PicMonkey CollageSëmundja celiake është një problem që disa njerëz kanë me ushqimet që përmbajnë gluten, një çrregullim i traktit tretës me natyrë autoimune që rezulton në dëmtimin e veshjes së zorrës së hollë kur konsumohen ushqime që përmbajnë gluten. Gluteni është një lloj proteine që gjendet në drithëra, si gruri, elbi e thekra. Dëmtimi i zorrës e bën të vështirë përthithjen e lëndëve ushqyese, sidomos yndyrnave, kalciumit, hekurit dhe folateve. Rozana Aleksi, mjeke gastro-hepatologe, shpjegon rëndësinë e trajtimit të kësaj sëmundjeje. Është e rëndësishme të trajtohesh, thekson mjekja, sepse sëmundja celiake mund të çojë në anemi, osteoporozë, si dhe rrit rrezikun e limfomës. Te fëmijët, sëmundja celiake mund të ngadalësojë rritjen dhe të dobësojë kockat. Nëse nuk trajtohet, fëmija juaj mund të sëmuret rëndë.
Doktoreshë, çfarë është sëmundja celiake?
Sëmundja celiake është një çrregullim autoimun, i cili bën që sistemi imunitar të dëmtojë veshjen e zorrës së hollë, që është pjesa e traktit tretës midis stomakut dhe zorrës së trashë. Zorra e hollë, që është rreth 10 m e gjatë, përfundon procesin e tretjes, përthith lëndët ushqyese dhe përcjell mbetjet ushqimore në zorrën e trashë. Zorra e hollë vishet nga protuberime në formë gishti që quhen vilë. Këto normalisht lejojnë lëndët ushqyese të përthithen në qarkullimin e gjakut. Pa vile të shëndetshme, lëndët ushqyese do kalojnë nëpër zorrën e hollë pa u përthithur dhe mund të japin kequshqyerje.
A mund të shërohet kjo sëmundje?
Sëmundja celiake është sëmundje e përjetshme. Ajo klasifikohet dhe çrregullim autoimun, sepse trupi dëmton veten, edhe sëmundje keqpërthithjeje, pasi trupi nuk përthith lëndët ushqyese që i nevojiten për të funksionuar siç duhet. Në sëmundjen celiake, kur ju hani ushqime që përmbajnë gluten, sistemi imunitar përgjigjet duke dëmtuar qelizat dhe shkatërruar vilet që veshin zorrën e hollë. Megjithatë, nëse ju ndryshoni ushqyerjen dhe konsumoni një dietë pa gluten, mund të ktheni mbrapsht dëmtimet e shoqëruara me sëmundjen celiake.
Çfarë ndodh?
Sëmundja celiake është një gjendje e përjetshme (kronike), që ndodh kur gluteni nxit një përgjigje jonormale të sistemit imunitar, e cila dëmton zorrën e hollë. Zorra e hollë është e veshur me copëza në formë gishti, të imta, që quhen vile. Vilet krijojnë një sipërfaqe të madhe që përthith vitaminat, sheqernat dhe lëndë të tjera ushqyese kur ushqimi kalon në zorrën e hollë. Kur një person që ka sëmundje celiake ha gluten, vilet sheshohen dhe veshja e zorrës dëmtohet. Kjo zvogëlon sipërfaqen që thith lëndët ushqyese. Në disa raste, kjo pamundësi për të thithur lëndët ushqyese mund të jetë aq e theksuar sa të ndalojë rritjen dhe të dobësojë kockat. Humbja e vitaminave dhe mineraleve mund të çojë në probleme të tjera, si: anemi, osteoprorozë apo vonesë në rritje tek fëmijët. Njerëzit që kanë sëmundje celiake, mund të kenë periudha përkeqësimi, kur simptomat janë më të rënda apo të mos kenë asnjë simptomë.
Tek të rriturit simptomat mund të ndodhin në çdo moshë, por më tepër ndodhin në dhjetëvjeçarin e tretë apo të katërt. Ndonjëherë një person me sëmundje celiake mund të mos ketë simptoma pas ngrënies së ushqimeve me gluten, por dëmtimi në zorrën e hollë vazhdon të ndodhë.
Po nëse njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje zgjedhin një dietë pa gluten? A do të kishte përmirësim të sëmundjes?
