Shkolla e Magjistraturës publikon kriteret që duhen plotësuar nga aplikantët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shkolla e Magjistraturës ka publikuar kriteret që duhen plotësuar nga aplikantët, të cilët duan të regjistrohen.

“Kandidatët duhet të plotësojnë, ndër kriteret e tjera, edhe atë të eksperiencës 3-vjeçare të punës si jurist.”, thuhet në njoftim ndër të tjera.

Njoftimi i plotë:

“Në respekt të informimit të drejtë të publikut taksapagues shqiptar përkundër çorientimit të qëllimtë në të cilën e drejtojnë burime të paafta e joprofesionale informimi, po paraqesim çështjet ligjore që rregullojnë procesin e kandidimit të gjyqtarëve e prokurorëve të ardhshëm në Shkollën e Magjistraturës, të cilat respektohen me rigorozitet nga ana jonë prej ditës së themelimit të saj, edhe për arsyen që konsiderohen me stoicizëm si elemente të edukimit ligjor për të gjithë pjesëmarrësit në konkurrim.
Shkolla e Magjistraturës është ngarkuar nga Kushtetuta, si i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë që përgatit magjistratë, gjyqtarë e prokurorë.

Ajo është institucion i pavarur dhe kryen detyrat e saj në përputhje me ligjin.
Procesi i rekrutimit të kandidateve për gjyqtarë e prokurorë mbështetet në kriteret e shënuara në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Kandidatët duhet të plotësojnë, ndër kriteret e tjera, edhe atë të eksperiencës 3-vjeçare të punës si jurist. Afati i llogaritjes së tij fillon pas përfundimit të ciklit të plotë të studimeve në drejtësi deri në ditën e kandidimit për vendin vakant në Shkollë.
Në nenin 136/a dhe 148/ç të Kushtetutës sanksionohet se gjyqtarë dhe prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, “pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës”.

Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 28 sanksionon se: “Çdo person ka të drejtë të kandidojë në Shkollën e Magjistraturës, për t’u pranuar në formimin fillestar për magjistrat……”, çka nënkupton të drejtën e çdo shtetasi të Republikës së Shqipërisë, i cili pas plotësimit të kërkesave ligjore, gëzon të drejtën për të konkurruar pranë Shkollës së Magjistraturës. Kurrkush, asnjë autoritet, i brendshëm apo i jashtëm, asnjë forcë apo këndvështrim nuk mund të përthyejë vullnetin e cilido kandidat për të konkurruar në Shkollën e Magjistraturës nëse ai plotëson kriteret që Kushtetuta dhe ligji përkatës kanë rezervuar për shtetasin shqiptar, gjyqtarin apo prokurorin e ardhshëm. Nuk është praktikë në veprimtarinë e Shkollës të devijojë zbatimin e ligjit. Jemi të sigurt se, nëse burimet e keqinformimit do të kenë pak kohë të lexojnë ligjin edhe vetëm në pjesën që rendit kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë për të marrë pjesë në konkurrim, me siguri që do të vepronin siç kemi vepruar ne për shumë vite. Mundësitë i kanë për ta bërë një gjë të tillë, jo pse ligji prezumohet se njihet nga të gjithë, por se me një klik në faqen e duhur gjendet lehtësisht për t’u lexuar.
Procesi i konkurrimit në Shkollën e Magjistraturës është i ndërtuar mbi baza të forta objektiviteti, që sigurohet me vlerësimin elektronik në fazën e parë dhe me një vlerësim të sekretuar dhe të monitoruar në fazën e dytë.
Procedura përzgjedhëse konkurruese është thelbësore në përzgjedhjen e kandidatëve për magjistratë. Kushtetuta dhe ligji parashikojnë në mënyrë të detajuar se gjyqtar dhe prokuror të bën vetëm konkurrimi në një organ të pavarur të parashikuar për këtë qëllim, në Shkollën e Magjistraturës. Ne kemi eksperiencë të spikatur në organizimin e provimit të pranimit në rregulla të qarta dhe solemnitet të admirueshëm, përfundimi i të cilit siguron klasifikimin e kandidatëve sipas meritës së tyre. Kjo është e vërteta që pranohet gjerësisht prej vetë kandidatëve si dhe, nga monitoruesit e shumtë, vendas e të huaj, që marrin pjesë aktive në ditët e organizimit të provimit, prej shpalljes së datës së tij deri në shpalljen e rezultateve. Janë një sërë aktesh apo raportesh të tyre që e konfirmojnë çdo vit seriozitetin e provimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Duhet të ripërmendim se, edhe këtë proces ne e konsiderojmë si proces të edukimit ligjor të magjistratëve të ardhshëm.
Në përfundim të procedurës së konkurrimit dhe shpalljes së fituesve, bazuar në ligjin nr. 96/2016, neni 32 të tij, veprojnë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për të bërë vlerësimin (vetingun) e elementeve ekonomike dhe integritetit të kandidatëve. Në përfundim të tij, lista e pastruar i rikthehet Shkollës së Magjistraturës që, pas këtij momenti, fillon organizimin e procesit të formimit të tyre fillestar. Në asnjë ligj, rregull apo zakon të mirë nuk është parashikuar ndonjë ndalim i fituesit të garës bazuar përmbi shkaqe që lidhen me gjininë, racën, familjen, gjendjen shoqërore, fetare, ndjesive politike, ngjyrën e lëkurës apo veprimtarinë shoqërore të tij, përveçse kur rrëzohet në procesin e vlerësimit të bërë nga Këshillat përkatës. Nëse do u hidhej një sy i shpejtë, qoftë edhe diagonal Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse që rregullojnë çështjet delikate më lart, do të sigurohej njohuri e plotë dhe, e aftë të pengonte keqinformimin e publikut taksapagues shqiptar.
Është e nevojshme të themi se, procesi i sivjetmë i shpalljes së fituesve në Shkollën e Magjistraturës ende nuk ka përfunduar, kështu që shpallja e listës emërore në rrjetet sociale apo organe të shtypit, është e pavërtetë. Shpallja e një liste të tillë të huazuar nga përmbledhje të arkivave të viteve të mëparshme, nuk përbën, siç titullohet skandal në Shkollën e Magjistraturës, sepse nuk përkon me provimin e pranimit të vitit 2022, siç edhe, nuk do të ndikojë në rezultatet e tij pas përfundimit të procedurës së vlerësimit të përgjigjeve. Lista përfshin kandidatë për magjistratë të cilët ndjekin studimet në 3 vite të ndryshme akademike të cilët janë regjistruar për të filluar programin e formimit fillestar në Shkollë pas konkurrimit në vite të ndryshme akademike. Freskimi i njohurive të burimeve të keqinformimit do të ishte i mirëpritur. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë të kontribuojmë në forcimin e njohurive të tyre, edhe ligjore, nëse do të na kërkohet ta bëjmë këtë për interesin e informimit të vërtetë të publikut shqiptar.
Shkolla e Magjistraturës është e shqetësuar edhe për nëpërkëmbjen e ligjit që rregullon të dhënat personale, në këtë rast të kandidatëve për magjistratë. Insistimi për të imponuar kulturën e dhunimit të ligjit ndër subjektet e rinj magjistratë, përgojimi emër për emër, me pa të drejtë i tyre, mohimi i përpjekjeve, meritës deri edhe sakrificave që kanë bërë për të qenë gjyqtarët e prokurorët e ardhshëm ndikon në formimin e tyre, nuk është shembull për t’u ndjekur dhe i ekspozon ata në mënyrë paragjykuese përballë publikut të interesuar për zhvillimet pozitive në fushën e drejtësisë. Botimi keqdashës i listës emërore shkon ndesh edhe me përpjekjet që Shkolla bën për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë veprimtarinë e saj. Ndërkohë, ngrihemi për të mbrojtur e mbështetur personalitetin e secilit kandidat-koleg nga çdo sulm të padrejtë sepse kështu përpiqemi të mbrojmë sistemin e brishtë gjyqësor.
Në vitet prej nga data e hyrjes në fuqi të ligjit më sipër, në Shkollën e Magjistraturës kanë konkurruar subjekte me eksperiencë, si: avokatë, nëpunës në administratën publike, fushat akademike, sektori privat brenda dhe jashtë vendit.
Më poshtë po paraqesim disa shifra që mund të shërbejnë për nxjerrjen e konkluzioneve prej secilit që i lexon, kupton apo, edhe i analizon ato në raport me strukturën e burimeve të kandidatëve që ndjekin Shkollën e Magjistraturës. Shpresojmë që publiku të mund të mbivendosë këto të dhëna zyrtare përmbi konkluzionet e pavërteta të hedhura në ajër apo letër për të nga ata që flasin me nxitim të parët.
Që nga viti 2019 kur ka filluar së pari të pranohet sistemi 3 vjeçar i eksperiencës në punë si kriter për kandidatët, kanë konkurruar 249 aplikantë, janë shpallur fitues 46 aplikantë (8.4% e konkurruesve). Nga aplikantët fitues, rezulton se 45.6 % vijnë nga radhët e administratës publike. Diferenca e fituesve vjen nga radhët e veprimtarive private.
Në vitin 2020 kanë konkurruar 269 aplikantë, janë shpallur fitues 66 aplikantë (5.5% e konkurruesve). Nga aplikantët fitues, rezulton se 22.7% vijnë nga radhët e administratës publike. Diferenca e fituesve vjen nga radhët e veprimtarive private.
Në vitin 2021 kanë konkurruar 269 aplikantë, janë shpallur fitues 65 aplikantë (9.6% e konkurruesve). Nga aplikantët fitues, rezulton se 38.4% vijnë nga radhët e administratës publike. Diferenca e fituesve vjen nga radhët e veprimtarive private.
Në vitet e mësipërme lista e kandidatëve me eksperiencë nga administrata publike, zë 34.4% të personave që kanë konkurruar në 3 vite.
Për rrjedhojë, përmbi 65% të kandidatëve fitues vijnë nga veprimtari private.
Së fundi, do të shprehim gatishmërinë tonë për kërkesat e çdo të interesuari që dëshiron të njihet edhe në detajet për veprimtarinë e përditshme të Shkollës së Magjistraturës, në veçanti për organizimin e provimit të pranimit dhe vlerësimit të rezultateve. Ky element përmban një prej meritave bazë, shumë të suksesshme të Shkollës sonë që ia vlen ta ndajmë me cilindo, edhe për ta përhapur në aktivitete apo institucione të ngjashme.

