Me 10 maj 1933 u dogjën me dhjetëra mijëra libra në Gjermani. Ishin studentët dhe një pjesë e profesorëve ata që po përpiqeshin të “spastronin shpirtin gjerman”.
Me 30 janar 1933 Adolf Hitleri u bë kancelari i Rajhut gjerman. Edhe nese historianet flasin, se pozicioni i nazisteve në fillim nuk ishte aspak i konsoliduar, që në muajt e parë diktatura tregoi fytyren e saj, me djegjen e librave me 10 maj…
…Më 10 maj 1933 u mblodhën në Berlin rreth 70000 njerëz, në vendin ku studentët me karroca dhe gjëra të tjera kishin sjellë më shumë se 20000 libra dhe vepra artistike të autorëve të njohur gjermanë, si Heinrich Mann, Erich Maria Remarque apo Joachim Ringelnatz. Udhëheqësi i studentëve, nacionalsocialisti Herbert Gutjahr, mbajti një fjalim: “Vepra jonë drejtohet kundër shpirtit jogjerman. Çdo gjë jogjermane unë ia dhuroj zjarrit”. Masa brohoriste. Para saj digjeshin në flakë librat. 23-vjeçari Gutjahr hodhi edhe një krah me libra të tjerë në zjarr.
Ashtu si në kryeqytetin e Rajhut, zjarret bubullinë edhe në shumë vende të Gjermanisë. Në rradhë të parë kjo ndodhi në qytetet universitare. Letërsia gjermane “pastrohet”, siç thuhej atehere, nga gjithçka që nuk u pëlqente zoterinjve të rinj. Qindra mijëra libra digjen në kuader të ketij aksioni, që zgjat disa javë.
“Kundër shpirtit jogjerman!”
Skena si ajo në sheshin e Berlinit para 89 vitesh u zhvilluan në tërë Gjermaninë. Në të gjitha universitetet u dogjën prej studentëve vepra të autorëve që nuk përputheshin me ideologjinë nacionalsocialiste. Këta autorë shikoheshin si armiq të regjimit. U dogjën librat dhe veprat e socialistëve, pacifistëve dhe hebrenjve. Studentët nuk kishin nevojë për frikë nga ndonjë rezistencë eventuale, sepse me idetë e tyre ishin darkod edhe shumë profesorë.
Pas marrjes së pushtetit nga Adolf Hitleri, në janar të vitit 1933, ata ishin të plotfuqishëm. Tani filloi lufta edhe për pastrimin e mendimit të gjermanëve. Shoqata gjermane e studentëve kumtoi në prill të vitit 1933: “Shteti është pushtuar, por ende jo edhe shkollat e larta! Pastrimi shpirtëror po afron, ngrini flamurin!”. Menjëherë filluan të organizohen edhe aksione kundër shpirtit jogjerman, të cilat e arritën kulmin më 10 maj. Studentët ishin ata të cilët i planifikuan dhe organizuan këto aksione.
Djegia e librave në Sheshin e Teatrit në Berlin ishte manifestimi qendror i këtij aksioni. Shumë studentë ishin veshur me uniformën e njësive famëkeqe SS. Librat digjeshin duke brohoritur parulla “kundër dekadencës dhe uljes morale. Për një familje dhe shtet më të shëndoshë”. Me këso fjalësh hIdheshin në zjarr veprat e autorëve, si Heinrich Mann, Ernst Glaeser, Erich Kästner apo dhe Albert Einsteinit.
Autori shumë i njohur i librave për fëmijë, Erich Kästner ishte edhe vetë prezent në sheshin ku digjeshin librat e tij: “Kam qenë para universitetit, i rrethuar me studentët e veshur me uniformën SS dhe shikoja djegien e librave. Ishte e tmerrshme”, shkruante ai më vonë. Edhe shumë profesorë kanë marrë pjesë në aksionin e djegieve.
Akti
Organizatorët shihnin tek djegja e librave një akt simbolik. Siç konsiderohej dikur se zjarri ka një efekt pastrues, që largon sëmundjet, kështu duhet të shkaterrohen në flakë bazat shpirterore të republikës së urryer të Weimarit. Që ketej vjen siç duket shprehja, që therriste ministri nazist i propagandes Jozef Gëbels “në Gjermani kombi është pastruar së brendshmi dhe së jashtmi.”
Slogani ishte i njëjtë për të gjithë:
“Ia dorezoj zjarrit çdo gjë jogjermane. Kunder luftës së klasave dhe materializmit. Për bashkesinë e popullit dhe pikëpamjet idealiste të jetës.
“Ia dorezoj zjarrit shkrimet e Karl Marksit dhe Kautzkyt.”
“Ia dorezoj zjarrit shkrimet e Heinrich Manit, Ernst Glaeserit, Erich Kästnerit!”
“Ia dorezoj zjarrit shkrimet e Emil Ludwig Cohn”.
“Ia dorezoj zjarrit shkrimet e Erich Maria Remarkut”.
Mediat e huaja
Rreth mesnatës erdhi edhe Joseph Goebbels, ministri i Progapandës dhe doktor i gjermanistikës. “Burra dhe gra gjermane! Kohës së intelektualizmit të tepruar hebre i ka ardhur fundi dhe tani i është hapur rruga revolucionit gjerman”, tha ai para dhjetëra mijëra njerëzve. Por Goebbels nuk kishte besim të plotë as ndaj studentëve, sepse ai dhe Hitleri kishin frikë mos po u del nga dora lëvizja nacionalsocialiste.
Bota e jashtme ishte e mllefosur dhe e tmerruar me këtë akt. Revista amerikane Newsweek e quajti djegien e librave si “Holocaust of books”, “Holocausti i librave”. Shkrimtari Heinrich Heine ka shkruar që në vitin 1821: “Atje ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit.” Fjalët e Heine-s u dëshmuan më vonë në formën më të tmerrshme.
Në vitin 1933 filloi një eksod i paparë i intelektualëve dhe shkrimtarëve nga Gjermania. Vendi i “shkrimtarëve dhe mendimtarëve” po spastrohej nga talentët dhe nga autorët e mëdhenj. Nobelisti Thomas Mann, Erich Maria Remarque apo Lion Feuchtëanger – të gjithë këta u detyruan të ikin jashtë vendit. Thomas Mann, veprat e të cilit po ashtu u dogjën atë natë, ka mbajtur më pas një fjalim në BBC ku paralajmëroi gjermanët nga nënshtrimi nën regjimin e Hitlerit.
Ata që nuk ikën në vendet e tjera u censuruan në formën më të vrazhdë, si për shembull Erich Kästner. Në vitin 1934 u ndaluan rreth 3000 libra dhe komplete. Mesazhi më i keq është që në këto aksione kanë marrë pjesë pikërisht studentët dhe një pjesë e profesorëve.
Burimi: dw.com