“Thika” që ndan Bulevardin e Ri me “Zogun e Parë”, qetësi dhe kaos

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Si ke dalë nga unaza, tek kryqëzimi ku dikur ishte Stacioni i Trenit, dhe ke lënë pas lukuninë e makinave me boritë që bien pambarim, papritur je futur në një tjetër oaz, shumë më të qetë, i cili nuk ngjan aspak me pjesën fort të urbanizuar të Tiranës, siç është territori që përmbledh perimetrin brenda Unazës së Mesme. Pra, je futur në Bulevardin e Ri. Jo në një dimension të ri, kuptohet…

…Do të duheshin të paktën 80 vjet që kryeqyteti të bëhej edhe me një bulevard të tretë në të njëjtin aks. Në atë që simbolizon dhe aksin më domethënës në Shqipëri. Pra kemi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Zogu i Parë” dhe “Bulevardin e Ri”. Ky i fundit i nisur fillimisht në vitin 2013 dhe i përfunduar në 2019 nuk ka ndonjë emër specifik. Ndërsa dihet që segmentet e tjera të këtij aksi kanë kaluar në disa etapa emërtimesh, sepse fillimisht bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbante emrin “Zogu i Parë”, dhe më pas ajo që sot quhet “Zogu i Parë” dikur quhej “Bulevardi Stalin”. Ndoshta dhe për këtë shkak “Bulevardi i Ri” është lënë pa emër, sepse me siguri pushtetet që do të vijnë më pas do ia ndërrojnë sërish emrin.

Inspektim i pamotivuar

Mund të quhej ndryshe dhe një xhiro rikonjicioni, – në terma ushtarakë, – e që do të thotë: njohje terreni, – në terma civil. Nëse do ta marrësh në këmbë, Bulevardit të Ri mund të ecësh qetësisht në rrugën dedikuar taksive dhe autobusëve. Duke qenë se ende asnjë linjë autobusi nuk kalon në këtë segment dhe taksitë më së shumti kalojnë në rrugën kryesore, me dy ndarje. Për shkak të trafikut të pakët, kjo rrugë më së shumti përdoret nga biçiklistët, që gjithashtu e kanë një rrugë të tyre të dedikuar. Por si gjithmonë ne shqiptarëve na pëlqejnë t’i thyejmë rregullat, sidomos kur e dimë që nuk na vëzhgon njeri dhe vigjilenca e policisë rrugore është e ulët.

Bulevardi i Ri është 1600 metra i gjatë, me një gjerësi tërësore prej 70 metrash, por që vetëm 1/3 e kësaj gjerësie përdoret nga automjetet. Pjesa tjetër është e dedikuar për korsitë e biçikletave dhe zonat e këmbësorëve. Midis tyre nuk mungojnë as pemët pisha dhe as gjelbërimi elementar. Por ka dhe plot stola, padyshim, ku mund të rrish e të çlodhesh nëse dielli të bie në kokë.

Si ke kaluar semaforin e dytë, poshtë ish-Stacionit të Trenit, për nostalgji e për t’i thënë botës se edhe ne kemi pasur hekurudhë, mbi një platformë është vendosur relika e një lokomotive. Është lokomotiva e parë e prodhuar në vitin 1951, në “Fablok of Chrzanoë” Poloni, për hekurudhën shqiptare. Quhej “Avullorja 02” e cila e përfundoi misionin e saj në vitin 1986. Por nuk do të ishte keq sikur përballë saj të vendosej edhe një lokomotivë tjetër, cilat e të cilave prehen në Stacionin e Durrësit, e cila njihej gjerësisht si kampionia e tërheqjes së vagonëve të punës dhe të udhëtarëve, e që ishte lokomotiva T669 e prodhimit çek.

Fundi i aksit

Pasi ke kaluar gjashtë semaforë, së fundi ke mbërritur në pikën fundore të Bulevardit të Ri, aty ku disa traversa betoni të pengojnë të vazhdosh udhëtimin. Le që nuk ke ku të vesh më shumë se aq. Përtej është Paskuqani. Janë disa fshatra të Tiranës, të cilat pak nga pak po e humbasin identitetin sepse po bëhen pjesë përbërëse të kryeqytetit. Thënë ndryshe, emër fshati, por lagje qyteti. Duket se këtë fat do të ketë dhe Paskuqani.

Nëse do të udhëtosh më shumë nga sa është asfalt, atë mund ta bësh vetëm në këmbë pasi përballesh me pirgje dheu të hedhur, saqë është ngritur një kodrinë e vogël.

Me një shpejtësi të moderuar dhe duke ndaluar në pestë semaforë, segmenti prej 1.6 kilometrash i Bulevardit të Ri përshkohet me makinë për 3.5 minuta. Në këmbë do të duhen rreth 20 minuta.