Shkolla e Magjistraturës
Tiranë, më 28.4.2022″

Të fundit

“Fto në podcast motrat Hoxha”, Arbana Osmani i përgjigjet ndjekëses

Moderatorja e njohur Arbana Osmani i është përgjigjur një komentuesi në Instagram i cili i sugjeroi të ftojë në...

Mërtiri: Berisha nuk e ka luftën me Ramën, por me Altin Dumanin

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i Prokurorisë së Posaçme, 5 vjet më parë. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më...

Cila është dita juaj me fat sipas shenjës së horoskopit?

Për shumicën e njerëzve dita më e mirë është e premtja dhe arsyeja është sepse fundjava fillon menjëherë pas. Megjithatë, astrologjia mund të shpjegojë...

Detaje nga brenda qelisë së Metës te 313/ Ja si e kalon kohën presidenti i PL-së

Gazetarja Anduena Llabani, ishte e ftuar në një studio për të folur rreth marrjes në pyetje të ish-presidentit Ilir Meta në SPAK. Ajo tha se...

Hetimi ndaj Metës, Karamuço: Ka një bashkëpunëtor drejtësie….

Eksperti i kriminalistikës dhe profesori Ervin Karamuço, i ftuar në një studio televizive, tha se në hetimin ndaj Metës lidhur me lobimin në SHBA...

Lajme të tjera

Web TV