Lojtarët më të mirë në botë kanë dalë gjithmonë nga…asgjëja! Nëse shihni për një moment emrat më të mirë në historinë e futbollit dhe të kaluarën e tyre, kuptohet fare mirë se për të arritur në majë, duhet të jesh i pjekur para kohe nga sforcimet e jetës. E në momentin që nuk ke kaluar asnjë moment të vështirë, atëherë prindërit, këshilluesit e parë të formimit tënd, duhet të edukojnë me frymën e duhur.
Këtu dalim në skenë te Kristjan Asllani. Figura të njohura të Empolit dhe futbollit italian janë shprehur se përpos cilësive që ky lojtar zotëron, i ka bërë përshtypje për shkak të përuljes dhe thjeshtësisë së tij. Nga buron? E thjeshtë, familja. “Sport Ekspres” ka intervistuar babain e Kristjanit, Gentjan Asllanin, pasi i biri firmosi me Interin.
Ajo që të binte menjëherë në sy ishte thjeshtia e tij, aq sa nuk dukej sikur djali i kishte firmosur për Interin, por si të ishte zyrtarizuar në një ekip të Serisë B. Pavarësisht mbërritjes kaq larg për të veshur fanellën e zikaltërve, sërish Gentjani nuk guxon të nxjerrë një fjalë të mirë për të birin, vlerësimin ia lë gjithmonë të tjerëve. E gjejmë veten kaq lehtë pasi historia e familjes së tyre dhe mënyra e komunikimit që ata kanë, është ajo e çdo shqiptari punëtor, normal dhe që është përballur me jo pak vështirësi.
Por sërish nuk ka vend për ankesa, as pas një udhëtimi me gomone drejt Italisë dhe faktit se kur lindi Asllani, babai i tij nuk ishte aty, por kishte shkuar në Itali për një jetë më të mirë. “Shqiptarët e tjerë kanë vuajtur më tepër, unë i kisha disa baza, më pritën kushurinjt e mi që nuk ua harroj kurrë nderin”, thotë Gentjani. Padyshim që në këtë intervistë kuptohet shumë mirë edukimi i këtij djaloshi që sot preku majën e futbollit europian. Kur Italia po shtynte që Asllani të luante për Kombëtaren e tyre, ishte e kot, kishin zgjedhur objektivin e gabuar.
Gentjan, duam të përcjellim urimin e gjithë shqiptarëve për djalin tuaj. Le ta nisim intervistën me kujtimet tuaja të hershme, si erdhi kalimi drejt Italisë?
Dua t’ju falënderoj edhe unë, të gjithëve ju për mesazhet e shumta. Largimi ishte si të gjithë emigrantët e tjerë shqiptarë. Unë jam me origjinë nga Mollasi. Shihja se shumë shqiptarë po iknin, disa drejt Greqisë dhe të tjerë drejt Italisë. E kisha një punë me një fugon, por kur pashë që po largoheshin të gjithë, atëherë u binda edhe vet se kishte ardhur koha për t’u larguar.
Atëherë, largimi juaj drejt Italisë ishte me gomone apo jo?
Po, me gomone dhe si gjithë shqiptarët e tjerë, Vlorë-Leçe. Ishin 53 veta në gomone dhe kemi zbritur për një orë e 20 minuta U nisa për në Itali në 23 dhjetor të vitit 2001. Fillimisht shkova në Rimini ku kam punuar në ndërtim. Pastaj kam qenë në Pisa dhe në 2004 kam marrë familjen në Itali. Kur unë jam nisur drejt Italisë, nusja ka qenë shtatëzanë. E kam gjetur Kristjanin 16 muajsh kur u ktheva, se ai lindi në mars të 2002. Imagjinojeni ndjenjën e babait që nuk e shikon fëmijën kur lind dhe kur kthehet e gjen në këmbë. Jo unë, po çdo prind tjetër do të kishte shumë emocione dhe përjetime.
A kishit frikë për mënyrën sesi do të shkonin gjërat, për jetën tuaj apo edhe për familjen që ishte mbrapa në Shqipëri?
Të them të drejtën, atëherë nuk kam pasur frikë fare. Madje jo vetëm që nuk kisha frikë, por isha i lumtur sepse Italia shihej si ëndërr e madhe. Tani kur i kthehesh dhe e mendon prapë, është tjetër gjë.
Vështirësi të mëdha në ditët e para apo jo?
Jo edhe aq në fakt, shqiptarë të tjerë kanë vuajtur edhe më tepër. Nuk është se kam vuajtur në atë masë aq të madhe le ta themi. Kisha kushurinjtë e mi që më garantuan shtëpinë në Itali dhe për vend pune. Vazhdojmë të kemi lidhje shumë të mira së bashku dhe nuk ua harroj kurrë atë nderin që më kanë bërë. Nuk zgjati shumë dhe në 2002 u hap ligji për dokumentet dhe unë përfitova në atë moment, për të bërë dokumentat.