Prej pikës fundore orientohesh lehtë me qendrën e Tiranës, jo vetëm sepse aksi është i drejtë e nuk ke nga ngatërrohesh, por prej atij pozicioni duket pika e referimit që është një ndërtesë 45-katëshe ende në ndërtim. Gjithsesi, Tirana është një qytet që në qendër gjithmonë e ka pasur një kullë për pikë orientimi. Dikur ishte Kulla e Sahatit, por edhe minarja e xhamisë së Et’hem Beut. Më pas si pikë orientimi u bë 15-katëshi, ndërtesa më e lartë në Shqipërinë komuniste. Dhe në ditët e sotme merret si pikë orientimi 45-katëshi i 15-katëshit. Kështu që përsëri jemi në rregull.

Retrospektiva dhe avangarda

Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, në Tiranën monarkike u ngrit si lapidar shprehja “Bulevardi pa qytet” sepse aksi i bulevardit projektuar nga Florestano de Fausto dhe Armando Brasini, të dy italianë, nuk kufizohej nga ndërtesa por thjesht nga një tokë fushore. Por shpejt Tirana do të njihte një bum ndërtimesh dhe bulevardi u bë me qytet.

Sot, kjo shprehje i përket Bulevardit të Ri. Investimet janë të pakta dhe zona ende nuk është futur në ndërtim, me përjashtime modeste. Kjo do të thotë se ndërtuesit ndoshta ende nuk kanë interes për këtë zonë. Ndërkohë që janë po ata të cilët kanë mbingarkuar territorin brenda unazës duke e bërë Tiranën më të betonuar.

Ndërtesa më e fuqishme qeveritare në Bulevardin e Ri është një dykatëshe ku me germa të mëdha blu shkruhet “Policia Bashkiake”. Pak më tutje, në të djathtë, në tokat djerrë është ngritur një treg provizor për shitjen e rrobave të përdorura. Disa investitorë kryejnë veprimtaritë e tyre në këtë zonë, por të vendosur në territoret ku dikur kanë qenë ndërmarrjet socialiste. Për këtë arsye, trafiku në këtë bulevard është i vakët, një gjë që ndryshon si me thikë nga pjesa tjetër e Bulevardit, e që në fakt është një kaos urban. Gjatë gjithë rrugës të ndjekin posterat – e vendosura mbi telat që kufizojnë bulevardin nga pjesa tjetër ku më së shumti janë ngritur shtepi dykatëshe, – ku shkruhet “Vizioni juaj për qytetin tuaj”, “Zonat e gjelbra” etj… Bashkia është kujdesur që përveç koshave të zakonshëm të mbeturinave të vendosi edhe disa të rinj ku mbi dizajnin e verdhë shkruhej në shqip e anglisht e italisht: “Letër/ Karton, Plastikë/ Qese, Kanoçe/ Metale”

Lexo edhe :  "Shkove tek burri, aty të vdesësh"/ E mitura rrëfen dramën e jetës, si e martuan me zor

Tirana kaotike

Sapo del nga Bulevardi i Ri dhe hyn në bulevardin “Zogu i Parë”, në të hyrë të rrugës së Brrakës dhe në krah të Maternitetit ku dikur ishte një fushë e zezë, janë ngritur pallate me një arkitekturë të thuash moderne, por që më shumë se sa hyjnë në punë, nuk hyjnë në punë. Por nga ndërtesat e dikurshme është ruajtur godina fine e Maternitetit, sipas stilit italian dhe ajo e fakultetit të shkencave sipas stilit sovjetik. Ka dhe më shumë se kaq por që nuk ia vlen t’i përmendim.

Dhe trafiku kaotik vazhdon. Ai ndërpritet në zonën pedonale të Sheshit Skënderbej dhe Parkut Europa, – sepse kalon përmes Unazës së Vogël tashmë, – për të krijuar një lloj disipline mes godinave të Ministrive e deri tek Korpusi i Politeknikut.

Paskthim në histori

Italianët erdhën si pushtues në Shqipërinë e vitit 1939, por nuk u sollën si armiq. Madje, ata, për qëllimet e tyre kolonialiste, u munduan t’u japin një fytyrë “alla romana” qyteteve më të mëdha të tipit oriental në vend. Dhe për të vënë në jetë planin e tyre ambicioz, Benito Musolini solli në Shqipëri arkitektët më të mirë të Romës.

