Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në pjesën e jashtme të një biznesi në Durrës.
Policia njofton zyrtarisht se rreth orës 03.10, në lagjen 17/1 rruga “Shenjtoret”, në fasadën e dyqanit të shtetasit Sh.A., 58 vjeç, dyshohet se shtetasi D.K., 31 vjec, banues në Burrel, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hedhur një sasi të vogël lëndë plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes shtetasit SH.A. dhe D.K.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për dokumentimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarjeje.
Shaban Aga, pronari i biznesit që u sulmua me lëndë eksplozive, ka deklaruar për gazetaren Klodjana Haxhiaj se kjo është hera e pestë që sulmohet brenda muajit në banesën e tij dhe bën apel për gjetjen e autorëve dhe vendosjes së drejtësisë.
“Është e pesta herë brenda muajit që e kanë sulmuar në banesën e tij. Dy herë më kanë hyrë në banesë dhe më kanë lyer makinën me benzinë. Dy herë më kanë qëlluar në drejtim të banesës me armë dhe kjo është hera e pestë që më hedhin tritol. Si pasojë e kësaj raprezaleje, 3 fëmijët i kam nisur në Gjermani dhe në Angli. Jetoja vetëm në shtëpi, ndërsa gruan e kisha çuar te njerëzit e saj. Kërkoj drejtësi, të zbardhet kjo ngjarje. Kush janë këta persona të interesuar të më godasin, kur unë filmimet jam kam çuar dhe policisë”, tha 58-vjeçari.
I pyetur nëse kjo ka të bëjë me politikën, duke qenë se është kryetari i grupseksionit të PD në lagje, Aga mohoi.
“Nuk besoj se ka motiv politik ky sulm”, tha ai.
Ndërkohë lidhur me dyshmet e policisë për një 31-vjeçar nga Burreli, me të cilin thotë se ka pasur konflikte, 58-vjeçari deklaron se nuk ka asnjë problem me atë person dhe nuk i ka asnjë borxh.
“Nuk kam asnjë problem me atë person që thotë policia, nuk i kam ndonjë borxh. Unë kam 22 vjet që jetoj në zonën e Kënetës, më njeh gjithë lagjja që unë nuk i kam borxh askujt.
Ai mendon se djali im i ka borxh 31-vjeçarit nga Burreli, por djali im është sqaruar.
Para disa muajsh më ka çuar fjalë ky person që ka pasur një borxh të pashlyer me djalin tim në Angli, por i thashë nga unë si prind a të kam ndonjë detyrim, unë si person? Unë nuk i kam gjë detyrim dhe as djali nuk i ka, është sqaruar. Dua që këtë çështjes ta zgjidhë policia, ose më duhet të iki nga shtëpia ime, por s’kam pse të iki, ose të gjej rrugë të tjera që të zgjidh këtë problem”, deklaroi 58-vjeçari.