Britania e Madhe vijon të jetë nën ethet e fushatës brenda Partisë konservatore pas dorëheqjes së Boris Johnson, për të mësuar se kush do të jetë kryeministri i ri i vendit.
Rishi Sunak dhe Liz Trus u përballën ditën e djeshme në debatin e dytë publik, i cili në fakt u ndërpre për disa minuta për shkak të një incidenti të ndodhur në studion televizive ku debati po mbahej. Moderatorja që po drejtonte debatin u rrëzua në skenë pasi për një moment humbi ndjenjat, duke bërë që debati të anulohej.
Momenti dramatik ndodhi teksa zonja Truss po i përgjigjej një pyetjeje të bërë nga moderatorja.
Një zhurmë e madhe bëri që Sekretarja e Jashtme, qartësisht e shqetësuar, të mbetej e shokuar, ndërsa bërtiti: ‘O Zot!’. Zonja Truss u pa më pas duke lënë podiumin e saj dhe duke ecur drejt vendit ku kishte qëndruar moderatorja.
Furnizimi i transmetimit u ndërpre me shpejtësi, me shikuesit u shfaq mesazhi: ‘Na vjen keq për ndërprerjen e këtij programi. Ne po punojmë shumë për të rregulluar problemin dhe së shpejti do t’i rikthehemi programimit normal.’
Pati një pauzë të gjatë në transmetim, ndërsa shikuesit pyesnin veten se çfarë kishte ndodhur në studio, përpara se një ‘çështje mjekësore’ të citohej si shkaku i shqetësimit.
Duke konfirmuar se pjesa tjetër e debatit nuk do të vazhdonte më, TalkTV tha më vonë në një deklaratë: ‘Kate McCann-it i ra të fikët në transmetim sonte dhe megjithëse është mirë, këshilla mjekësore ishte që ne të mos vazhdojmë me debatin. I kërkojmë falje shikuesve dhe dëgjuesve tanë.’
Më vonë vetë moderatorja reagoi në Tëitter duke shpjeguar situatën dhe duke thënë se ishte mirë.