Juan Laporta është rrezatues pas blerjeve të fundit të Barcelonës, por dëshiron më shumë. Ai dëshiron rikthimin e Messit, që të “pensionohet” me fanellën Blaugrana, së cilës i ka dhënë kaq shumë. Argjentinasi do të ishte “qershia mbi tortën” e rilindjes së kësaj Barçe, falë “levave” të famshme financiare.
Sigurisht, te Barça e kanë të qartë se rikthimi i 7 herë fituesit të “Topit të Artë” do të duhet të ndodhë vitin e ardhshëm. Argjentinasi ka edhe një sezon të mbetur në kontratën e tij me PSG. Ajo që presidenti e ka të qartë është se historia e Leos me Barçën nuk mund të përfundojë siç u pa vitin e kaluar, me “Pleshtin” që u largua kundër dëshirës së tij.
Kjo u tha në një ngjarje për të festuar aleancën e Barçës me ACNUR, agjencinë e refugjatëve të OKB-së, së bashku me trajnerin Xavi Hernández dhe lojtarë historikë e aktualë si Thierry Henry, Juliano Belletti, Jordi Alba, Ter Stegen, Kessie apo Sergio Roberto.
“Është një aspiratë që e kam si president dhe do të doja të ndodhte. Kam qenë bashkëpërgjegjës për atë largim të verës së kaluar, por e konsideroj provizor. Etapa e Messit te Barça nuk përfundoi ashtu siç donim të gjithë, përfundoi shumë e kushtëzuar nga ekonomia. Kemi një borxh moral ndaj tij. Në këtë kuptim do të donim që fundi i karrierës së tij të ishte me fanellën e Barçës dhe të duartrokitet në “Camp Nou”. Nënshkrimet e Barcelonës? Kam ndjenjën se po punojmë mirë, lojtarët duan të vijnë përsëri te Barça.
Ne po krijojmë një ekip të ekuilibruar, që mund të marrë pjesë në të gjitha garat me synimin për t’i fituar ato. Ka shumë konkurrencë, me minimumi dy lojtarë për çdo pozicion. Skuadra është përforcuar shumë”.
Përgjigja ndaj Bayernit:
“U kërkoj të tjerëve të mos përzihen në atë që bëjmë dhe të shqetësohen për gjërat e tyre. Unë i respektoj të gjithë dhe nuk ndërhyj në ekonominë e të tjerëve. Ndoshta ata menduan se ne u mundëm për Lewandowskin, por nuk e matën mirë forcën e Barcelonës. Është thjesht injorancë, mungesë informacioni për klubin tonë. Tashmë kemi ecur përpara. Barcelona ka më shumë se 120 vjet histori dhe ka pasuri me vlerë të madhe“.