E gjithë Shqipëria ka pritur një fluks turistësh këtë verë, edhe për faktin se jemi dy vite pas pandemisë.
Sakaq, Saranda është një nga destinacionet e preferuara të turistëve të huaj. Këtë mëngjes Rama ka shpërndarë pamjet nga qyteti bregdetar, duke i uruar ndjekësve të tij në rrjetet sociale një të diel të mbarë.
Në videon e postuar nga Rama dëgjohen përshtypjet pozitive të turistëve të huaj dhe shqiptarë për qytetin jugor, duke nisur që nga plazhet, peisazhi e deri tek kushtet, shërbimi e çmimet.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare.