Nga Sebi Alla
Ata na ndanë më shumë se një shekull më parë. Kufirin tjerët e vendosën, Fuqi të Mëdha i quajtëm, që sot i kemi miq dhe aq shumë i “duam”, sa po lutemi që të na hapin traun e BE-së. Historia e dënoi këtë vend, sepse ashtu e shkruajtën shtypësit dhe ne po dënojmë veten edhe kur koha kthehet si një herë e dikur para vitin 1913. Krahina e madhe e Kosovës u çlirua, po ata që na ndanë e risollën ku ishte, me një kufi në mes i cili fizikisht pengon, por shpirtërisht jo. Kështu duhet të ishte, por kështu nuk është. Kur vetë bota bëhet edhe më e vogël, duke prerë çdo tel kloni, shembur piramida kufiri e rrëzuar çdo tra edhe mes shteteve që kanë gjuhë e zakone të ndryshme, ne këtu në Shqipëri dhe ne në Kosovë, shpikëm një term të ndyrë mes vetes. Ne shqiptarët dhe ata kosovarët… Ne kosovarët dhe ata shqiptarët… Patriotë me llafe bëhemi shumë. Flamurin e kombit palë në shtëpi, a ngjitur në ndonjë shtizës në ballkon e mbajmë, por kur vjen çështja në kuvendim e krahinizëm jemi gati për ndarjen: Ne dhe ata.
Kush ne dhe cilët ata?
Genocidi serb në vitin 1998-1999 mbi krahinën shqiptare të Kosovës bëri që mijëra familje shqiptare në anën tjetër të kufirit (që na vendosi bota), të dëboheshin dhunshëm dhe u hapëm dyert, i pritëm, kush kishte e kush nuk kishte. Dikush përfitoi, ndonjë derr në këtë “pyll” që jemi. Ama shpirtin e hapëm. Sa lot nënash shqiptare janë derdhur për fëmijët, gratë, pleqtë dhe loket e Kosovës? Ndoshta një rrëke Drini. Po kur tre vjet më parë na ra ai tërmet që la 51 të vrarë dhe qindra të plagosur, sa lot të lokeve të Kosovës u derdhën për fëmijët, gratë, pleqtë dhe nënat shqiptare? Sërish sa një rrëke Drini. Sa familje të Kosovës hoqën edhe atë pak pension për të dhënë ndihmë për të mbijetuarit këtu? Shumë. Po si mundet kur ndjenja është kaq e madhe nga i njëjti gjak ende nuk e kemi kapërcyer ndarjen: Ne dhe Ata?!
Na ysht shkjau
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në një komunikim të lirshëm (ku isha edhe unë), pati deklaruar këtu e katër vite më parë se ishte habitur jo pak kur në rrjetet sociale, në një të ashtëquajtur “portal”, ishte botuar një shkrim sikur fliste një shtetas kosovar dhe ankohej se në Jug të Shqipërisë ishte zënë me pronarin e një hoteli dhe ai i ishte shprehur me mllef: “Mirë ua ka bërë serbi juve…” E ky “rrëfimtar” vijonte duke theksuar se pikërisht për këtë fjalë të rëndë nuk do të shkonte më në Shqipëri, madje i bënte thirrje të gjithëve që të refuzonin bregdetin shqiptar. Lajmi mori dhenë e komentet këtej e andej nisën pafund. Në fakt sikurse rrëfeu Haradinaj: “lajmi i rremë ishte sponsorizuar nga ruso-serbët me qëllim të qartë për të dëmtuar turizmin shqiptar, por edhe krijuar urrejtje”. As jugori pronar, as veriori pushues kosovar nuk kishin pasur një konflikt të tillë. Por dëmi u bë. Ne besuam dhe nisëm sulmin “ne” dhe “ata”.
Kush janë më të mirë Shqiptarët apo Kosovarët?
Nëse këtë pyetje e bën një i paditur do i falet, por kjo po dëgjohet shpesh, edhe mes atyre personazheve që i japin të drejtë vetes të quhen analistë, publiçistë, aktivistë dhe politikanë që me mendjen e boshtë mbushin një dynja me konceptin e ndarjes. Tiranë-Prishtinë dhe anasjelltas nuk bëhet më shumë se tre orë, por do duhen dekada që kjo mendësi pa pikën e mendjes funksionale të ndryshojë. Si popull lokalist, i bëjmë dëmin vetes, pa e kuptuar hiç, por duke e ushqyer brez pas brezi, edhe me pjellën tonë për të ngjizur ndarjen; ne të fshatit këtu jemi më të mirë, më trima, më burra se ata të fshatit tjetër… E fëmija dëgjon, blen çfarë i thotë prindi dhe kur rritet shet pikërisht atë që ka mbjellë me kohë: ndasinë!
Armiku jemi ne
Stinë vere, zheg mbi krye dielli, plazhet duan njerëz, hotelet kërkojnë klientë, bareve e restoranteve u nevojitet xhiro, mezi i presin këto muaj për të fituar diçka në këtë mot krize. Lëkë nëpër duar, euro në mundshin. Sytë kthehen nga përtej kufirit që na e kanë vënë të tjerët. Kosovarë i quajmë, shqip folin, shqip shkruajnë, shqip shajnë, shqip këndojnë, shqip qëllojnë, shqip mbrohen dhe shqip vdesin… Heu bre burrë, hë more burrë, ho mor burrë… thuaje si të duash, shkruaje si të duash, lexoje siç është… Rrënja mbetet e njëjtë, dialektet ndyshojnë, njerëzit jo, gjaku jo, gjuha jo, tradita jo, por mendjet tona po tolloviten aq shumë sa tentojmë ndarjen mes vetes, për të shkuar në duart e shkjaut, hasmit dhe armikut që na kthyen një komb në tre e më shumë shtete. Ka edhe më keq, ne “masivët”, pa qëllim, krijojmë ndarje që pa dashje shkojmë deri në atë pikë sa këtej e andej “ferrës” në kufirit, po ka dashakeqë në shpirt që për pushtet fort lokal janë gati jo të heqin kufirin, por ngrenë mure të trashë që të pushtetojnë si “pushta” mbi shpinën e shoqërisë që drejtojnë. Kjo është raca e politikanëve tanë dhe vetëm këtu nuk mund të bëjmë ndarjen “ne” dhe “ata”, sepse janë njësoj. Mbledhje të shumta qeverish. Një herë këtu e një herë atje. Qilima me simbole kombëtare shkelen nga kjo racë për të përshfaqur patriotizmin gjithësisht të shtirur. Kur qytetarët e tu i mban të shtypur, i ushqen me ndarje, ia grabit të ardhmen, u rrëmben pasurinë ia keqlexon votën dhe në fund shfaqesh “patriot i madh” je një hiç që historia do të dënojë, por faji do mbesë i “masivëve” që i mbajmë edhe kur na ndajnë…
Kush janë më të mirë Shqiptarët apo Kosovarët?
Nëse nuk do e fshijmë këtë pyetje jemi të dënuar të dënojmë veten për të jetuar gjithnjë të ndarë nga një ferrë e vogël që quhet kufi i mendjes.