Opozita tashmë e ka bërë publike që do të nisë protestat tani që sapo kemi hyrë në fillimin e muajit shtator, por ende nuk e ka të qartë formën e protestës. Diskutimet janë për një protestë të vendosur deri në agresivitet, apo tubime masive politike që mbahen për fundjavë.
Opozita tashmë është e qartë për mënyrën e reagimit të saj. Të gjithë thonë se do të protestojnë kundër qeverisë dhe me fjalën “të gjithë” nënkuptohet Sali Berisha dhe Ilir Meta që po grumbullojnë rreth vetes mbështetësit e tyre. Por ndërsa janë të qartë se zhvillimi i protestave është në dobi të tyre, forma që do të zhvillohet ajo mbetet enigmë si për Berishën ashtu edhe për Metën. Më i ashpër duket Meta i cili në dukje nuk ka ç’të humbasë, kur ka të hapur edhe një procedim penal nga SPAK, por Berishës nuk i lejohet që të dështojë në nismat e tij. Ideja është hedhur për protesta të shpeshta dhe të vendosura, ku me fjalën “të vendosura” nënkuptohet edhe përplasje, sidomos për kauza të ndryshme të cilat janë në duart e opozitës që të ngrihen edhe më shumë apo të varrosen përfundimisht. Berisha po kërkon hapjen e partisë dhe tërheqjen e elektoratit gri, por për t’ia arritur kësaj do i duhet më shumë punë ngase e mendonte. Protestat e dhunshme në përgjithësi nuk mbështeten nga elektorati gri, i cili kërkon alternativë, programe dhe mbi të gjitha duan të binden se ekziston frymë në pjesën opozitare. Pikërisht kjo e fundit mungon ende…
Partia e Lirisë “agresivitet verbal”
Partia e Lirisë po fillon përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale e cila pritet të jetë në koalicion më Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka zhvilluar dje një takim me strukturat në Korçë për të ndezur motorët e fushatës për zgjedhjet lokale. Ai tha se Korça do të jetë qyteti i parë që do i japë Ramës goditjen për t’u larguar nga pushteti. Ai tha se Partia e Lirisë në Korçë ka shtrukturat gati për “luftën” ndaj Ramës. “Kemi pasur një takim me strukturat e lirisë në Korçë për të ndezur motorët për zgjedhjet lokale të ardhshme dhe për ta nisur nga këtu betejën për shembjen e shpejtë të Edi Ramës. Korça do i japë e para goditjen. Më vjen mirë që pashë struktura të motivuara gati për aksionin e madh politik të shtatorit. Do i japim një përgjigje Edi Ramës dhe bandës së tij që ka marrë peng qytetin e Korçës”, u shpreh ai. Blushi nënvizoi se protesta e parë e opozitës do të jetë shumë e afërt në kohë ndërsa nënvizoi se janë në koordinim të plotë me PD. “Është një dëshmi e qartë pse Edi Rama është shporrur një orë e më parë.
Në një vit qeveria nuk ka marrë asnjë nismë ligjore në ndihmë të shtresave në nevojë. Asnjë paketë reale. Jeni të gjithë dëshmitarë që ka zero rritje pagash dhe pensionesh. Apo rimbursim për rritjen e çmimeve. Zero subvencionim për naftën dhe energjinë elektrike. Nuk e di çfarë mund të bëjë më keq se kaq”, tha Tedi Blushi. sipas tij, shtatori do të jetë nisja e një revolucioni për ndrshimin e qeverisë. “Një datë nuk e kemi për momentin por do jetë shumë e afërt. Shtatori do të jetë nisja e një revolucioni të plotë. Jemi në koordinim të plotë me PD për të nisur aksionin politik për largimin e kësaj qeverie. Koha e opozitës së kapur ka marrë fund. Opozita është e bashkuar. Nuk besoj se ka vend më. Mesazhi ka qenë i qartë”, tha Blushi.
Ndërkohë, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar historinë e dy binjakëve ekselentë në degën e Mjekësisë në Tiranë Mario dhe Xhulio Popa që e mendojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit. Meta shprehet se si ata edhe mijëra të rinj në Shqipëri në mungesë të shpresës këtu bëjnë përpjekje çdo ditë për t’u larguar. “Të frenojmë ikjen e të rinjve tanë më të talentuar duke ju krijuar kushte dhe mundësi më të mira për arsimim dhe punësim, që të shprehin potencialet e vërteta dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend”, shkruan Meta.