Analiza ekonomike e së drejtës – shpjegimi i fenomeneve juridike me konceptet ekonomike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

 

Analiza ekonomike e së drejtës, apo “ligji nën optikën ekonomike” është një disiplinë relativisht e re që kërkon të shpjegojë fenomenet juridike falë metodave dhe koncepteve të shkencës ekonomike. Duke ndërthurur teorinë juridike me teorinë ekonomike, “Ligji dhe ekonomia” tenton ti shpjegojë “ndryshe” fenomenet klasike juridike.

 

Aktualisht, koncepti “analizë ekonomike e së drejtës” apo “Ekonomia e së drejtës” përfaqëson një profil të ri studimesh në fushën e së drejtës dhe ekonomisë, në të cilën “instrumentat e shkencës ekonomike përdoren për të analizuar fenoment me natyrë juridike. Analiza kosto-përfitim, kosto mesatare dhe marxhinale, të ardhurat dhe fitimi, parimi ndotës-pagues,efektet kolaterale, testet ekonometrike, etj., janë disa nga konceptet ekonomike që përdoren më shpesh në analizën e fenomeneve juridike në tërësi.

Shpesh, lidhja ndërmjet shkencës ekonomike dhe të drejtës, të con automatikisht drejt konceptit të së “drejtës ekonomike apo financiare”, e cila përmbledh disa degë të së drejtës që kanë të bëjnë me rregullimin e aktiviteteve ekonomike apo financiare të tilla si e drejta bankare, e drejta e konkurrencës, e drejta tregëtare, etj., Por, analiza ekonomike e së drejtës është krejt ndryshe nga një konceptim i tillë. Ajo është një metodë që propozon “leximin e së drejtës me ndihmën e koncepteve të huazuara nga shkencat ekonomike”.

Të dy disiplinat, juridike dhe ekonomike, që prej një kohe të gjatë kanë qënë në “lidhje”me njëra-tjetrën. Përsa i përket sistemit juridik dhe atij politik, mjaft elemente të analizës ekonomike janë trajtuar nga ekonomia politike në një optikë specifike. Tematika e ndërlidhjes midis aspekteve juridike dhe atyre ekonomike gjendet në një numër të madh teorish e shkollash të mnendimit ekonomik: marksizmi, shkolla historike gjermane, shkolla e Frankfurtit, analiza klasike dhe neoklasike, shkolla institucionaliste dhe neo-institucionaliste, neokeynesianiste, etj.

Në një optikë më juridike, egzistojnë dhe një sërë lëvizjesh apo përpjekjesh që kërkojnë “një kuptim e përfshirje më të madhe të ekonomisë në sferën e së drejtës”. “Realizmi juridik” apo “Studime kritike juridike”, në fillimet e shek.XX-të, këmbëngulte në “nevojën e juristëve për të njohur më mirë funksionimin e tregjeve, mekanizmat e vlerës dhe fitimit, të ardhurave dhe inisiativës së lirë, konflikteve dhe hierarkinë ekonomike, raqportet e forcave ekonomike, etj.”

Shfaqjen serioze dhe imponuese në publik, ekonomia e së drejtës e bëri gjatë gjithë shek.XX-të, sidomos me punimet e John Rogers Commons dhe shkollës institucionaliste amerikane, e cila synonte të kuptonte se si sfera ekonomike dhe ajo juridike ndërthureshin dhe ndikonin reciprokisht te njëra-tjetra. Më vonë, në gjysmën e dytë të shek.XX-të, autorë të shquar si Ronald Coase dhe Guido Calabresi, trajtuan problematikën e eksternaliteteve duke hapur një perspektivë të re studimesh të përbashkëta ndërmjet juristëve dhe ekonomistëve, duke i hapur rrugën “analizës së re bashkëkohore të ekonomisë së të drejtës”.

Por, do të ishin disa teoricienë të shquar të shkollës së Cikagos dhe disa universiteteve të tjera prestigjoze amerikane, Richard Posner, Aaron Director,  Henry Manne dhe George Stigler, të cilët i dhanë një vizion të ri dhe zhvillim më bashkëkohor kësaj disipline : bëhej fjalë për të analizuar me ndihmën e instrumenteve mikroekonomike tradicionale, kryesisht analizës së prodhimit, kostos, fitimit dhe eficencës, të rregullave të së drejtës. Në këtë rast, nuk bëhet më fjalë thjesht dhe vetëm “kuptimi se si sfera ekonomike dhe ajo juridike influencojnë reciprokisht te njëra-tjetra, por, te analiza e prodhimit të rregullave të së drejtës dhe vendosjen e rregullave për një të drejtë optimale në një optikë të rregullave dhe logjikës ekonomike.

