Lojë spinësh, rusë, çekë dhe ukrainas në repartet tona

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dy reparte ushtarake që kanë shërbyer për prodhim të armëve dhe municioneve, në Gramsh dhe Poliçan, u “sulmuan” nga shtetas të huaj të cilët u kapën duke fotografuar dhe xhiruar brenda ambienteve të godinave të “rëndësisë së veçantë”. Policia dhe forcat e ushtrisë arrestuan 7 shtetas, dy rusë, katër çekë dhe një ukrainas. Ngjarja më e rëndë është ajo e Gramshit ku u dyshuari si agjent rus sulmoi dy ushtarakët që ruanin godinën. Ushtria një hap larg gatishmërisë. Për tre të ndaluar ngrihen akuza për “spiunazh”.

Shtatë shtetas të huaj, rus çekë dhe ukrainas janë arrestuar ditën e shtunë dhe të dielë, pasi kanë tentuar të hynë në zona ushtarake në atë të Gramshit dhe të Poliçanit. Të shtunën pasdite tre shtetas, dy rus dhe një ukranias kanë sulmuar dy ushtarë që qëndronin të gatshëm në Uzinën e Gramshit zonë që mbulohet nga Ministria e Mbrojtjes. Agresorët që pretendohet të jenë persona të një rrjeti spiunazhi kanë tentuar për të hyrë në repart, duke sulmuar dy ushtarët që rrinin roje të kësaj uzinë që prodhoheshin armë deri në vitin 1992. Po ashtu edhe në Poliçan kanë hyrë brenda repartit dhe janë gjetur duke fotografuar afër tunelit katër shtetas çek. E gjithë kjo ngjarje i ka kanalizuar institucionet shqiptare drejt mundësisë së spiunazhit. Këtë e ka konfirmuar vetë qeveria dhe prokuroria, ku për tre shtatasit që u kapën në Gramsh është ngritur akuza për spiunazh dhe sulm ndaj forcave ushtarake.

Ngjarja

Në mesditën e së dielës, rreth orës 17.30 shërbimet e policisë kanë marrë njoftimin se një shtetas i huaj ka tentuar të futet në brendësi të repartit ushtarak dhe pasi është ndaluar nga rojët i ka spërkatur në fytyre më një lëndë që u ka shkaktuar djegie dhe humbje të përkohëshme të shikimit. Policia arriti të ndalojë Mikhail Zorin me shtetësi ruse, 24 vjeç. Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën. Po në afërsi të të ish-Uzinës së Armëve në Gramsh, Policia bllokoi automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe, dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme. Njëri nga ushtarët e sulmuar nga rusët dhe ukrainasi mbrëmjen e së shtunës, tregoi detaje se si ndodhi ngjarja. Ai tha se në fytyrë kishin shumë djegie gjë që bëri t’u ikë shikimi, po pastaj e kapën sulmuesin edhe e mbajtën në vend derisa njoftuan policinë. “Edhe nga fytyra kishim djegie. Shikimi për momentin na iku. Për momentin po. E kapëm të dy dhe e po mbanim poshtë, derisa njoftuam patrullat”, tha ai. Këtë, ushtari e tregoi teksa po bisedonte me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili shkoi në ambientet e spitalit të QSUT-së.

Banorët shprehet se makina luksoze me targa ukrainase e ka qenë prej 10 ditësh rreth Uzinës ushtarake dhe në Gramsh, por i kanë konsideruar si turistë dhe nuk kanë parë diçka të dyshimtë më parë. Në makinën me tagra ukrainase, që po përdorej nga rusët dhe ukrainasi gjatë qëndrimit në Shqipëri janë gjetur 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparatë fotografikë, të cilat janë sekuestruar nga policia. Hetimet për ngjarjen në Uzinën e armëve në Gramsh ku dy rusë e një ukrainas sulmuan dy ushtarë po ndiqen nga kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi. Ajazi ka urdhëruar një serë veprimesh hetimore si kontrolli i celularëve, ku kanë qëndruar në Shqipëri etj. Dy rusët (një burrë dhe një grua) dhe ukrainasi u morën sërish në pyetje ku mohuan të jenë agjentë. Ndërkaq, në Prokurorinë e Elbasanit për ngjarjen mbërriti edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano. Ndërsa në Poliçan rreth orës 8:40 forcat e ushtrisë kanë konstatuar se një nga çelësat e njërit prej tuneleve ishte i dëmtuar. Pas disa orëve kërkime janë konstatuar dy persona që ishin duke fotografuar ambientet e brendshme të një tuneli që të çonte drejt uzinës së Poliçanit. Tashmë dy shtetas çekë, rreth orës 12:30 janë ndaluar dhe pas shumë kërkimesh janë ndaluar dhe dy gratë, që mendohet se janë bashkëjetueset e tyre. Kjo ngjarje është mbajtur sekret, për të kuptuar më qartë arsyet se pse çekët kanë hyrë në ambientet e brendshme të uzinës së Poliçanit dhe kanë qëndruar për disa orë aty. Gjithçka është zbuluar kur rojet kanë ndërruar turnet.

