrugën më të lehtë, por atë më sfiduese. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, edhe pas dekadash në ekranin e madh, ai vazhdon të jetë një nga aktorët më të vlerësuar të kohës sonë.

Pas fitores së tij të parë, Brodi ka pasur një trajektore interesante në karrierë. Ai është personi i 11-të në histori që fiton më shumë se një herë çmimin për Aktorin më të Mirë. Me Oscar-in e dytë në duar, ai nuk është më thjesht fituesi më i ri i këtij çmimi, por një nga aktorët më të mëdhenj të brezit të tij.

Çmimet Oscar 2025

Më 2 mars 2025, u zhvillua ceremonia e 97-të e Çmimeve Oscar në Teatrin “Dolbi”, me Konan O’Brajanin si prezantues. Filmi “Anora” ishte triumfuesi më i madh i mbrëmjes, duke fituar pesë çmime, përfshirë “Filmin më të mirë”, “Regjisorin më të mirë” për Shen Bejkerin, “Aktoren më të mirë” për Majki Medisonin, “Skenarin origjinal më të mirë” dhe “Montazhin më të mirë”. Adrien Brodi u nderua me çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e tij në filmin “Brutalisti”.

Në fjalimin e tij, Brodi shprehu mirënjohje për kolegët dhe partneren e tij, Xhorxhina Çapmanin, duke reflektuar mbi karrierën e tij dhe rëndësinë e respektit për emigrantët.

Zoë Saldana fitoi çmimin për “Aktoren më të mirë në rol dytësor” për performancën e saj në Emilia Perez, ndërsa Kiran Kalkin u vlerësua si “Aktori më i mirë në rol dytësor” për “Një dhimbje e vërtetë”. Filmi “Rryma” mori çmimin për “Filmin më të mirë të animuar”, dhe “Unë jam akoma këtu” u shpall Filmi Ndërkombëtar më i Mirë. Një çast historik ishte fitorja e Pol Tazuellit si “Dizajneri më i mirë i kostumeve” për “E liga”, duke u bërë personi i parë me ngjyrë që fiton këtë çmim.

Të fundit

Presidenti Begaj në Ohër: Faktori shqiptar në RMV, urë lidhëse

Presidenti Bajram Begaj vizitoi Ohërin, ku u takua me Presidenten Siljanovska-Davkova për të diskutuar bashkëpunimin bilateral mes Shqipërisë dhe...

Vijon aksioni në Theth, prishen 60 ndërtime pa leje por nuk mungojnë tensionet

Ka vijuar edhe përgjatë kësaj të shtune, 12 korrik, operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, pavarësisht kundërshtimit të banorëve. Ndryshe nga ditët...

BE dhe Meksika kritikojnë tarifën prej 30% të propozuar nga presidenti Trump

Franca, Gjermania, Holanda dhe Italia kanë reaguar pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa prej 30% për të gjitha mallrat e BE-së të...

UNESCO shpall kështjellat e mbretit të Bavarisë Ludwig II, trashëgimi e kulturës botërore

Kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig II, Komisioni i UNESCO-s i ka shpallur trashëgimi e kulturës botërore. Krahas Neuschweinstein kategorizohen edhe tri kështjella...

Themelohet Karabinieria, forca me dy fytyra e historisë italiane

13 korrik 1814 Më 13 korrik 1814, në Mbretërinë e Sardenjës, u themelua një forcë e re policore me karakter ushtarak – Arma e Karabinierisë,...

Lajme të tjera

Web TV