Raportuesi për Shqipërinë Peter Beyer tha në një konferencë për shtyp në Tiranë se nuk do të ketë bashkëpunim me Partinë Demokratike nëse ajo drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ai këtë e justifikoi me argumentin se nuk mund të dalin kundër Shteteve të Bashkuara. I vetmi që ragoi ishte Gazmend Bardhi i cili tha se Berisha po “bunkerizon” PD-në.
Ish-kryeministri Sali Berisha thuajse po i vihet damka e “non gratave” edhe nga përfaqësuesit e Partive Popullore Europiane, ku CDU/CSU-ja gjermane duket se ka një vendim të qartë. Ditën e djeshme raportuesi në CDU tha se nuk do të jetë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendimin që ato kanë marrë për ta shpallur ish- kryeministrin e PD “non grada”. I ndodhur në Tiranë, raportuesi për Ballkanin Perëndimor në CDU, Peter Beyer, në një konferencë për mediat i ka mbyllur derën e bashkëpunimit Partisë Demokratike, të drejtuar nga Sali Berisha, duke thënë se nuk mund të dalin kundër qëndrimeve të SHBA. “Nuk jam këtu për të folur në mënyrë publike dhe zyrtare për të marrë anë brenda grupimeve, por dua dhe jo vetëm për këtë arsye por edhe për faktin se aleatët tanë kanë të njëjtin këndvështrim si ne në Gjermani, për një person që është i shpallu non-grata edhe ne e kemi të vështirë të përfytyrojmë një bashkëpunim në të ardhmen”, u shpreh Beyer. I pyetur nga gazetarët se cilën Parti Demokratike njeh CDU-ja gjermane, Beyer u shpreh se nuk i interesojnë emrat apo figurat, por vetëm niveli i përfaqësimit dhe seriozitetit që PD tregon ndaj atyre që e kanë votuar. “Atëherë këtu po reagoj menjëherë. Për mua nuk janë personat shumë të rëndësishëm. Ne si CDU kemi interes të kemi një PD të fortë. PD është partia opozitare ka një përgjegjësi të madhe për të bërë opozitën në parlament. Kjo duhet të realizohet nga PD që ka përfaqësues të popullit. Më interesojnë pak figurat e veçantë. Më shumë më intereson forcimi i partisë. Ky është qëndrimi ynë si CDU/CSU”, tha ai.
Reagimi i Bardhit
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka komentuar deklaratën e bërë dje në Tiranë nga Raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer, në lidhje me kreun e selisë blu, Sali Berisha. Sipas Bardhit, Gjermania e bëri të qartë se nuk do të ketë bashkëpunim me PD-në e drejtuar nga Berisha, dhe ky i fundit e ka futur këtë forcë politike në një rrugë pa krye. “Babi Zenit duhet të kërkojë ndjesë që gënjeu demokratët që qëndrimi i Gunther Krichbaum deputet i CDU/CSU në Bundestag, është personal. Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në CDU Peter Beyer konfirmon se nuk do të ketë bashkëpunim me Sali Berishën, të shpallur nongrata nga SHBA për korrupsion madhor. Sali Berisha nuk mund të fshihet dhe të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk kupton. Ai e ka futur Partinë Demokratike në një rrugë pa krye, duke e izoluar ndërkombtarish dhe duke çimentuar në këtë mënyrë regjimin e Edi Ramës”, shkruan Bardhi në Tëitter.