Në një kohë kur vera nuk ka ardhur, çmimet kanë nisur të ‘fluturojnë’. Është ish.zv kryeministri Erion Braçe, i cili ka publikuar një faturë që mban datën 1 maj 2022 në Palasë, ku shihet se një kafe kushton 300 lekë dhe një ujë 600 lekë, çmime ekstremisht të larta krahasuar me atë që ofrohet në qytete të tjera, por edhe me vitet e kaluara.
Ndërkohë, çmimi i omletës në ‘Bar Nazar’ është 1100 lekë. Braçe ka bërë ironi duke thënë se ky është standarti që shumë politikanë e legjitimojnë.
“Filloi! Në Palasë! Fatura- 1 maj: Një kafë =300 lekë (3000 lekë te vjetra) Një ujë =600 lekë (6000 lekë te vjetra) Një Omletë=1100 lekë (11000 lekë te vjetra) Pra në Palasë, po po tek ai, i njëjti, fiks aty ku e paguan këtë kafen më shtrenjtë se në Duomo/Milano se të duket si status social te lësh leshtë aty! Po patjetër që është zgjedhje, po deshe, të thonë. Ky është standardi që shumë politikanë e legjitimojnë”, shkruan Braçe.
Si pasojë e luftës në vendin tonë janë shënuar rritje të çmimeve të produkteve në përgjithësi, por kurrë nuk ishin parë shifra kaq të larta deri më tani.