Sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Avokatëve, Edmond Konini në një intervistë për Gazetën “Fjala” ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të mos jetë në favor të qeverisë. Ai ka sqaruar se pse avokatët janë kundër Hartës Gjyqësore dhe se çfarë do bëhet me qytetet që nuk kanë një gjykatë. Ai thotë se nga hartuesit e kësaj strategjie është shkelur kriteri i parë. “Kriteri i parë është aksesi në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me gjykatën”, shprehet Konini.
Fernada Cenko
Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Edmond Konini, Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatëve ka kundërshtuar edhe njëherë ndryshimin e Hartës Gjyqësore. Konini, duke shpjeguar të gjitha “Pse”-të që ky sistem drejtësië nuk duhet të ketë këtë hartë gjyqësori ka dhënë një mesazh të fortë për qeverinë, por edhe për ndërkombëtarët që dhanë “okay” për këtë ndryshim, që avokatët i detyruan të dilnin në protesta, duke bojkotuar seancat gjyqësore. Duke ju referuar qytetit të Gjirokastrës, Konini tha: “Atëherë çfarë i ngelet këtij qyteti në jetën administrative dhe të shërbimeve sociale? Asgjë, vetëm policia dhe bashkia, e cila shërben si një organ punësimi i disa njerëzve që kanë dhëne kontribute në jetën politike të këtij qyteti. Kthejuni këtyre qyteteve dinjitetin dhe individualitetin që ata meritojnë. Mos i ktheni në fshatra dhe lërini të vdesin sikurse kanë lindur”.
Me çfarë objekti do i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese dhe a mendoni se objekt padia juaj do të pranohet, duke qenë se vendimi për miratimin e hartës së re u përshëndet edhe nga ndërkomëbëtarët?
Objekti i Gjykatës Kushtetuese do të jetë shfuqizimi i vendimit për miratimin e hartës së re gjyqësore si akt që ka papajtueshmëri me parimet kushtetuese dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare të aksesit në drejtesi, referuar nenit 131, gërma “c” e Kushtetutës. Lidhur me pranimin e kërkesës tonë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, mendoj se egzistojnë të gjitha kushtet ligjore për legjitimitetin e kësaj kërkese: Së pari, Kushtetuta në nenin 134 germa “h” parashikon vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese nga ana e organizatave, ku bën pjesë edhe subjekti Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë, si një organizatë jofitimprurese të krijuar me ligj të veçantë. Së dyti, Ligji 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, në nenin 13/3 përcakton organet e ngarkuara me ligj për hartimin e Hartës së Re Gjyqesore, të cilat janë KLGJ dhe Ministri i Drejtësisë, të cilët pasi konsultohet me grupet e interesit i paraqesin Këshillit të Ministrave për miratim këtë hartë. Në grupet e interesit në vlerësojmë se avokatia është në krye të listës, pasi preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zbatimi i kësaj harte. Sa i përket përshendetjes nga ana e ndërkombëtarëve, ne vleresojmë se kjo i përket propagandes dhe se në opinionin tonë kemi kaluar nga faza e sensibilizimit të opinionit publik në atë të ndjekjes së rrugës ligjore. Të drejtën e një procesi të regullt ligjor nuk mund ta injorojë askush, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët. Shpresojmë që kjo mbështetje ndërkombetare e shprehur ndaj kësaj harte të mos ndikojë në vendimarrjen nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Bojkotuat për më shumë se një muaj seancat gjyqësore dhe në fund asnjë kërkesë e paraqitur nuk u pranua. Se e shihni neglizhencën e këtyre kërkesave dhe a e shihni këtë bojkot si dështim?