Komunikimi i ministrit të Mbrojtjes

Në një komunikim për mediat, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi sqaroi ngjarjen, ndërsa pohoi se bëhej fjalë për tre të huaj që ndodheshin prej disa ditësh në vend dhe se kanë qenë nën vëzhgim. “Ngjarjen e djeshme (e së shtunës), duhet ta presim të gjithë të zbardhet, por unë po e përmbledh atë që ka ndodhur dhe nga dëshmia e ushtarakëve. Tre shtetas të huaj u janë afruar ish-uzinës ushtarake të Gramshit. Them ish sepse prej vitesh ajo uzinë nuk ka aktivitet. Një prej shtetasve të huaj ka kapërcyer rrethimin në mënyrë të paligjshme. Në këtë moment dy ushtarakët duke u ngritur në nivelin dhe përgjegjësinë e detyrës e kanë parandaluar. Shtetasi rus ka reaguar fizikisht, ka përdorur edhe një spray që ka shkatuar edhe lëndim, por pavarësisht lëndimit dy ushtarakët kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Policia ka reaguar shumë shpejt dhe ka bërë të mundur ndalimin dhe arrestimin e këtij shtetasi të huaj. Më pas jo shumë larg nga Uzina e Gramshit janë ndaluar edhe dy shtetasit e tjerë, të cilët ndodheshin në një makinë”, ka treguar ngjarjen ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Ministri nuk e ka quajtur incident , por as nuk ka nxituar për ta qujatur “celula ruse në Shqipëri”.

“Padyshim që e vendosur edhe në kontekstin e gjërë rajonal edhe në kontekstin politik duhet vlerësuar dhe nuk mund të kalojë si një incident i zakonshëm, por ne nuk mund të nxitohemi të nxjerrim konkluzione, por gjithsesi fakti që është reaguar dhunshëm nga këta shtetas të huaj na bën të jemi më të vëmendshëm për ta hetuar deri në fund. Janë shumë struktura që do të punojnë që nga inteligjenca jonë ushtarake, Policia Ushtarake, Shërbimi Infotmativ Shtetëror, Policia e Shtetit, Antiterrori. Tani janë në pyetje dhe hetim që të tre shteatasit e huaj që si e thashë mbajnë pasaporta ruse dhe ukrainase. Presim të shohim.”, tha Peleshi. Pyetjes se; Çfarë kanë deklaruar? Peleshi shtoi se: “Do ketë sot për pak një deklaratë për ecururinë e hetimeve nuk mund të zbardh më tepër, duhet të bëjmë pak durim. Jam shumë falenderues për mediat, natyrisht distancohem nga çdo spekullim politik. Është jo normale që ngjarje të tilla ti trajtojmë sikur të ishte politika lokale e ditës. Sepse këto janë kritike sidomos edhe deklarime sidomos të faktorve politikë, deklarime të institucioneve shtetërore vërehen, analizohen, komentohen dhe mund të kthehen edhe në një problem shumë më të madh se vetë ngjarja.”.

Po ashtu, Peleshi hodhi poshtë zërat, sipas të cilëve, Uzina kishte tre vite pa energji elektrike. Niko Peleshi, tha se se Shqipëria duhet të modernizojë kapacitet e saj ushtarake.

“Vijnë edhe kohëra si këto, kur na duhet të kalojmë nga politika e demilitarizimit te politika e modernizimit të ushtrisë dhe pse jo, të tërheqjes së investitorëve të huaj për t’i rikativizuar edhe ato industri të fjetura ushtarake, të lëna pa funksion”, tha Peleshi për gazetarët pasi vizitoi dy ushtarët e plagosur. Ministri shtoi se ngjarja nuk duhet të minimizohet, por as nuk duhet të shkaktohet panik prej saj. Ai dha detaje mbi 3 shtetasit e huaj – 2 rusë dhe 1 ukrainas – tashmë të arrestuar nga autoritetet. “Janë pikasur nga strukturat tona, edhe të inteligjencës. Agjencia jonë e inteligjencës ka qenë pranë ngjarjes, ka qenë vazhdimisht e informuar, që kur ka lindur dyshimi e deri kur ka ndodhur ngjarja. Personi që ka kapërcyer gardhin e uzinës, në momentin që është kapur nga ushtarët tanë, ka përdorur spray. Fatmirësisht ata janë në gjendje shumë të mirë dhe do të largohen sot nga spitali”, tha Peleshi.

