2 korrik 1990/ Shqiptarët hipin gardheve të ambasadave, kërkojnë liri… dhe bukë 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Epilogu dukej thuajse i trishtë. Megjithëse me një shpresë të madhe se do të mbërrinin në “tokën e premtuar”, sërish një hije ndrojtjeje dhe dyshimi i kishte kapluar të gjithë. Ata ishin pajisur me pasaportat ndërkombëtare, vizat përkatëse, ndërsa pak më tutje autobusët prisnin në radhë. Frika e një itinerari të ndryshuar i mbante mbërthyer të gjithë…

…Mesnatën mes 12 dhe 13 korrikut 1990, një kolonë ku numëroheshin të paktën 50 autobusë, udhëtonte si në një kortezh të përmortshëm nga rruga e Ambasadave në Tiranë drejt portit të Durrësit. Udhëtarëve të pazakontë, të cilëve u ishte ngjitur emërtimi “refugjatë”, veç u ishte thënë se në terminal ishin ankoruar tragetet që do t’i çonin përtej detit.

Aktualitet

Megjithëse kanë kaluar mbi 30 vjet, përsëri rruga e Ambasadave mbetet një zonë rezidenciale e rëndësisë së veçantë e monitoruar me kamera e policë që gjallojnë gjithandej. Askush nuk ka ndërmend më të kalojë kangjellat për të kërkuar strehim, por trembja ka qenë kaq e madhe sa edhe pse kanë rrjedhur shumë ujra, vigjilenca, mos ndoshta armiku i klasës vepron akoma, ka sunduar nënndërgjegjen tonë. “Rruga e Ambasadave”, padyshim një nga rrugët më të bukura të Tiranës, e pastër, e qetë dhe fort e gjelbëruar, është e vendosur në zemër të kryeqytetit. Zyrtarisht quhet rruga “Skënderbej”. Kjo rrugë, me qarkullim të kufizuar për automjetet dhe këmbësorët, ndodhet midis rrugës së Kavajës dhe rrugës së Durrësit. Në këtë territor ndodhen disa nga selitë e ambasadave të akredituara në Tiranë si: Ambasada Gjermane, ajo Çeke, Ambasada e Bullgarisë, Ambasada Franceze, e Britanisë, Spanjolle si dhe Ambasada Kineze. Por shumë nga ambasadorët tanimë i janë larguar kësaj rruge dhe kanë preferuar që banesat e tyre ti ken në periferi të kryeqyteti, disa prej tyre tek zona pas Liqenit Artificial. Në Tiranën e vitit 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi për personelin e ambasadave. E megjithatë aso kohe rruga nuk kufizohem me postbllok dhe blloqe betoni. Ajo ishte krejt e lirë dhe për kalimtarët.

Por ç’ndodhi?

Le të kthehemi prapa në kujtesë.

Kthim në kohë

Çdo ditë e vitit 1990 kishte nga një lajm të ri. Shqiptarët nuk ishin më aq të izoluar sa pesë vite më parë, atëherë kur Enver Hoxha e kishte lënë pushtetin në duart e Ramiz Alisë. Madje, mund të guxonin dhe të ngrinin krye ndaj një sistemi diktatorial që deri në atë kohë vetëm u kishte shtypur kokën mes masave të rrepta: dënimeve, internimeve dhe ekzekutimeve të pashembullta. Mesa dukej, gjithçka kishte ndryshuar. Muri i Berlinit kishte rënë dhe Gjermania ishte bashkuar. Në Rumani, kryengritësit kishin ekzekutuar udhëheqësin komunist, Nikolai Çausheskun. Kurse në Shqipëri proceset demokratike ishin ende të vonuara. Megjithatë, hapat e parë ishin bërë. Dyert e ambasadave u shpërthyen dhe pas kësaj të paktën 5000 shqiptarë morën një tjetër status. Megjithatë, qëndrimi për ditë të tëra në territoret e ambasadave, nën një presion të madh dhe thirrje e lutje për të dalë prej aty, i kishte bërë njerëzit mosbesues. A do mundnin vallë të mbërrinin për atje ku kishin thurur ëndrrat, në Greqinë e afërt, pak më larg në Itali apo në Gjermani e Francë?