Ne ushtruam për 1 muaj një të drejtë kushtetuese, atë të protestës nëpërmjet bojkotit. Sot konstatojme se i gjithë komuniteti i avokateve ju bashkua protestës tonë duke bojkotuar si seancat gjyqësore ashtu edhe ato për masat e sigurimit personsal. Sigurisht qe respektimi i vendimit të organit më të lartë drejtues të avokatisë është një detyrim ligjor i parashikuar nga neni 25/4 i ligjit për avokatinë, por ne vlerësuam vullnetin e komunitetit të avokatisë për të respektuar me bindje të plotë një vendim të tillë, pavaresisht se një pjesë në mënyrë individuale nuk ishin dakord me një vendim të tillë. Ky është suksesi i parë i rëndësishëm i kësaj proteste. Ky ka qenë një test shume i rëndësishëm i unifikimit të një vendimarrje që kërkon mirkuptim të gjithë komunitetit të avokatëve. Së dyti, ne i kemi spieguar publikut, pavarësisht se organet shtetërore nuk kanë patur vullnetin të na dëgjojnë, që pasojat e miratimit të një harte gjyqësore në këto standarde, për fat të keq do të reflektohen shumë shpejt. Ne nuk mund të mburremi se kemi qenë largpames, por të paktën do të kemi autoritetin moral të largojmë përgjegjësinë morale nga shpatullat tona. Tani lidhur me mosplotësimin e kërkesave tona, ne kemi parashikuar që përballë kemi organe që ligji ju delegon të drejta që nuk marrin në konsideratë opinionin e grupeve të interesit. Nuk është se kjo ështe një risi dhe ne kemi qenë të përgatitur për një qëndrim të tillë, por të paktën kemi shpresuar që nga ana e këtyre organeve të krijohej një situatë e bashkëbisedimit reciprok për të diskutuar problematikën e pretenduar nga ana e komunitetit të avokatëve. As kjo nuk ka ndodhur. Një prepotence e tillë është e paprecedent.
Kemi parë bujq që protestojnë dhe ministria e bujqësisë ka krijuar kontakte me këtë komunitet për të sqaruar politikat e shtetit lidhur me bujqësinë, kemi parë protestën e studentëve dhe Ministria e Arsimit ka kontaktuar me përfaqësi të studenteve ku ka diskutuar lidhur me pretendimet e tyre, kemi parë naftëtarë që kanë protestuar dhe një përfaqësi e tyre është pritur nga organet kompetente, por që të injorohet në këtë mënyre një protestë e organizuar nga një kategori e nivelit të lartë të shtresave të shoqërise shqiptare, është jo vetëm një demostrim i nje pushteti absolut, por vë në diskutim edhe nivelin e demokracisë në Shqipëri. Ne kemi insistuar në të drejtën që na jep ligji për të paraqitur opsionet tona lidhur me kompozimin e hartës së re gjyqësore dhe një gjë e tille na është injoruar. Nuk e quajme dështim, është përgjegjësi e organeve kompetente që nuk na kanë mundësuar një sipërmarrje të tille. Ne e vlerësojmë frikë të organeve hartuese të kësaj harte gjyqesore për tu përballur me një komunitet që ofron ekspertizë juridike të kualifikuar, ndofta më të avancuar nga hartuesit e saj. Dështim? Absolutisht jo. Ne bëmë tonën, ata të tyren. Ne jemi në dijeni të një fakti që Gjykatat kanë marrë vendime lidhur me vleresimin e masave të sigurimit në mungesë të avokatëve, por ata vetë janë të bindur se një veprim të tillë e kanë bërë në kundërshtim me legjislacionin procedurial. Këto nuk janë vendime që janë marrë në konspiracion, përkundrazi kanë lënë gjurmë dhe ndoshta një ditë kur rendi juridik të vendoset në shinat e ligjit çdo kush do të mbajë përgjegjësi individuale për shkeljen e dispozitave të procedurës penale. Ne ishim të ndërgjegjshëm kur morëm një vendim ekstrem, dhe një gjë e tillë nuk ishte e lehtë, qëllimi i të cilit ishte të detyronim organet kompetente të uleshin në tryezën e bisedimeve me ne. Ata nuk pranuan dhe vepruan në kundërshtim me ligjin. Gjithkush është në të drejtën e tij të pranojë ose jo përgjegjësinë penale, por në fund do të jetë drejtësia e vërtetë që do të gjykojë për përgjegjësine individuale për çdo vendim të marrë nga ana e tyre. Në kushte normale, ILD do të duhej të procedonte administrativisht ata gjyqtarë që kanë guxuar të marrin vendime për vlerësim të masave në mungesë të avokatit. Pse nuk ndodh? Ndofta një ditë do ndodhë dhe gjithkush duhet të japë llogari për veprime hapazi antiligjore.