Në funksion të objektivave të saj kryesore, fushave të kërkimit dhe specializimit të ekonomistëve dhe juristëve, analiza ekonomike e së drejtës ndahet në dy degë apo drejtime themelore : analiza pozitiviste dhe ajo normative. Analiza ekonomike pozitiviste e së drejtës përdor instrumentet e analizës ekonomike për të përshkruar dhe interpretuar efektet e rregullave të së drejtës në sjelljen e aktorëve ekonomikë. Ndërsa, analiza ekonomike normative e së drejtës, bazuar në llogaritjen e eficencës, prodhon rekomandime për politika publike. Përcaktimi i saj më kryesor është ai “optimalitetit – Pareto” dhe kriterit Kaldor – Hick.

Si zhvillime më të fundit të analizës ekonomike të së drejtës konsiderohen përdorimi i teorisë së lojës, vënia në pikëpyetje e racionalitetit të agjentit ekonomik në bazë të mësimeve të psikologjisë kognitive, përdorim në rritje i ekonometrisë dhe statistikave në prodhimin e modeleve gjithnjë e më komplekse, zbatimi i parimeve të neuroekonomisë në analizën ekonomike të ligjit, etj.

Analiza ekonomike e ligjit është një shkollë apo metodologji kërkimi shumë e përhapur dhe vlerësuar në SHBA. Një numër i konsiderueshëm vendimesh të drejtësisë ju referohen koncepteve të huazuara nga shkenca ekonomike; një numër i madh universitetesh zhvillojnë programe e diplomojnë studentë në të tre ciklet në fushën e analizës ekonomike të së drejtës.

Në Europë, kjo rrymë apo shkollë ekonomiko-juridike u zhvillua në fillim të viteve 1980-të, fillimisht në Britaninë e Madhe, Hollandë dhe Gjermani, dhe më vonë u shtri edhe në shumë vende të tjera europiane. Tashmë, edhe “European Association of Law and Economics” është një institucion mjaft aktiv dhe i rëndësishëm në shtrirjen sa më të gjerë të kësaj disipline komplekse kudo në Europë.

Duke i dhënë çmimin Nobel në 1991 Ronald Coase, Komiteti Nobel bëri shumë për të promovuar qasjen ekonomike ndaj ligjit në qarqet akademike. Në zhvillimin e kësaj fushe kërkimore kanë kontribuar edhe laureatë të tjerë: George Stigler (1982) studioi burimet dhe efektet e rregullimit publik, James Buchanan (1986) u interesua për bazat kontraktuale dhe kushtetuese të procesit të vendimmarrjes politike. Gary Becker u shpërblye në vitin 1992 për zgjerimin e fushës së analizës mikroekonomike në një numër të madh sjelljesh jo të tregut, duke përfshirë sjelljen kriminale.

Kësaj liste duhet t’i shtojmë sigurisht edhe Friedrich Hayek, i vlerësuar në vitin 1974 dhe puna e të cilit ka ngjallur prej kohësh interesin e ekonomistëve dhe juristëve, por edhe William Vickrey apo James Mirrlees, fitues i çmimit Nobel në vitin 1996, kontributet e të cilëve në fushën juridike kanë qenë domethënëse.

Ekspertë të ndryshëm shohin në këtë qasje ndërdisiplinore një rizbulim të vonuar të interesit të ekonomistëve “klasikë” për lidhjet e ngushta që bashkojnë disiplinat që ndikojnë në organizimin e shoqërisë (filozofia, ligji, ekonomia, historia). Të përmendura shpesh në këtë drejtim janë veprat e Jeremy Bentham ose Cesare Beccaria në fund të shekullit të 18-të. Në traditën utilitare, llogaritja bentamiane dëshiron që një ligj të vlerësohet në lidhje me aftësinë e tij për të promovuar “lumturinë” e anëtarëve të shoqërisë, për të çliruar një tepricë kënaqësie. Nëse vërtet mund të perceptojmë një ndërlidhje intelektuale midis këtyre pararendësve dhe ithtarëve të analizës bashkëkohore, rezulton se kjo metodë sot hyn në teorinë mikroekonomike.