Largimi

Edhe pse me pasaporta ndërkombëtare, njerëzit e Sigurimit të Shtetit mund të bënin “të pabërën”, kundrejt njerëzve që u rebeluan ndaj sistemit. Të tjerë, familjarë e të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur gjëmën e rradhës. Ç’do të bëhej me “të ikurit”. Papritur u dha urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit, jo nga Kombinati, por nga Lapraka. E, me gjithë këtë devijim, trotuaret e krahut të kundërt ishin mbushur gjithashtu plot me familjarë të të ikurve, por dhe të tjerë që do të donin të kishin ikur, por s’ia kishin dalë dot. Përshëndetje të mekura dhe lutje. Nuk dihej fati i tyre. Ndërkombëtarët ishin aty, por… gjithçka mund të ndodhte. Shqipëria vazhdonte të ishte nën diktaturë. Një ndalesë e shkurtër në Shijak u prit me protestë. Udhëtimi duhet të vazhdonte. Ndërsa në portin e Durrësit ndodhi habia. Ata që do të linin atdheun, të çliruar nga makthi, hiqnin bluzat, orët, unazat dhe i hidhnin në rrugë me ndonjë mbishkrim të thjeshtë për familjarët e tyre. Të tjerët, lekët që u ndodheshin nëpër xhepa, – të cilat nuk do t’u hynin më në punë, – ua dhanë plot bujari shoferëve të autobusëve dhe ushtarëve të portit të cilët qëndronin të murosur me automatikët mbërthyer në gjoks. Kjo ishte ndarja…

Tentativat

Në fakt, hyrja nëpër ambasada kish filluar ditë më parë, jo në 2 korrik, por që më 15 qershor 1990. Atë ditë, një autobus fizarmonikë “Shkodra” me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi pranë ambasadës greke. Dëshmitarët janë shprehur se pasi u hap kapaku i sipërm të autobusit, dy persona kapërcyen murin rrethues. Më 23 qershor, Skoda tip “Liaz” e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane. Ndërsa pasditen e të nesërmes, një tjetër “Skoda”, e drejtuar nga Kastriot Mano, shembi murin e ambasadës gjermane. Më 1 Korrik, mbas ceremonisë së një dasme, 9 dasmorë u hodhën nga muri i shtëpisë që kufizohej me territorin e ambasadës turke. Gjatë atyre ditëve ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja. Bënë përjashtim vetëm ambasada kineze dhe kubaneze. Meqenëse mbanin ende flamurin e socializmit, për ta strehimi i shqiptarëve në ambasadat e huaja ishte shfaqe e huaj dhe e dënueshme.

Lexo edhe :  1 korrik 1555: Admirali osman Turgut Reis sulmon Italinë

2 korriku

Një kamion i ra murit të pasmë të ambasadës gjermane dhe hyri në oborrin e saj më 2 korrik 1990. Kjo u hapi rrugën shumë të tjerëve, që vërshuan në oborrin e ambasadës përmes murit të çarë. Kamionin “Skoda” me plot 36 veta e ngiste shoferi Ylli Bodinaku. Ditёt qё pasuan përmes murit tё hapur u strehuan edhe qindra tё tjerë që kërkonin largimin nga Shqipëria nё shenjë proteste ndaj sistemit totalitar qё nuk lëshonte pe, pavarësisht ndryshimeve tё vrullshme nё mbarë Evropёn Lindore. Hyrja masive më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes, nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që kërkonin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. Dy ditë më pas u dha një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin të liheshin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t’u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t’u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: “Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit”. U tha se ky ishte një organizim shtetëror. Një shfryrje e presionit. Dhe sërish erdhi urdhri tjetër. Liria kishte mbaruar. Nëpër rrugë lëviznin ushtarakët me uniforma kamuflazhi, shkopinj gome në duar dhe parzmore peçikllasi. Rruga e ambasadave ishte vënë në shtetrrethim.

Terrori

Jeta brenda kangjellave të ambasadës gjermane ishte shumë e vështirë. Për 3200 shqiptarë që kapërcyen murin dhe kangjellat nuk kishte mjete të zakonshme jetese. Mungonin banjat dhe nuk kishte kushte të tjera higjienike. Ushqimi ishte i pakët. Njerëzit filluan të sëmuren, u binte të fikët nga vapa e madhe. Ndihmoheshin kryesisht gratë e moshuara dhe gratë me fëmijë të vegjël, në mënyrë që të përballonin situatën e rëndë. Dalëngadalë njerëzit filluan të ndërgjegjësoheshin të ndanin ushqimet në rregull me njëri- tjetrin e t’i bënin ballë të keqes. Policia dhe Sigurimi u bënin thirrje njerëzve që ishin brenda në ambasada të dilnin, duke u sjellë dhe familjarët e tyre, me qëllim që ata të tuteshin e ta linin territorin e huaj. Propaganda kërkonte prej tyre që të besonin se Partia do t’ua falte gabimin. Por sa më tepër ditë kalonin, aq më i lartë bëhej morali dhe besimi i të ngujuarve në ambasada se një ditë do të shkonin në Gjermani.