Ariola Prifti, Doktore e Shkencave në Trashëgimi Kulturore, e cila është marrë gjatë me një studim të thelluar mbi profilin arkitekturor të Shqipërisë në vitet 1925-1943, ka dhënë një panoramë më të qartë rreth investimeve italiane në periudhën e Zogut dhe të asaj që u drejtua nga Fasho, kur në një intervistë për “Fjala” është shprehur: Pati një kërkesë nga qeveria shqiptare, që italianët të merrnin në dorë planin rregullues të Tiranës. Qeveria fashiste do dërgonte një nga eksponentët më aktivë të urbanistikës italiane të kohës, arkitektin Armando Brasini. Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1925, me dëshirën për të projektuar një qytet monumental. Propozoi ndryshimin e Tiranës duke u frymëzuar nga stili barok. Pas analizës që Brasini bëri për kryeqytetin, – në të cilin mbizotëronin tiparet orientale, -mendoi të ndërhynte në mënyrë radikale në raport me indin urban të qytetit, duke krijuar një prerje të fortë me sensin e një bulevardi monumental. Orientimi i bulevardit do të ishte sipas aksit veri-jug, tipar ky i ndërhyrjeve urbanistike që kryenin romakët e lashtë në kolonitë e tyre, sipas aksit të ashtuquajtur në latinisht “cordo maximus”, duke krijuar në pjesën e ndërthurjes së akseve një “Forum”, që në latinisht është sheshi, pra “Piazza”. Brasini i dha një karakter të fortë gjysmë rrethor sheshit të ministrive. Gjuha arkitektonike e propozuar prej tij ishte e tipit neoklasik-monumental, ku shpesh dalin në pah trajtat baroke. Në planin rregullues të Tiranës u përfshinë edhe arkitektët e talentuar të viteve ‘30, Florestano di Fausto dhe Gherardo Bosio. Këta i dhanë Tiranës frymën e një kryeqyteti perëndimor modern. Këto ndërtesa të ndërtuara në njëzetvjeçarin fashist, kanë lënë shenja të thella në të gjitha kolonitë italiane ku ato janë ndërtuar. Pas manisë së madhështisë së Benito Musolinit, fshihet një rrymë arkitektonike ndër më interesantet dhe inovativet. Brasini propozoi një plan i cili parashikonte që qenda e Tiranës të përbëhej nga një grup me 6-të ndërtesa për ministritë dhe në mes të tyre do kishte një bulevard qendror. Ky plan në vazhdimësi do të kishte edhe variante të tjera, të cilat u thjeshtëzuan nga Florestano di Fausto. Projekti i Brasinit ishte madhështor, madje të krijohet përshtypja sikur ka ngjashmëri me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ai mendonte të krijonte një qendër monumentale gjatësore, pa u përzier me pjesën tjetër të qytetit ekzistues. Ky aks monumental duhet të ishte zinxhir linear i lidhjes ndërmjet qytetit të vjetër dhe atij të ri që do të ndërtohej. Në bulevard pjesa e xhamisë është ruajtur gjithmonë, kjo ishte kryesore për arkitektët. Sepse kishin si synim të ruanin tiparet e vendit ku punonin. Pra nëse i referohemi ndërtesës së Politeknikut, shohim që është ruajtur tipari i kullës shqiptare. Kjo lloj kulle përdorej gjerësisht në Veri por dhe në Gjirokastër. Në këtë mënyrë u përshtat arkitektura moderne me arkitekturën vendase.

Të dhëna rastësore

I gjitha aksi, që fillon tek Sheshi Nënë Tereza e deri në fundin e Bulevardit të Ri, kap një gjatësi prej 3500 metrash.

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga sheshi Nënë Tereza deri në Sheshin Skënderbej shtrihet në një gjatësi lineare rreth 1300 metrash.

-Bulevardi “Zogu i Parë” nga ish-Stacioni i Trenit deri në Sheshin Skënderbej, shtrihet në një gjatësi prej 600 metër.

Bulevardi i Ri që nis nga ish-Stacioni i Trenit deri në Paskuqan ka një gjatësi prej 1600 metrash.

Nëse nuk i mbledh dot me mend, mund të përdorësh kalkulatorin elektronik të telefonit dhe përsëri do të marrësh të njëjtën shifër.

Kjo është Tirana moderne, – kryeqyteti i Shqipërisë, – por vetëm në aksin kryesor të saj.


Të fundit

Vrasja e gruas shtatzënë nga ish bashkëshorti, pezullohen katër policë në Kosovë

Vrasja e gruas shtatzënë, Hamide Magashi nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili në ambientet e spitalit në Prishtinë  tronditi...

BE i bën presion Serbisë për sanksionet kundër Rusisë

Presioni i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë është duke u rritur, për shkak të refuzimit të Beogradit për t’i mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, thonë diplomatë evropianë. Nga...

Loredana thumbon Serbet, “Kurrë mos u ngatërroni me shqiptarët”

Këngëtarja Loredana Zefi ka treguar mbështetjen e saj për shqiptart që janë pjesë e skuadrës zvicerane që u përball një natë më parë me Serbinë....

Moti merr kthesë. Çfarë pritet nga nesër

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike do të dominojnë të gjithë vendin tonë për gjatë gjithë 24 orëshit, duke sjellë në territor vranësira të shumta të...

Arjan Çani thyen heshtjen, flet për herë të parë pas largimit nga Tv Klan

Lajmi se emisioni i së premtes “Zonë e Lirë”, nuk do të transmetohet më në Tv Klan bëri shumë bujë para pak muajsh. Kjo...

Lajme të tjera

Web TV