 

Richard Posner – Funksionet ekonomike të së drejtës

 

Richard Posner konsiderohet si “pionieri i analizës ekonomike të së drejtës”. Duke filluar që në vitin 1969 në gjirin e “National Bureau of the Economic Research”, Posner realizoi një seri kërkimesh me fokus “funksionet ekonomike të së drejtës”, mbi konceptet themelore të së drejtës kushtetuese dhe civile. Ai nuk hezitoi të përdorte parimet themelore të shkencës ekonomike për të “goditur” bazat tradicionale të së drejtës në SHBA, vecanërisht të drejtën e konkurrencës (Antitrust Law).  Posner kontestoi egzistencën e barrierave “të krijuara” për të hyrë në një treg të dhënë, gjë që favorizonte ndërrmarjet e tjera që vepronin në kuadrin e këtij tregu. Për shkollën e analizës të së drejtës, ky konstatim nuk ishte gjë tjetër vecse “reflektim i eficencës më të madhe që kishin ndërrmarjet egzistuese në këtë treg”. Për Posnerin, të vetmet pengesa që ka për të hyrë në një treg, janë ato që imponohen nga pushtetet publike nëpërmjet “masave të rregullimit të tregut”.

Me një këndvështrim krejt të ri për kohën, ai tregoi se “për të gjykuar për egzistencën apo mosegzistencën e konkurrencës nuk mjaftonte vetëm një fotografim i tregut në një moment të dhënë, por mbasi të kesh njohur të drejtën dhe lirinë e konkurrentëve të rinj për të hyrë në këtë treg dhe ofruar atje produktet apo shërbimet e tyre”.

Në këtë kuptim : monopoli nuk e përjashton konkurrencën. Sipas Posner, nëse në treg ka vetëm një ndërrmarje që e dominon atë, por nuk ka asnjë pengesë që ndërrmarje të tjera të hyjnë atje, kjo do të thotë se kjo ndërrmarje është e vetmja që i përgjigjet me eficencë kërkesave të këtij tregu.  Ai e shtriu studimin në shumë elemente të tjera të Common Law : kontratat, përgjegjësia kontraktore dhe jashtë-kontraktore, e drejta penale, konfliktet, arbitrazhet, etj. Teza e tij kryesore synonte të ilustronte eficencën e madhe të së drejtës bazuar në sistemin Common Laë, që nuk vinte nga natyra e së drejtës, por nga qëllimi i saj. Duke mbrojtur këtë tezë, Posner nënvizonte se sistemi gjyqësor anglo-sakson është eficent sepse gjykatësit amerikanë apo britanikë, ndryshe nga magjistratët europianë, kanë motive ekonomike direkte të lidhuara me ushtrimin e juridiksionit të tyre .

Lexo edhe :  Euro nuk del nga "gremina"/ Kursi i këmbimit, 18 prill 2024

Në manualin e tij të parë “Economic Analysis of Law”, Posner hodhi bazat e këtij koncepti të ri. Në të njëjtin vit, ai themeloi dhe “Journal of Legal Studies”, revistën më prestigjoze në trajtimin e problematikës së analizës ekonomike të fenomeneve juridike, e cila botohej nga universiteti i Chicago-s, duke qenë për dhjetë vite edhe kryeredaktori i saj.

Posner evidentonte “dy degë kryesore në analizën ekonomike të së drejtës” : të parën të krijuar nga Adam Smith, e cila analizonte të drejtën ekonomike në kuptimin e mirëfilltë të saj sëbashku me rregullimin e tregut; të dytën, të krijuar nga Jeremy Bentham, me të cilën identifikohej dhe vetë Posneri, e cila aplikonte konceptet e analizës ekonomike në sjelljet jashtë tregut të tilla si aksidentet, kriminaliteti, ndotja, procedurat dhe proceset politike, aborti, droga,etj.

Për Posnerin, njeriu vepron gjithmonë në mënyrë racionale, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në shumë fusha të tjera, pra në gjithë aktivitetin e tij. Sjelljet “kriminale” apo “anti-ligjore” të një individi vijnë si pasojë e “llogaritjeve me natyrë ekonomike” që ai bën : për të frenuar kriminalitetin duhej gjetur “cmimi i drejtë i krimit”, duhej gjetur një ekuilibër i drejtë ndërmjet ashpërsisë së ndëshkimit nga njëra anë dhe probabilitetit të kryerjes së tij nga ana tjetër. Posner dallonte “sjelljen normative” dhe “sjelljen pozitive” në analizën e të drejtës, duke u pozicionuar në favor të sjelljes pozitive, dhe në këtë kuadër ai mbronte hipotezën e tij se “e drejta me origjinë juridike (common laë ose judge-law) inkurajon eficencën, në ndryshim nga e drejta me origjinë legjislative ose rregulluese, që e frenon apo nuk e stimulon eficencën.