Botërori

Ishin ditët e Kampionatit Botëror: “Itali 1990”. Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në një kryeqytet sportdashës si Tirana, u përcoll me interes të vakët. Shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Zërat e njerëzve ishin mekur nga zhvillimet e fundit. Kryeqyteti jetonte orë të vështira. Kur gjermanët shënuan gol, u dëgjuan fare pak britma entuziazmi. Por pikërisht që nga ambasada gjermane, oshtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin “Gjermani, Gjermani”. Pikërisht atëherë njerëzit që banonin afër qendrës apo te “Rruga e Kavajës” dolën jashtë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollit, e kishin mendjen të dëgjonin oshtimat e të ngujuarve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë. Nëse Italia do të ishte në finale, ata gjithashtu do të ishin të gjithë me Italinë. Dhe po kështu me Greqinë, Francën, Turqinë e Bullgarinë, në ambasadën e të cilës gjithashtu kishte shqiptarë të cilët kishin kërkuar strehim.

Në Brindizi

Qëndrimi në ambasada zgjati 11 ditë për ata që hynë në datën 2 korrik e diçka më pak për të tjerët që hynë ditët në vijim. Pas bisedimesh mes përfaqësuesve të regjimit dhe të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, u vendos largimi i tyre, i pjesës më antikomuniste të vendit, për në shtetet perëndimore. Sipas statistikave të bëra publike më pas, gjithsej të larguar më 13 korrik 1990 ishin 4691 persona nga të cilët: 3300 vetë që ndodheshin në ambasadën gjermane, 812 vetë në ambasadën italiane, 550 në ambasadën franceze, 29 në ambasadën greke. Grupi i parë u largua më 13 korrik 1990. Autobusët u nisën rreth orës 23:00. Shumë njerëz nisën qanin se po linim gjithçka në Shqipëri. Kur hipën në traget, i ndanë sipas shteteve ku do të mbërrinin. Tragetet e nisura nga Durrësi zbarkuan më 13 korrik në portin e Brindizit. Ishte e papërshkrueshme, por kur shqiptarët mbërritën në Brindizi u pritën me brohoritje nga mijëra njerëz. Shumë prej shqiptarëve puthnin tokën italiane duke bërtitur: Jemi të lirë.

Eksodi në vazhdim…

Ky ishte vetëm fillimi. Tronditja e fortë e shtetit shqiptar, që përjetoi më shumë se 45 vite regjimin totalitar ishte padyshim eksodi i parë përmes ambasadave. Por shumë më i madh eksodi do të vijonte në muajt pasardhës, në mars dhe gusht 1991. Shqiptarët u turrën të etur mbi bordet e anijeve. Dhe ikën…

Të fundit

Izolohen edhe tri vatra zjarresh në vend, priten ditë të nxehta

Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me forcat e tjera operacionale në terren dhe me ndihmën e Mekanizmit Evropian të...

“Kush është besimtar, duhet të paguajë tatim”

Analisti Enver Robelli në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, hodhi tezën që në Shqipëri të paguhet tatim për fenë nga...

Reshje të dendura shiu dhe stuhi në Milano, një person humb jetën, dy të plagosur

Milano është përfshirë nga një mot i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta, ndërsa disa vende përballen me temperatura të...

Netanyahu: Pas takimit me Trump, të arrijmë armëpushimin në Gaza

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, shpreson se takimi i tij i ardhshëm me homologun e tij amerikan, Donald Trump të ndihmojë në arritjen e...

Edi Rama sërish në zyrën e Ermal Dredhës, ç’pritet të ndodhë?

Paraditen e 3 korrikut kreu i qeverisë, Edi Rama, me bllok në dorë “zbarkoi” në Bashkinë e Vlorës ku dhe dha disa porosi dhe...

Lajme të tjera

Web TV