Qëndrimi i unifikuar na frymëzon për aksione të tjera që do të vazhdojnë në të ardhmen. Përpara kemi beteja të tjera që lidhen me aksesin e avokatëve në procesin gjyqësor, me diskriminimin e profesionit lidhur me draftin e përgatitur për tatimin mbi të ardhurat, mbi trajtimin e avokatit në procesin gjyqësor dhe mbi të gjitha mbi heqjen e kompetencave të avokatit në ushtrim të profesionit, kompetenca që ju janë deleguar organeve të tjera. Kjo protestë na shërbeu të vlerësojmë se ky është vetëm fillimi. Edhe ne ju themi, nuk keni parë gjë akoma. Është vetëm fillimi. Avokatia nuk është vegël e askujt, ajo mbron para së gjithash interesat e klientit, interesa që deri me sot janë injoruar nga organet gjyqësore.
Tashmë kemi një vendim. Harta e re u miratua dhe nga 1 shkurti hyn në fuqi vendimi me një Apel, a do të përballoj kjo gjykatë, jo vetëm fluksin e dosjeve që do të vijnë nga gjithë Shqipëria, por edhe ato që ka aktualisht?
A do ta përballojë sistemi ynë gjyqësor ngarkesën e çështjeve me njee gjykatë apeli? Kjo është një pyetje që e ka marrë dy herë përgjigjen nga praktikat e derisotme. Një herë ne vitin 1998 kur Shqipëria operonte me vetëm nje gjykatë apeli dhe aktualisht, kur po kjo Shqipëri operon me nje apel të vetëm administrativ. Mjafton që të përmendim që sipas ligjit për gjykatat administrative, afati i shqyrtimit të çështjeve në apelin administrativ është 30 ditë, le të vlerësojë gjithkush që sot në gjykim pranë kësaj gjykate të vetme të apelit administrativ gjykohen çështje të vitit 2016. Pra nga 30 ditë në tridhjet e ca muaj vonesë. Nuk është surprizë që edhe në apelin e vetëm civil dhe penal të përsëritet e njëjta histori. Nuk jam në gjendje të vlerësoj si do ecin gjykimi i çështjeve, por duke ju referuar eksperiencës së mësipërme nuk do të çuditesha nëse do të kishim nje ecuri të njëjtë edhe në apelin e vetëm të çështjeve gjyqësore dhe atyre penale, gjë që nuk do ta deshiroja. Në fund të ditës numri i çështjeve të gjykuara për një gjyqtar llogaritet me ngarkesën që ka çdo gjyqtar për të gjykuar në një njësi kohe të caktuar. Eksperimeti do e provojë nëse është vepruar drejt apo jo. Ne mendojmë që nuk ka për të ndryshuar gjë, pasi çështjet janë ato dhe numri i gjyqtarëve është po ai, pavarësisht nëse do të gjykohen në Tiranë, Vlorë, Shkodër apo në çdo gjykatë apeli që funksionon sot në Shqipëri. Le te presim dhe të shohim.
Çfarë problematikash do të sjellë funksionimi i sistemit me një Apel?
Të shumëllojshme. Së pari në drejtim të infrastrukturës. Sot ne nuk disponojmë dhe me të gjitha gjasat nuk ekzistojnee kushtet për plotësimin e mundshëm të kapaciteteve të ambienteve për të përballuar shtimin e një numri të konsideruar gjyqtarësh dhe sekretarisë gjyqësore. Mungesa e ambienteve për zhvillimin e gjyqeve automatikisht do të çojë në shtyrjen e seancave gjyqësore nga orari i caktuar, deri në pritjen e lirimit të sallave tee gjykimit.
Së dyti, transferimi i dosjeve nga apeli në rrethe në gjykatën e vetme të apelit në Tiranë do të kërkojë një kohë të caktuar, pasi lidhet më mënyren e transferimit të dosjes dhe që lidhet me procesverbalin përkatës të dorëzimit të dosjes nga poseduesi aktual në atë që do ta marrë në dorëzim. Unë ju siguroj që transferimi i dosjeve nuk do të bëhet me kamiona, por me procesverbale për çdo dosje dhe çdo fletë përbërëse të dosjes, nga dorëzuesi te marrësi. Në të kundërt do të kishim të bënim me një skandal që mund të çojë në eliminime te provave dhe kostoja do i faturohej sistemit. Kjo do të ishte e pafalshme, nëse nuk ekziston një qëllim i tillë në të gjithë këtë histori.
Së treti, në vlerësimin e masave të sigurimit personal do të nevojitet një flotë e vërtetë e transportimit të të arrestuarve nga rrethe gjyqësore në apel, të masave të sigurimit për transportimin e këtyre të arrestuarve, të vendqëndrimit sipas standardeve të tyre pranë gjykatës së apelit, të orarit të caktuar me ligj për transportimin e tyre dhe kthimin e tyre në institucionet e paraburgimit, si dhe një sërë problematikash të tjera që lidhen me vendqëndimin e tyre në pritje të zhvillimit të seancës për vlerësimin e masave të sigurisë apo të proceseve të tjera ligjore. Dikush mund të thotë që ky është një problem që i takon shtetit për ta plotësuar, por ne themi që kohëzgjatja e gjykimit të tyre detyron avokatët të konsumojnë kohë inproduktive në pritje të fillimit të seancës gjyqësore. Pa marrë në konsideratë plotësimin e kushteve të nevojshme të të arrestuarve që lidhen me plotësimin e nevojave të tyre vetjake apo për të drejten e të ushqyerit dhe të nevojave të tjera jetike.
Se katërti, transferimi i gjykimit të çështjeve nga rrethet në Tiranë do t’i mohonte të drejtën e avokatëve që brenda nje dite kalendarike të zhvillonte paralelisht disa gjyqe në gjykatat me juridiksion të pergjithshëm të shkallës së parë dhe në apel. Nëse me hartën ekzistuese një avokat mund të marrë pjesë në një ditë kalendarike në dy apo më shumë seanca gjyqësore, me hartën e re gjyqësore ky është i detyruar të sigurojë pjesëmarrje të detyruar vetëm në një seance gjyqësore. Kjo do të sjellë ulje të efektivitetit të veprimtarise së avokatit në kuptimin e pamundësisë së kohës së nevojshme për tu marrë me biznesin e vet të avokatisë. Kjo do të shkaktojë pasoja në qarkullimin monetar të veprimtarisë së aktivitetit duke shkaktuar premisa me pasojë falimentin e tij. Ne jetojmë në një shoqëri kapitaliste, ku falimentimi është një fenomen i pranuar nga të gjithë, por kur ky ndodh për shkak të ligjit, përgjegjësia, minimalisht morale, bie mbi ata që e kanë shkaktuar.
Dhe së fundi, në të gjithë këtë histori, ajo që konsumohet është elementi kohë. Largimi i gjykatave nga njësitë teritoriale në fund të ditës është tejkalim i kohës së harxhuar. Për klientin me një nivel jetese mesatarisht 60 apo 70 vjet, kohëzgjatja e gjykimit deri në 10 vjet përbën 1/6 apo 1/7 e jetës së tij, jashtë qendrës së tij të banimit. Për avokatin rrit kohën e veprimtarisë jashtë qendrës së tij të banimit në 1/20 e jetës së tij. Pra imagjinoni si konsumohet koha reale për shkak të nje harte gjyqësore, kur kjo kohë efektive mund të konsumohej pranë qendrës së tij të banimit.
