Betimi/ Presidenti i kontestuar me fjalim bashkues

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë ka marrë detyrën ditën e djeshme. Bajram Begaj pasi ka bërë betimin në Parlamentin e Shqipërisë ka mbajtur edhe fjalën e tij duke siguruar partitë politike se do të qëndrojë mbi palët.

Më pas ai iu drejtua Presidencës, ku bëri edhe betimin mbi Kushtetutën e sjellë nga Vitore Tusha, kryetare e Gjykatës Kushtetuese.  

E diela e fundit e muajit korrik shënoi edhe një datë historike në kalendarin presidencial. Dje, Bajram Begaj i është drejtuar Parlamentit Shqiptar për të bërë betimin e tij në mbrojtje të Kushtetutës së Shqipërisë. Mazhoranca qeverisëse, grupimi i Lulzim Bashës si dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin të pranishëm në seancën e mbledhur të dielën që lamë. Nuk zgjati as më shumë as më pak se 10 minuta kjo seancë, ku Begaj pasi bëri betimin ka mbajtur edhe fjalën e tij.

Betimi dhe fjala në Kuvend

Bajram Begaj është betuar dje në Kuvendin e Shqipërisë, duke marrë kështu zyrtarisht detyrën si President i Republikës. Gjatë fjalës së tij ai ka dhënë dhe mesazhin e parë drejtuar qeverisë dhe opozitës: “Kjo përgjegjësi vjen në një moment historik për vendin. Shqipëria ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme europiane. Shqipëria europiane, sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndrrës më të bukur të popullit shqiptar. Është testament i ardhur prej historisë dhe bekim i së ardhmes. Unë e njoh, mbështes dhe respektoj punën e qeverisë, por përpjekja dhe dëshira nuk justifikojnë asnjë dështim. Do të dëshiroja nga opozita të mos shihet konflikti para bashkëpunimit. Periudha që po jetojmë është nga më të paparashikueshmet”, tha Begaj para kabinetit dhe deputeteve. Ai tha se është e nevojshme të ridimendionoje besimin publik.

“Ne kemi nevojë të ridimensionojmë besimin publik i cili përbën shtyllën e funksionimit të shtetit dhe shpirtin e harmonisë së një kombi. Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e të shkuarës dhe të tashmes. Të largohemi nga politika e konfrontimit dhe ta zëvendësojmë me politikën e dialogut dhe bashkëjetesës. Të ndërojmë bashkërisht urdha lidhëse mes klasës politike, shtetasve dhe shtetit. Me vendosmëri të konsolidojmë shtetin e së drejtës, demokratik dhe social për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për një të ardhme siç e meritojnë qytetarët. Të luftojmë për të rigjetur vlerat e humbura dhe forcimin e atyre që me shumë mund i kemi ndërtuar. Le të punojmë për një harmoni politike dhe njerëzore njëkohësisht. Në një det të tillë të trazuar nevojitet unitet më shumë se çdo herë. Të gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë tonë edhe më të bukur për të qenë në vendin që i takon”, tha ai.

Ceremonia në Presidencë, dorëzimi i stafetës

Presidenti i tretë ushtarak, Bajram Begaj është pritur nga Ilir Meta në Presidencë, ku edhe është shoqëruar në ambientet jashtë Presidencës aty ku u zhvillua edhe ceremonia. Pasi ka marrë Kushtetutën, Begaj ka marrë dhe fjalën e tij. Ai ka falenderuar Ilir Metës në përmbushje të detyrës së tij. Begaj e ka quajtur ditën më të veçantë në jetën e tij, marrjen e detyrës, duke premtuar se do të jetë shërbëtor i popullit si dhe i Shqipërisë së Madhe. Presidenti tha se do të jetë një mbrojtje për sigurinë kombëtare. Më tej, Presidenti shtoi: “Dialogu, bashkëpunimi dhe debati sjellin mirëqënie, zhvillim e progres për qytetarët dhe vendin. Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve. Inkurajoj çdo veprim për marrëdhënie të shëndosha mes institucioneve kushtetuese. Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE është arritje e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri, në të cilin do duhet të jemi të gjithë bashkë, krah për krah”.