Sa e vështirë ka qenë që t’i përgjigjeshe kërkesave të Asllanit për t’u bërë futbollist?
Ah, kjo ka qenë pjesa më e vështirë. Asllani ka ardhur në moshën dy vjeç në Itali. E ka nisur karrierën në moshën 5-vjeçare në një fshat që quajtur Buti. E regjistrova djalin në një vend ku ishin 1 vit më të mëdhenj se ai. Më tepër për t’u marrë me aktivitet sportiv, jo për t’u bërë futbollist dhe për të vazhduar karrierën. Që në fillim, ishte Fiorentina që më ka spostuar në një akademi të sajën. Më vonë do të vinte edhe Empoli. Në të njëjtin fshat ne kemi pasur ish-mbrojtësin e Empolit, Francesko Pratalin. I kam kërkuar një këshillë atij sesi duhej të veproja me djalin dhe më sygjeroi Empolin. Që në moshën 7 vjeç e gjysmë dhe deri tani, djali im ka kaluar të gjitha grupmoshat e Empolit. Tani vështirësitë e mëdha ishin në oraret e stërvitjes. Unë isha në punë, gruaja po ashtu. Disa herë ishin kushurinjtë që e dërgonin dhe kur ata nuk mundeshin, kam paguar njerëz deri në 300 euro në muaj që të merrnin djalin dhe ta dërgonin në një austostrad, ku vinte dhe e merrte fugoni i Empolit më pas.
Kur ishte momenti që the…”Po, Kristjani do të shkojë larg”?
Jo, unë nuk e shprehja dhe kurrë nuk e kam shprehur. Të gjithë më thonin se do të shkojë larg, unë nuk flisja asgjë. Madje as nuk e besoja se do të arrinim deri këtu. Dje e kam besuar edhe historinë me Interin, derisa u hodh firma mbi kontratë. Interi e donte prej disa kohësh, por kjo histori mua më kapi papërgatitur, nuk e mendoja dot dhe shihnim të shtangur njëri-tjetrin. Por më duhet të veçoj që te Empoli i respektojnë shumë shqiptarët. Në akademinë e Empolit kanë respekt të madh për shqiptarët dhe unë këtë e kam parë vetë. Një shenjë të mirë atje e ka lënë Elseid Hysaj dhe babai i tij. Madje ua jap si këshillë edhe prindërve të tjerë që t’i dërgojnë djemtë e tyre në akademinë e Empolit pasi kanë shumë respekt të veçantë për ne shqiptarët.
Përtej futbollit, si do ta përshkruanit djalin tuaj?
Është i qetë, i urtë, punëtor. Nuk rri dot kurrë pa u stërvitur. Presionin e nuk e ndien kurrë. Në fillimet e tija kur ekipi i parë i Empolit po e aktivizonte pak, unë isha shumë i kënaqur me 5 minuta loje. Ndërkohë Kristjani më shprehej se nuk e kishte fare problem, donte të luante 90 minuta. Pra unë e ndieja presionin nga jashtë, ai vetë jo.
Për ta mbyllur me Kombëtaren Shqiptare. A ka pasur ndonjë interesim real nga Italia dhe a keni qenë ndonjëherë në mëdyshje për zgjedhjen tuaj?
Ne me Shqipërinë e kemi nisur nga mosha U-15 për herë të parë. Për një moment nuk na thërritën më pas te U-17. Nuk kam telefonuar njeri, nuk kam ngritur kurrë zërin se përse nuk e merrni djalin tim. Kemi qëndruar në heshtje. Por një skaut i FSHF në Itali, Ervis Jaho, vinte dhe shihte çdo lloj ndeshje të mundshme të Kristjanit tek të rinjtë e Empolit. Atje kishte edhe shumë shqiptarë të tjerë, por Ervisi vinte edhe pa dijeninë time, shihte djalin në stadium. Kështu do të bashkohej sërish me Kombëtaren. Ne jemi shqiptarë, nuk diskutohet. Italia ka pasur një shtytje para ndeshjeve tani me Kombëtaren, por nuk bëhet fjalë. Unë dhe djali im kemi qenë “të sëmurë” pas Shqipërisë dhe nuk kishte fare mëdyshje për të zgjedhur Kombëtaren. Kur vjen në shtëpi më thotë se te Shqipëria ka shumë lojtarë të mirë dhe se kanë shumë besim se do të arrijnë në Europian. Ka pasur përshtypje shumë të mira nga Kombëtarja, e kanë pritur shumë mirë dhe e kanë respektuar, se pak ndeshje ka aty si i ri. /Sport Ekspres/