Përse harta e re gjyqësore nuk ka zbatuar kriteret ligjore të parashikuara nga ligji?
Ligji 98/2016 në nenin 14 të tij përcakton kriteret bazë për hartimin e hartës gjyqesore. Kriteri i parë është aksesi në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me gjykatën. Në asnjë rast hartuesit e kësaj harte nuk e kanë respektuar këtë kriter. Distanca kilometrike e fshatrave që përbëjnë njësinë teritorriale e kalojnë disa fish standardet ndërkombëtare te largësisë së gjykatave nga këto njësi. Së dyti, ulja e kostove për përdorimin me efektshmëri të fondeve publike. Nuk ka individ me formim mesatar të mos kuptojë që rritja e distancave kilometrike nuk rrit koston e proceseve gjyqësore, qoftë ato të individit, qoftë fondet publike. Në nenin 15, pika 3 e ketij ligji thuhet se harta gjyqësore bazohet në: 1)Ndarjen administrative teritoriale. As në kushtet e ndarjes aktuale teritoriale dhe as në diskutimet e zhvilluara deri më sot për ndarjen e re teritoriale nuk është llogaritur ky kriter. Le të marrim gjykatën e Krujës. Kruja është pjesë e ndarjes territoriale të qarkut Durrës. Gjykata e Krujës transferohet në Tiranë. A është kjo një shkelje e ligjit. Ne themi po, ata që e kanë hartuar le te japin argumenta ndryshe. 2)Në numrin e banorëve të njësisë teritoriale. Rrethi i Lushnjës ka një popullsi prej rreth 200.000 banore. A nuk e plotëson kriterin ligjor për të patur një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë. Ne themi po, hartuesit le të argumentojnë ndryshe. 3)Infrastrukturën rrugore. A mund të krahasohet infrastruktura rrugore e bashkisë Tropoje apo Pukë me rrethet e tjera? E njëjta pyetje që kërkon përgjigje. 4)Kushtet e transportit. A mund të krahasohet transporti i fshatrave të larget të zonës së Zagorisë, në kushtet e një moti të keq, për të patur akses në gjykimin e çështjeve administrative në Lushnjë. Ne mbajmë të njëjtin qëndrim. Ata që e kanë hartuar le ta argumentojnë. 5) Degët e gjykatave. Është një detyrim ligjor që parashikohet nga neni 17 i ligjit 98/2016. Le të thonë hartuesit e projektit të hartës gjyqësore a kanë parashikuar ngritjen e ndonjë dege të vetme gjyqësore? Në opinionin tonë nuk ka një të tillë. A kanë shkelur ligjin hartuesit e hartës? Ne themi po. Së fundi, harta e re gjyqësore sjell pasoja të pariparueshme të jetës sociale në shumë qytete të vendit. Une po i referohem qytetit të bukur dhe shumë tradicional, Permet. Nga ky qytet janë larguar gjatë këtyre viteve të fundit Drejtoria Arsimore në Fier, Drejtoria Rajonale Tatimore dhe ajo e sigurimeve shoqërore në Gjirokastër, inspektoriati i pyjeve në Sarandë, Gjykata dhe Prokuroia në Gjirokastër. Atëherë çfarë i ngelet këtij qyteti në jetën administrative dhe të shërbimeve sociale? Asgjë, vetëm policia dhe bashkia, e cila shërben si një organ punësimi i disa njerëzve që kanë dhëne kontribute në jeten politike të këtij qyteti. Kthejuni këtyre qyteteve dinjitetin dhe individualitetin që ata meritojnë. Mos i ktheni në fshatra dhe lërini të vdesin sikurse kanë lindur.