Yuri Kim: Presim me padurim në thellimin e partneritetit SHBA-Shqipëri

Pasi Bajram Begaj u betua si President i ri i Shqipërisë, ka reaguar ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim. Me anë të një statusi në Tëitter, ambasadorja u shpreh: “Urime Bajram Begajt në marrjen e detyrës si Presidenti i ri i Shqipërisë. Presim me padurim që të punojmë me Presidentin Begaj në thellimin e partneritetit SHBA-Shqipëri, forcimin e demokracisë shqiptare dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë si aleatë të NATO-s”.

Presidenti i ri/ Zhupa: Kam vënë në dijeni Berishën për prezencën time, Rama po instalon monizmin

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila është parë shpesh në shoqërinë e kryetarit Sali Berisha, ka marrë pjesë dje në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të vendit, Bajram Begaj. Zhupa foli edhe për mediat pas ceremonisë në Kuvend duke lënë të kuptohet se e ka informuar kreun e selisë blu për vendimin e saj që të ishte pjesë e seancës së betimit.

“Presidenti foli si garant që do të qëndrojë mbi palët politike dhe do të jetë aty për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë. Nga puna si deputete e kisha detyrë institucionale që të respektoja Kushtetutën dhe institucionet e vendit. Shpresoj dhe jam e bindur që Bajram Begaj do të dekretoj qeverinë e Partisë Demokratike. Ç’është e drejta e keni parë deklaratën e Partisë Demorkatike. PD me të drejtë e ka cilësuar ditën e sotme (djeshme)si ditën e vendosjes së monizmit, sepse edhe Presidenti u vendos nga Edi Rama. Prezenca ime këtu, nuk është se kemi pasur një qëndrim apo mbledhje grupi, por një qëndrim zyrtar të PD. Por gjithsecili anëtar merr një vendim personal. Patjetër që zoti Berisha është në dijeni të prezencës sime këtu”, tha Zhupa.

Lexo edhe :  Postet drejtuese nuk do të përfshihen/ Qeveria mblidhet sërish për shpërblimet e policisë

 Meta lë Presidencën dhe i kthehet fuqishëm LSI-së

Presdienti Ilir Meta i ka dorëzuar dje stafetën Bajram Begajt, i cili u zgjodh nga mazhoranca qeverisëse. Meta ka lënë Presidencën por që nga sot, Meta ka marrë në dorëzim drejtimin e LSI-së. Ai tha se beteja të forta do të kemi përpara, ndërsa po synon marrjen e drejtimit të qeverisë.

Presidenti Ilir Meta ka lënë detyrën e tij ditën e djeshme, duke ju kthyer një detyre të vjetër, siç është rikthimi në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Presidenti Ilir Meta, në ditën e tij të fundit si kreu i shtetit shqiptar, ka zgjedhur të jetë aktiv në rrjetet sociale dhe të këmbejë komente me ndjekësit. Meta ka shkruar se beteja të forta e presin përpara ndërsa ka paralajmëruar se nesër nis një agim i ri, që do të rikthejë demokracinë dhe llogaridhënien në vend.

“Beteja të forta kemi përpara. Por a mund të arrish në maja pa bërë edhe pak malore? Malet tona më të larta! Një agim i ri nis nesër që do të rikthejë demokracinë dhe Llogaridhënien”, ka shkruar presidenti Meta. Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke mos harruar qytetarët e 2 Marsit. “E ndjeja përkrahjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Mirënjohje në veçanti për popullin e 2 Marsit për ndërgjegjen e lartë patriotike që tregoi”, shkroi Meta.

Presidenca e Ilir Metës

Karrigia e presidentit ka qenë më e lakmuara për politikanët shqiptarë, deri para se të zhvishej nga kompetencat për t’u kthyer në rol ceremonial. Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu ishin krerët e shtetit me fuqi më të mëdha sesa e njëjta zyrë gëzon sot. Historia e Metës në postin e presidentit ka qenë më larg prej të gjithë paraardhësve, në raport me protokollin e zyrës që i kërkon të jetë mbi palët. Përballë institucionit thirri protestë kundër Qeverisë, ndërsa kthimet e ligjeve, nga përjashtim, u bënë kryefjalë, për të kaluar deri në refuzim ministrash. Nëse për Bamir Topin, pati akuza si puçist për grusht shteti, ndërsa për të ndjerin Bujar Nishani si mbështetës të PD-së, ndaj Metës u iniciuan dy nisma për shkarkim të cilat rezultuan pa sukses. Protagonizmi prej sfidanti i këtyre pesë viteve, ka shuar çdo habi për kthimin e tij në politikë. Gjatë këtij mandati, Ilir Meta tregoi se ndonëse me kompetenca të reduktuara, zyra e Presidentit të Republikës nuk është paradhoma e një pensionisti.