Brenda 2 javësh të një diete pa gluten, shumica e njerëzve me sëmundje celiake kanë përmirësim të simptomave. Simptomat duhet të zhduken plotësisht brenda 3 muajve, por duhet deri 6 muaj apo më gjatë të një diete pa gluten që vilet e zorrës të rigjenerohen e të kthehen në normalitet. Mbajtja e një diete pa gluten zakonisht pengon rikthimin e simptomave dhe ul rrezikun e komplikacioneve.
Çfarë ndodh nëse nuk trajtohet si sëmundje?
Nëse nuk trajtohet, sëmundja celiake mund të çojë në probleme të tjera. Mund të keni probleme me kujtesën dhe përqendrimin. Fëmijët mund të jenë nervozë. Të rriturit mund të shfaqin shenja depresioni.
Çfarë e shkakton këtë sëmundje
Rreziku për sëmundje celiake shkon me familje. Nëse një i afërm i ngushtë (prind, fëmijë, vëlla, motër) vuan nga kjo sëmundje, shanset që dhe ju ta keni, janë më të larta. Kur një person e ka këtë rrezik, një infeksion apo diçka tjetër mund të nxisë ndryshimet në zorrën e hollë. Gjithashtu, sëmundja celiake është më e zakonshme në njerëzit që kanë:
Diabet tipi 1
Sëmundje autoimmune të tiroides.
-Lupus
-Artrit reumatoid
-Sindromë Daun
-Sindromë Sjorgen(një çrregullim që shkakton pamjaftueshmëri në sekretimin e gjendrave)
-Deficence selektive antikorpesh (immunoglobulin A [IgA] deficiency).
-Sëmundja celiake mund të çojë në anemi e osteoporozë dhe rrit rrezikun e limfomës. Te fëmijët, -sëmundja celiake mund të ngadalësojë rritjen dhe të dobësojë kockat
-Sëmundja celiake mund ta bëjë një person të ndjeshëm ndaj problemeve të tjera shëndetësore si:
-Osteoporoza, një sëmundje që dobëson kockat dhe çon në fraktura. Kjo ndodh sepse personi ka vështirësi në përthithjen e kalumit të nevojshëm dhe vitaminës D.
-Ndërprerje shtatzënie dhe infertilitet.
-Defekte të lindjes, si defekte të tubit neural (formim i papërshtatshëm i shtyllës kurrizore) i shkaktuar nga absorbimi i varfër i lëndëve ushqyese si acidi folik.
Konvulsione.
-Probleme të rritjes në fëmijë.
-Kancer të zorrës (shumë rrallë)
Diagnostikimi i sëmundjes celiake
Meqë sëmundja celiake ngjan me sëmundje të tjera, si përshembull, sindromi i zorrës së irrituar, sëmundja Crohn dhe divertikuliti, shpesh është e vështirë të diagnostikohet. Pas diskutimit të simptomave, mjeku gastr-oenterolog bën një analizë gjaku për të parë nëse keni numër të rritur autoantikorpesh, të cilët janë antitrupa që reagojnë ndaj indeve të trupit.
Nëse testet e gjakut janë pozitive, gastro-eneterologu mund të kryejë endoskopi për të marrë një copëz indi (biopsi) nga zorra e hollë për të parë nëse ka dëmtim të vileve. Kjo bëhet nëpërmjet një tubi të hollë fleksibël me një kamerë të vogël dhe dritë në majë. Biopsia dhe testet e gjakut mund të normalizohen gjatë dietës pa gluten. Nëse mendoni se keni sëmundje celiake, mos eliminoni glutenin nga dieta pa u testuar më parë.
Cilat janë shenjat klinike që e shoqërojnë këtë sëmundje
Simptomat variojnë dhe mund të shkojnë e vijnë. Ato mund të jenë shumë të lehta dhe të kalojnë pa u vënë re ose mund të jenë të rënda dhe të kenë impakt të rëndësishëm në jetën e përditshme.
Simptomat:
Gazra, fryrje barku. Këto simptoma vijnë nga pamundësia e zorrës së hollë për të thithur lëndët ushqimore në ushqim. Mund të keni dhimbje të lehtë stomaku, por kjo zakonisht nuk është e theksuar.
Feçe jonormale. Diarreja, feçe të shtuara në sasi, të ujshme, të zbehta, me shkumë, me erë të rëndë hasen shpesh. Feçet mund të përmbajnë sasi të madhe yndyre, të jenë të ngjitshme dhe të vështira për t’u shpëlare nga tualeti. Fëmijët dhe të rriturit shpesh kanë të njëjtat simptoma. Por problemet e zorrës, si kapsllëku, kanë gjasa të ndodhin më shumë tek fëmijët.