Lexo edhe :  Berisha nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve/ Paralajmëron protestë

Alarm për spiunazh

Gjithë institucionet që lidhen me sigurinë e vendit janë angazhuar për të hetuar ngjarjen e dy ditëve të fundit, ku shtetas të huaj rusë, çekë dhe ukranias kanë tentuar të hyjnë brenda ish-uzinave të prodhimit të armëve dhe municioneve.

Kreu i Qeverisë Edi Rama ka reaguar për ngjarjen e shënuar mbrëmjen e së shtunës në Gramsh ku dy rus dhe një ukrainas kanë sulmuar dy ushtarët që rrinin rojë të godinës ku ka qenë uzina e prodhimit të armëve. Rama tha se tre të arrestuarit dyshohen për spiunazh.

“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!”, tha Rama. kreu i Qeverisë nuk ka lënë pa falenderuar edhe dy ushtarët të cilët u plagosën.

“Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!”.

Yuri Kim

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, reagoi lidhur me ngjarjen e ndodhur një natë më parë në uzinën ushtarake të Gramshit, ky dy ushtarë mbetën të lënduar pasi kapën një shtetas rus që tentoi të hynte në uzinë, ndërsa arrestuan edhe dy të tjerë që e shoqëronin. “Fola me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit, Gjeneral Kingji për t’i uruar shërim të shpejtë dy ushtarëve që u dëmtuan teksa mbronin një godinë ushtarake. Qëndrojmë krah aleatit tonë teksa autoritetet hetojnë plotësisht për të përcaktuar faktet dhe për të gjetur përgjegjësit”, tha Kim në një postim në Tëitter.

Presidenti Begaj

Presidenti Bajram Begaj reagoi lidhur me incidentin e ndodhur në uzinën ushtarake të Gramshit, ku 3 persona u arrestuan pasi tentuan të hynin brenda saj, dhe ku gjatë përleshjes mbetën të plagosur dy efektivë të Forcave të Armatosura. “Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me vëmendje. Në komunikim të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj & mbështes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cenon sigurinë kombëtare. Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë”, tha Presidenti në një mesazh në Tëitter.

Partia e Lirisë

Partia e Lirisë i bën thirrje Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe institucioneve ligjzbatuese përgjegjëse të sqarojnë menjëherë incidentin e ndodhur në Uzinën Ushtarake të Gramshit. “Kjo ngjarje shumë e rëndë, që i ndodh një vendi anëtar të NATO-s, që lidhet me sigurinë kombëtare, por dhe kolektive të Aleancës, meriton një hetim të menjëhershëm dhe transparent. Kryeministri, Ministri i Mbrojtes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, të ndërpresin menjëherë pushimet dhe të japin para shqiptarëve informacion të detajuar dhe zyrtar mbi këtë ngjarje, që nuk mund të zbardhet vetëm duke u lënë në dorën e raportimeve mediatike”, tha Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi. “Partia e Lirisë u shpreh të gjithë solidaritetin familjeve të ushtarëve të lënduar dhe u uron atyre shërim sa më të shpejtë! Të tilla ngjarje të rënda dëshmojnë edhe njëherë papërgjegjshmërinë e Qeverisë në raport me ruajtjen e sigurisë kombëtare, që duhet të jetë prioritet, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në kushtet kur aktorë të tjerë prej kohësh po përpiqen të destabilizojnë rajonin tonë”, thuhet në deklaratën e Partisë së Lirisë.

Fatmir Mediu

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në Gramsh, ku dy ushtarë u sulmuan nga tre shtetas të huaj, rusë dhe ukrainas që tentuan të hynin në uzinën e armëve. Mediu shtoi se është nevojë urgjente ndërtimi i një Agjencie të Sigurisë Kombëtare, e cila t’i shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare.

“Rusia dhe Putin ka për qëllim krijimin e vatrave të tjera të konfliktit dhe tensionit në rajonin e Ballkanit mbas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia. Shqipëria është përcaktuar qartë nga Putin dhe Moska si kundërshtar i Rusisë. Nuk është hera e parë që shërbimet ruse veprojnë në territorin tonë dhe në Ballkan. Kujtoj shpërthimet në Rumani dhe Bullgari të organizuara prej rusëve. Shërbimet ruse nën petkun diplomatik kanë tentuar prej kohësh të korruptojnë ushtarakë dhe civilë shqiptarë për qëllimet e tyre subversive”, shkruan Fatmir Mediu.