Berisha: Me Presidentin e ri, Rama vendosi monismin

24 korriku është dita e rivendosjes së regjimit monist në Shqipëri. Kështu e cilësoi Partia Demokratike ditën e betimit të Presidentit të Republikës Bajram Begaj, duke akuzuar se tani më maxhoranca kontrollon të gjitha pushtetet dhe institucionet në vend. Reagimi i PD-së erdhi edhe si një qëndrim politik, i cili pritet të shoqërohet edhe me bojkotin e seancës së betimit të presidentit nga ana e deputetëve që mbështesin linjën e Sali Berishës, pasi Alibeaj njoftoi një ditë më parë që grupi i PD-së do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit. Në njoftimin zyrtar të PD-së shprehet se “liria, demokracia, qenia, identiteti dhe kultura shqiptare janë në një rrezik ekzistencial” dhe se “zotohet se do të bëjnë gjithçka për shpëtimin sa më parë të Shqipërisë nga monizimi i partisë-shtet”. Në reagimin e Partisë Demokratike, thuhet se Edi Rama dhe partia e tij shtet do të  kontrollojë mbi 99% të pushteteve në Shqipëri. “Ata kanë të përqendruar në duart e tyre 11% pushtet më shume se sa kontrollonte në 1991 Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist i Shqipërisë. Sot, për herë të parë në 31 vite, në Shqipërinë moniste, në pushtetin ekzekutiv të vendit, të gjithë qeveritarët qendrorë ministrat, zëvendës ministrat, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët, punonjësit, janë vetëm të një partie, dmth të partisë shtet të Edi Ramës” thuhet në deklaratën për shtyp.

Presidenti i KiE: Mezi presim të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët

Dje ishte dita e fundit e Ilir Metës në presidencë pasi detyrën e mori Bajram Begaj. Me anë të një postimi të ri, presidenti i i Këshillit Evropian, Charles Michel shpreh urimin dhe thotë se me çeljen e negociatave, është moment emocionues për marrëdhëniet Shqipëri-BE ndaj pret të ndërtojnë të ardhmen e përbashkët. “Urime për Bajram Begaj. Marrja e detyrës si President e Shqipërisë. Me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, jemi në një moment emocionues në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Mezi presim të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët”, shkruan Michel. Ndërsa kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi bëri një postim në Tëitter ku shkroi: “Urimet më të sinqerta në marrjen e detyrës, mbarësi dhe suksese zoti President i Republikës, Bajram Begaj”.

Të fundit

Dy shenjat e horoskopit që lënë tersin pas! 2025 do të jetë viti i tyre plot suksese

Të gjitha shenjat e zodiakut kanë përjetuar ulje-ngritjet e tyre në vitin 2024, por viti i ri sjell një...

WSJ: Alkooli edhe në sasi të vogla shkakton probleme serioze

Edhe pse gjithnjë e më shumë njerëz po e quajnë veten të matur dhe kureshtarë ose po provojnë zëvendësues të alkoolit të mbrojtur nga...

Futbolli në zi, ndërron jetë ish-lojtari i kombëtares

Ish-futbollisti i Torinos dhe Xhenoas, Aldo Agropi, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Në karrierën e tij si futbollist ka veshur pesë herë fanellën e...

Gerta shpërthen ndaj Livias! “Tjetri i martuar, ndërkohë ti…”

Tensionet vazhdojnë të rriten brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, ndërsa një debat i ashpër mes Livias dhe Gertës mori një kthesë emocionuese. Gerta...

Mbrojtja në 2025, rritje e pagave për ushtarakët dhe ringritje e industrisë ushtarake

Buxheti i vitit 2025 për mbrojtjen parashikon një total prej 52,7 miliard lekësh, që përbën një rritje prej 4,6% krahasuar me vitin 2024. Ky është...

Lajme të tjera

Web TV