Globalizimi po vë në konkurrencë edhe sistemet juridike, dhe sipas Posnerit, sistemi anglo-amerikan i Common Law i bazuar tek jurisprudenca po fiton cdo ditë e më tepër terren si një sistem “i eficencës ekonomike që favorizon zhvillimin e tregjeve” ndaj të drejtës së kodifikuar “romano-gjermane”. Por, megjithëse Posner ka një vizion pozitivist, ai nuk legjitimon një rol të madh të Shtetit në prodhimin e ligjeve, duke e cilësuar Shtetin “vetëm si një institucion ndërmjetësues” të ngjashëm me një ndërmarrje private, por jo një aktor unik në prodhimin e së drejtës.

Richard Posner i ka kushtuar një analizë specifike problemit të krizës financiare globale që filloi në vitin 2008 në SHBA. Nën një fokus të vecantë interpretimi, Posner kritikon kollegët e tij liberalë të “Chicago School” duke nënvizuar se “lëvizjet derregulluese të industrisë financiare që shkaktuan krizën nuk ishin gjë tjetër vecse një rënie e kapitalizmit në kurthin e “laisser-faire”..se kjo katastrofë nuk ishte frut i një “dritëshkurtësie fajtore”, por rezultat i vendimeve individuale racionale, pasojat e të cilave nuk u integruan si duhet me tërësinë e sistemit financiar.

Duke studiuar shkaqet e lindjes dhe mënyrat e shfaqjes së krizës, Posner pozicionohet kundra idesë se fllucka financiare dhe kriza erdhën si pasojë e irracionalitetit të agjentëve ekonomikë, apo si pasojë e “oreksit për risk të sektorit financiar”. Përkundrazi, “egzistenca e flluckës financiare si dhe pasojat e shpërthimit të saj ishin të njohura në mjediset bankare amerikane, por cdo aktor i këtyre mjediseve nuk mund të bënte gjë tjetër vecse të kërkonte të përfitonte nga kjo situatë, sepse në rast të kundërt, duhet të përballej me humbje të rënda në raport me konkurentët e tij”. Ai kërkoi të bindte konservatorët amerikanë, se kjo krizë evidentoi më së miri dështimin e teorisë së “kapaciteteve autorregulluese të tregut” dhe provoi “domosdoshmërinë e ndërhyrjes publike masive për të amortizuar pasojat imediate të saj, ndërkohë që, në një vështrim më afat-gjatë, vetëm një rregullim aktiv dhe orientues i tregjeve financiare do të krijonte mundësitë që një fenomen i tillë të mos përsëritej” .

Sipas tij, gabimi mund të përmblidhet në “dy politikat shkatërruese”: eksesi në ofertën monetare dhe derregullimi i skajshëm i tregjeve financiare, i cili nuk u krye në bazë të argumenteve ekonomike solide, por thjesht në besimin te vetitë autorregulluese të konkurrencës, që i bëri ekonomistët dhe politikanët “të verbër përballë rolit specifik të sektorit monetar e financiar”, që bëri të mos dëgjohej asnjë prej paralajmërimeve për riskun sistemik që po zgjerohej cdo ditë e më tepër. Kundër ideve liberale, Posner mbron qëndrimin se për të dalë nga kriza duhet një “ndërhyrje masive publike, qoftë edhe duke rritur borxhin publik apo taksat”.  Sipas Posnerit, edhe pse ndërhyrja qeveritare konsiderohet si joefektive, ajo do të ndikojë pozitivisht në zbutjen e parashikimeve pesimiste që janë shkaktare nga më kryesoret në thellimin e recesionit apo depresionit .

 

Gary Stanley Becker – Analiza ekonomike e krimit dhe korrupsionit

 

