Kryeministri Edi Rama ka kërkuar në konferencën e përbashkët me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg që Kosova të përfshihet në partneritetin për paqen. Ai shtroi nevojën e një dialogu të përhershëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Serbinë.
Kryeministri Edi Rama tha në konferencën për mediat me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se duhet të vijojë bashkëpunimi me Serbinë, si një nga shtetet e pakta që nuk është pjesë e aleancës. “Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë përkundrejt situatës dhe po kështu edhe detyrimet që ne kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë”, tha Rama. Ai tha se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rol tradicional në mbështetje të paqes. “Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe si vend kandidat për në BE, ne do vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional, në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht, stabilitetit. Ndërkohë që koncepti i ri strategjik që sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por ende është pjesë e rajonit tonë”, theksoi Rama. Ai përsëriti atë që tha edhe në Samit për përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe. “Nga ana tjetër, pata dhe njëherë shansin t’ju them atë që kam përmendur tashmë në Samit. Nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është organizëm konsensual. Megjithatë, në kohët ku jetojmë, në këndvështrimin tim modest, është vërtetë e mençur që kjo të rikonsiderohet”, tha shefi i qeverisë. Kryeministri theksoi edhe një herë solidaritetin e Shqipërisë për Ukrainën. “Është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Ne kemi detyrimin që të përpiqemi që të parandalojmë përshkallëzimin e konfliktit edhe në rajonin tonë”, tha Rama. Në fund, Rama falënderoi Stoltenberg për prezantimin e idesë për bazën e re të NATO-s në Durrës, që pretendohet të ndërtohet në portin e ri të Durrësit në Porto Romano. “E vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke pasur parasysh sfidat e kohës sonë, nga ndryshimi i klimës, nga mbrojtja e mjedisit e gjithçka tjetër”, tha ai.
Stoltenberg
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të ndihmuar Ukrainën në këto momente të vështira që ajo po ndodhet për shkak të agresionit rus. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, Stoltenberg e cilësoi situatën aktuale si krizën më të madhe në dekada, ndërkohë që vlerësoi kreun e qeverisë shqiptare për vizitën në Kiev. “Më vjen shumë mirë që t’iu shoh kaq shpejt pas samitit. Shqipëria është një kontribuese mjaft e mirë dhe kontribuon shumë. Shqipëria kontribuon në forcat e NATO-s në Letoni dhe Bullgari. Ju kontribuoni në misionin në Kosovë dhe Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për NATO-n. Ne vlerësojmë angazhimin tuaj për të nxitur stabilitet. Në samitin e Madridit morëm mjaft vendimet të rëndësishme për mbrojtjen. Përgëzoj Shqipërinë që ratifikojë shumë shpejt protokollet e anëtarësimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë. Kjo dëshmon se dera e NATO-s është e hapur dhe përkrahim çdo vend të zgjedhë rrugën e tij. Po përballemi me krizën më të mëdha në dekada. Ne qëndrojmë me Ukrainën dhe mbështetja për të do të vijojë gjatë. Mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe angazhimin tuaj për ndihma në Ukrainë. Vizita juaj në Ukrainë ishte një dëshmi solidariteti”, tha Stoltenberg.