Pavarësisht nxitimit të ekipit mjekësor për ta dërguar në duart e specialistëve, deri më tani dyshohet se ka pasur një dështim të zemrës së Abe, sipas mediave lokale dhe transmetuesit kombëtar NHK. Kjo është terminologjia e përdorur shpesh nga zyrtarët në Japoni për të përshkruar situatat ku viktimat nuk janë më gjallë, por para se të bëhet një deklaratë zyrtare e vdekjes.

Ndërkohë, policia arrestoi një 42-vjeçar në vendngjarje nën dyshimin për tentativë vrasje. Ai është Tetsuya Yamagami, nga qyteti Nara. Agresori është një ish-anëtar i forcës së vetëmbrojtjes detare dhe ishte largua nga shërbimi në këtë njësi ushtarake në vitin 2005 sipas Fuji TV, raporton Reuters.

 

Raportet e medias cituan policinë të thoshte se arma që mendohej se ishte përdorur në sulm ishte e bërë vetë në mënyrë artizanale.

Abe u qëllua në anën e majtë të gjoksit dhe me sa duket edhe në qafë. Televizioni publik NHK transmetoi pamjet që tregonin Abe të rrëzuar në rrugë, me disa roje sigurie që vraponin drejt tij. Abe po mbante gjoksin kur u rrëzua dhe këmisha e tij ishte e mbuluar me gjak.

Abe, i cili është kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, ndodhej në qytetin e Naras për të mbajtur një fjalim fushate përpara zgjedhjeve të kësaj të diele. Partia Liberal Demokrate në pushtet, të cilën Abe e drejtonte dikur ka kërkuar që të ndërpritet fushata.

Kryesekretari i kabinetit Hirokazu Matsuno tha: “Një akt barbar si ky është absolutisht i pafalshëm, pavarësisht se cilat janë arsyet, dhe ne e dënojmë me forcë”.

Lexo edhe :  Francë/ Formohet qeveria Bayrou, mes ministrave ish-kryeministrat Valls dhe Borne

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken shprehu shqetësim të thellë për gjendjen e Abe. “Mendimet tona, lutjet tona janë me të, me familjen e tij, me popullin e Japonisë”, tha Blinken në margjinat e një takimi të G20 në ishullin indonezian të Balit.

“Ky është një moment shumë, shumë i trishtë. Dhe ne po presim lajme nga Japonia”, shtoi ai.