Ekonomist amerikan i njohur vecanërisht për punimet në analizën mikroekonomike në studimin e sjelljes njerëzore de teorinë e kapitalit human. Laureat i cmimit Nobel në vitin 1992. Punimet e tij mbi analizën ekonomike të kriminalitetit hodhën bazat e zhvillimit të “analizës ekonomike të së drejtës” duke ndikuar në njëkohësisht si në teorinë ekonomike ashtu dhe në teorinë e së drejtës. Becker arriti të modelizojë sjelljet devijante nën një optikë racionaliteti duke nënvizuar se ….ekonomia është arti për të nxjerrë sa më shumë përfitime nga jeta….. kërkimet e mia përdorin llogjikën ekonomike për të analizuar problemet shoqërore që ndodhin jashtë preokupimeve të zakonshme të ekonomistëve….metoda ekonomike që unë i referohem nuk supozon se individët janë të motivuar vetëm nga egoizmi dhe dëshira për fitim. Unë përdor një metodë analize dhe jo një hipotezë për motive të vecanta. Jam përpjekur ti shkëpus ekonomistët nga hipoteza e ngushtë e interesit personal, sepse sjellja e njeriut komandohet nga një tërësi elementesh shumë më të larmishëm se sa vlera dhe preferencat. Analiza ime supozon se individët maksimizojnë mirëqënien duke qënë të ndryshëm në karakterin e tyre: egoistë, altruistë, besnikë, mashtrues, mazokistë…..ata tentojnë të parashikojnë sa më mirë pasojat e paqarta të veprimeve të tyre. Një sjellje e caktuar që shikon e nga e ardhmja mund ti ketë rrënjët e saj në të kaluarën, sepse e kaluara ndikon në mënyrë të qëndrueshme në sjelljet dhe vlerat e të sotmes, apo mendimet për të ardhmen.

Në studimin “Crime and punishment : An economic approach “ (1968), Becker propozon një analizë ekonomike të krimit dhe korrupsionit. Ai studion mundësinë e aplikimit të arsyetimit ekonomik në teorinë pozitive të sjelljes kriminale dhe një politike  normative optimale kundrejt krimit. Becker mendon se individët i zgjedhin aktivitetet e tyre si një lloj konsumi individual. Të merresh me një aktivitet kriminal është thjesht një vendim individual që vë në ballancë kostot dhe përfitimet nga ky aktivitet . Individët bëhen kriminelë në funksion të rendimentit financiar të krimit, të krahasuar me rendimentin financiar të pagës në kushte normale ligjore, përfshirë këtu dhe mundësinë e arrestimit apo dënimit. Është e rëndësishme të kuptohet se nxitja për të ushtruar një aktivitet ilegal bëhet më e fortë kur është e vështirë të gjesh një vend pune normal e të rregullt, apo kur ndëshkimet kundra krimit janë të buta apo kur neglizhohet zbatimi i tyre. Korrupsioni përbën një treg me ofertën (atëtë funksionarëve apo politikanëve) dhe kërkesën (atë të bizneseve dhe individëve) e tij. Edhe në këtë rast, tregu i korrupsionit dhe “cmimi” i tij funksionon si raport i kërkesës me ofertën. Ekuilibri i tyre përcakton sasinë optimale të korrupsionit, në sensin që lejon një cmim të dhënë ekuilibri ndërmjet sasisë së ofruara dhe atyre të kërkuara të korrupsionit.

Becker nënvizon rëndësinë që kanë masat ndëshkuese ndaj korrupsionit si mjeti më efektiv i luftës kundër tij. Por, nga ana tjetër, edhe perfeksionimi i metodave të zbulimit të korrupsionit ka rëndësi të madhe, pasi i jep më tepër vlerë masave ndëshkuese. Becker tregon me shembuj konkretë se kur sanksionet janë efektive, kjo cilësohet dhe si “mospagim i krimit”, pra, aktivitetet kriminale shkojnë drejt shuarjes me përjashtim të atyre që pranojnë një shkallë të lartë rreziku.

 

 

 

 

 

Të fundit

11-vjeçarja nga Lezha përfaqëson për herë të parë Shqipërinë në Sanremo Junior

11-vjeçarja nga Lezha, Kiara Ibraj, është një ndër 24 finalistët e këtij edicioni të Sanremo Junior që mbahet në...

‘Le Figaro’: Shqipëria, plazhet më të bukura të verës, nga Dhërmiu në Gjirin e Gramës

Me 300 ditët e saj me diell në vit, ujërat bruz të detit Jon dhe ishujt e saj shkëmborë, Riviera Shqiptare është shtëpia e...

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”

Nga Namir Lapardhaja Një ditë pasi Gazment Bardhi foli për rikthimin e Berishës në PD, duke qenë se ai është kryetar i asaj partie, ka...

Komandanti iranian i prerë! Ja çfarë pritet të ndodhë në orët në vijim

Asnjë dëm nuk u shkaktua në sulmin e Izraelit gjatë natës ndaj Iranit. Kështu deklaroi Siavosh Mihandoust, komandanti i ushtrisë iraniane. Ai i tha televizionit...

Sekreti i Victoria Beckham për të qëndruar në formë është uthulla e mollës

Për të qëndruar në formë, Victoria Beckham pi uthull molle çdo mëngjes dhe shkenca konfirmon fuqitë e saj dobësuese. Pas fizikut të Victoria Beckham...

Lajme të tjera

Web TV