Tym e flakë në Sazan, te Lungomare birra dhe aheng pasioni

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Herë pas here, është vërtetuar se edhe pse një strukturë e rregullt, Emergjencat Civile në Shqipëri nuk janë fort efikase. Sepse sa herë ndodh ndonjë kataklizmë, u drejtohemi të huajve për ndihmë. Kjo do të thotë se Emergjencat Civile i ke, por zëre se s’i ke. Ke njerëz në krye të detyrës, por nuk ke mjete. Kështu që: ku ishim – hiçgjëkundi…

Nëse bie zjarr në Shqipëri, – për pyjet pa zot e kam fjalën jo në vilën e ndonjë oligarku – ne i kthejmë sytë nga qielli dhe i lutemi Perëndisë të na hedhë ndonjë pikë shiu. Se ne, aha, nuk e luajmë bythën vendit që të shkojmë e ta shuajmë.

-Pse bëhet shaka me zjarrin?!

Në logjikën e përhershme të rehatisë personale, e kemi mirë, se duam që tymi të na shkojë drejt, dhe nuk duam që tymin e oxhakut tonë ta ngatërrojmë me tymin e zjarrit që na vjen nga Sazani, fjala vjen.

Pastaj ne si popull e njohim mirë trekëndëshin revolucionar: me zjarrin jo e jo, as me ujin nuk bëhet shaka, por dhe me qeverinë mos e kruaj!

Ndaj le të bjerë zjarr e le të digjet ishulli se nuk e kalon dot mezokanalin e të mbërrijë në Karaburun. Pastaj Sazani është pronë e qeverisë e ajo të bëjë ç’të dojë.

Dhe qeveria i dha drejtim. Si nuk i doli dot për zot nja 3-4 ditë të mira, thirri për ndihmë avion “Canadair CL 415” të forcave greke të emergjencës. Grekët po erdhën menjëherë, ngaqë janë stërvitur fort me zjarret e tyre. Se dhe në Greqi bie zjarr, nuk është se i mbron Apoloni. Por ata i kanë blerë ca helikopterë nga ata që marrin ujë në det dhe e hedhin mbi zjarr. Ja kaq e lehtë është puna.

-Tobe stakfrullah!

Ka dhe një mënyrë tjetër, të shpejtë e efikase: kur mobilizohesh si popull dhe ashtu me kova e legenë, i hedh ujë zjarrit. Jo benzinë në këtë rast. Meqenëse nuk kemi helikopterë. Se kemi vite që s’kemi, por zjarret ccuditërisht i kemi të përvitshme. Dhe qeveria e ka të lehtë sa herë plas zjarri, thërret grekun dhe e paguan me paratë e tua, si popull. Por ti si popull mund ta bësh… nëse ke dhe sensin e duhur qytetar… me punë vullnetare. Ja ashtu, yxhym. Se me aq birra sa pihen në Lungomare, po t’ia hedhësh zjarrit, e shuan.

A bëhet me e hedh si ide këtë të fundit, duke i hequr alkoolin sigurisht?

-Mos e dhëntë Zoti…

Mirëpo të hedhësh idenë për të dalë vullnetar e të shkojmë ta shuajmë zjarrin me mjete rrethanore, aha… gjete kë të kandisësh. Se tek ne fjala vullnetarizëm është hequr nga fjalori, sidomos pas abuzivizmit në kohën e “xhaxhit” ku qeveria demek ta linte të dielën pushim, por organizatat e masave ta kthenin në punë vullnetare… të detyruar.  Fjala dhe veprimi bashkë morën një sens më pezhorativ, kur pas vitit 1985 e “diela vullnetare” u kthye në “ditën e Enverit”. Thuhet se ky i fundit kishte shkuar mos linte ndonjë takim me Shën Pjetrin, por në emrin e tij punohej e derdhej djersa çurg pa para, për të mirën e socializmit. Por as kjo nuk e shpëtoi socializmin. Por Sazanin e shpëton. Se dy kovë ujë duhen të shkretën. Dhe Sazani për shans është m’u në mes të ujit.  Ndaj një ditë punë vullnetare do ta kishte shuar flakën shumë më parë se të digjej e të shkretoheshin kush e di sa hektarë gjelbërim.

Lexo edhe :  Ekziston një mënyrë për të mposhtur një kontroll të së djathtës ekstreme

Por për punë vullnetare nuk flitet në Shqipëri se të rrasin në “tabelën e emulacionit” e të thonë se po na kthen pas në kohën e Baba Qemos.

-Allau na rrojtë! Që misrin e prishi ca bryma, e prishi.., po në qoftë llaf pe kulaku nuk e zë më në gojë. I kam sahanët e ndarë me ata.

Mirëpo ajo kohë ka ikur. Tanimë puna vullnetare ka të bëjë me sensin qytetar, dhe jo me punën e papaguar si fshatar kooperative për zhveshje misri dhe prashitje panxhari. Edhe kur ra tërmeti i nëntorit 2019 njerëzisë nuk i bëri thirrje kush për punë vullnetare, dolën vetë të ndihmonin tjetrin me aq sa mundeshin. Kjo ka të bëjë me sensin qytetar. Ja, kaq gjë mund ta bënim dhe për Sazanin.

-Vjen puna kështu more vëllezër, njëlloj si dje në luftë, nuk mund të rrish dot mënjanë… O do të tregohesh patriot, o je….

-Shumë thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne!

Po sa rrimë në Lungomare, dëgjojmë muzikë live, dehemi me birra, e shajmë mbarë e mbrapsht në tavolina, do kishim bërë mirë që me ato skafet e turizmit që shëtisim për të parë bregdetin, të kishim hedhur ca djem deri në Sazan. Pesë minuta me skaf janë të shkretat nga Triporti tek kalatat e ish-bazës detare të katrave silurues. Edhe zjarrin e kishim shuar në një kohë rekord, edhe grekut nuk i ishim lutur të na ndihmonte. Se dukemi të pafuqishëm përballë një zjarri dhe bëjmë sehir si llavën e vullkanit që shpërthen nga Vezuvi…

Ne një ishull mezi e kemi. Nuk jemi si grekërit që i kanë ishujt me duzina. Laj-thaj, Sazani na ka mbetur. Me të dikur mburreshim se e kishim kthyer në fortifikatë buzë Adriatikut e sot po mundohemi ta kthejmë në atraksion turistik. Ndaj Sazani duhet mbajtur i gjelbëruar, që ata turistë të cilët e kanë ndarë mendjen ta vizitojnë të mos i hedhin rezervimet në det.

Të fundit

Barcelona shkatërron Valencian me goleadë, katalanasit tregohen të pamëshirshëm

Barcelona rikthehet te fitorja në La Liga. Katalanasit triumfuan me rezultat të çmendur 7-1 ndaj Valencias, në një ndeshje...

Giorgia Meloni në Arabinë Saudite, marrëveshje bashkëpunimi 10 miliardë dollarë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zhvilluar sot një takim dypalësh me Princin dhe Kryeministrin e Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman. Takimi u zhvillua në një...

Përgatitjet e socialistëve për zgjedhjet e 11 majit, Koçi: Në terren 140 kandidatë

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në një intervistë televizive, foli për përgatitjet që PS po bën për zgjedhjet që pritet të...

SHBA nis aksionin për ‘goditjen’ e emigrantëve pa dokumente, qindra dëbime dhe arrestime

Autoritetet amerikane po arrestojnë tashmë qindra emigrantë pa dokumente në ditë dhe po i dërgojnë ata në vendet e tyre të origjinës, duke përmbushur...

Manchester United rikthehet tek fitorja, Djajtë triumfojnë në transfertën e Fulham

Manchester United ka siguruar një fitore minimale në transfertë ndaj Fulham, duke marrë pikë të rëndësishme për klasifikimin dhe moralin. Skuadra e Amorim, përsëri nuk...

Lajme të tjera

Web TV