Kosova në krah të Shqipërisë për ngjarjen e Gramshit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas incidentit në Uzinën ushtarake në Gramsh ku dy rusë e një ukrainas sulmuan dy ushtarë pasi tentuan të futen me forcë në uzinë. Kurti në emër të Qeverisë së Kosovës dënoi incidentin dhe bëri me dije se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është në kontakt me atë të Shqipërisë për të zbardhur sa më shpejt rrethanat e ngjarjes. “U dëshirojmë shërim të shpejtë dy ushtarakëve shqiptarë të lënduar nga sulmi me sprej neoparalizues. Ministria jonë e Mbrojtjes, është në kontakt me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Urojmë që hetimet që po vijojnë nga autoritetet e Shqipërisë të zbardhin sa më shpejtë rrethanat e ngjarjes”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit. Po ashtu Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reguar pas incidentit në uzinën e Gramshit. Osmani shkruan se ka telefonuar homologun e saj, presidentin Bajram Begaj duke i ofruar atij mbështetje, ndërsa ka theksuar se autorët e sulmit duhet të mbajnë përgjegjësi. “Kam folur me Presidentin Bajram Begaj, për sulmin e fundit ndaj ushtarëve shqiptarë në fabrikën e Gramshit. Të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë. Autorët e këtij sulmi duhet të mbajnë përgjegjësi. Institucionet tona janë të gatshme të ofrojnë çdo mbështetje të nevojshme”, ka shkruar Osmani.

Media britanike: “Putini u poshtërua”

Media britanike Express.co.uk ia ka kushtuar vëmendje ngjarjes së ndodhur në uzinën e armëve në vendin tonë në Gramsh, ku dy shtetas rus dhe një ukrainas sulmuan dy ushtarë. “Putini u poshtërua, pasi spiunët rusë u kapën në flagrancë duke u përpjekur të hynin në fabrikën e armëve”, kështu shkruan Express. Ajo shkruan më tej se: “Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Gramshit, ku ndodhet një bazë ushtarake me një fabrikë armësh. Fabrika e Gramshit përdoret për të çmontuar armët e vjetra, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Dy rusë dhe një ukrainas u kapën nga personeli i sigurisë teksa po tentonin të hynin në ambiente. Një nga të personat, dyshohet se sulmoi rojet me një sprej paralizues, ndërsa përpiqej të bënte fotografi. Dy nga efektivët e sigurisë u plagosën nga sulmi dhe u dërguan në spital, ku gjendja e tyre cilësohet si e qëndrueshme. Dy spiunët rusë, janë arritur të identifikohen dhe janë 33-vjeçarja Svetlana Timofeeva, ndërsa një nga burrat ishte njëzet e tre vjeçari Mikhail Zorin . Timofeeva dihet se udhëton nëpër botë dhe bën fotografi të “objekteve të çuditshme”, siç janë avionët e vjetër.

Të fundit

Forcë e tretë në zgjedhje/ Tom Doshi falënderon 50 mijë votuesit e PSD

Kreu i PSD, Tom Doshi, përmes një postimi në rrjete sociale ka falenderuar të gjithë mbështetësit e tij në...

Papa Leon XIV shkel protokollin, përqafon vëllain e tij gjatë ceremonisë së inaugurimit

Papa Leo XIV  theu protokollin dhe përqafoi vëllanë e tij Luis gjatë përshëndetjeve me delegacionet në fund të ceremonisë së inaugurimit. Pasi shtrëngoi duart me...

“Tërheqin blerës me të ardhura të larta”/ Pse po ndërtohen shumë vila në Tiranë?!

Ndërtimet e rezidencave të banimit me vila dhe apartamente në zonat e Farkës, Lundrës apo Mjull Bathores vijojnë të tërheqin blerës me të ardhura...

Rusia lëshon 273 dronë drejt Ukrainës/ Sulmi më i madh që nga nisja e luftës

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, gjithsej 273 mjete ajrore pa pilot u lëshuan nga Rusia gjatë natës, duke shënuar një shifër rekord. Që nga...

E rëndë në Roskovec/ E zuri poshtë muri rrethues i banesës, humb jetën 4-vjeçarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të diele në Roskovec. Muri rrethues i një banese është shembur duke zënë poshtë një...

Lajme të tjera

Web TV