Humbje në peshë. Të rriturit dhe fëmijët mund të kenë humbje të pashpjegueshme peshe me gjithë oreksin normal. Fëmijët më të vegjël mund të mos shtojnë në peshë dhe rriten normalisht. Kjo gjë quhet pamundësi e rritjes së kënaqshme.
Lodhje dhe dobësi trupore. Sëmundja celiake mund të shkaktojë mungesë të energjisë dhe fuqisë. Ndonjëherë mospërthithja e duhur e lëndëve ushqimore shkakton lodhje dhe dobësi trupore.
Të vjellat. Disa njerëz mund të kenë të vjella pasi hanë gluten. Kjo është më e prirur të ndodhë tek fëmijët sesa tek të rriturit.
-Probleme të tjera
-Anemi e pashpjegueshme: numër i ulët i rruazave të kuqe që shkakton anemi
-Ndryshime të sjelljes: irritueshmëria është e zakonshme tek fëmijët
-Mpirje shpuese e këmbëve: nga dëmtimi i nervave
-Dhimbje kockash apo kyçesh
-Krampe muskulare
-Vonesë në rritje te fëmijët apo zhvillimi tek foshnjat
-Plagë të zbehta në gojë, të quajtura ulcera aftoze
-Skuqje me kruarje e lëkurës që quhet dermatit herpetiform
-Osteoporozë, sidomos në moshat e reja
-Nivel i ulur i hekurit në gjak
Trajtimi ushqimor
Trajtimi parësor për sëmundjen celiake është ndjekja e dietës strikte pa gluten. Kjo dietë e mbajtur për gjithë jetën do ndihmojë në ruajtjen e zorrës së hollë.
Dieta pa gluten
Drithërat, duke përfshirë dhe produktet e grurit, janë një burim kryesor ushqimi. Pas diagnostikimit të sëmundjes celiake, mjeku gastro-enterolog apo dietologu do t’ju ndihmojë të formuloni një dietë pa produkte që përmbajnë gluten, por duke siguruar që ju të merrni lëndët e nevojshme ushqimore. Duhet të mësoni të lexoni etiketat e përmbajtjes ushqimore të produkteve për t’u siguruar që ato nuk përmbajnë gluten. Prezantimi me dietën pa gluten mund të duket i papërballueshëm, sidomos për një fëmijë, por ka shumë ushqime që mund të zëvendësojnë ushqimet tradicionale me përmbajtje gruri.
Disa ushqime që ju lejohet t’i përdorni janë:
Orizi, kafja, misri, liri, bishtajat, meli, arrat, patatet, farërat, soja, oriz i egër.
Ushqime që ndalohen janë:
Gruri, produkte gruri (niseshte gruri, krunde gruri etj), elbi, thekra
Shumë produkte që mendohet se janë pa gluten, shpesh janë të kontaminuar me gluten, si për shembull produktet e tërshërës. Për këtë arsye tërshëra nuk është e lejuar në fillim të dietës së pacientëve me sëmundje celiake.
Në shumë pacientë edhe një sasi e vogël gluteni është e mjaftueshme të shkaktojë dëmtim të zorrës, edhe nëse ju nuk ndjeni shqetësime.
Edhe nëse tentoni “të bëni hile” dhe të mos ndieni ndonjë shqetësim kur e bëni këtë, është e rëndësishme të kujtoni që mund të shkaktoni rrezik për probleme afatgjata.
Përmirësimi
Përmirësimi i simptomave duhet të fillojë brenda disa ditësh nga fillimi i dietës. Edhe pse ju kurrë nuk do të shëroheni plotësisht nga sëmundja celiake, duke u ushqyer pa gluten, zorra e hollë duhet të shërohet për dy vjet në të rriturit dhe brenda pak muajsh në fëmijë dhe adoleshentë. Mjeku mund të marrë një biopsi të dytë rreth 6 muaj pas diagnozës për të konfirmuar që dieta e re po ndihmon në përmirësimin e indit të zorrës. Të shërohesh nga sëmundja celiake do të thotë që zorra e hollë të kthehet në funksion normal dhe të përthithë lëndët ushqyese siç duhet; megjithatë, kjo s’do të thotë që ju të ndërprisni dietën pa gluten. Disa pacientë me sëmundje celiake mund të ndiejnë shqetësime nëse të njëjtat enë përdoren për të gatuar ushqimin e tyre dhe ushqim që përmban gluten.