Nga Rudina Koromani
Shanset për të rënë nga avioni janë 1 në 1 milion, ama që të dëmtohesh nga gabimet mjeksore ke një shans shumë herë më të madh – 1 në 300.
Miliona pacientë dëmtohen çdo vit për shkak të kujdesit të pasigurt shëndetësor në mbarë botën duke rezultuar në 2.6 milionë vdekje/vit . Shifrat e dhëna nga OBSH ( 2019) i referohen vetëm vendeve me status ekonomik të mesëm dhe të ulët (ku jeton 80 për qind e popullsisë globale), kështu që numri real mund të jetë edhe më i madh, duke marrë parasysh se edhe në vendet e zhvilluara, një në çdo 10 pacientë është viktimë e gabimeve mjekësore.
Shumica e këtyre vdekjeve janë të shmangshme por realisht 5 pacientë vdesin çdo minutë nga gabimet mjeksore globalisht e ku 138 milionë pacientë dëmtohen çdo vit.
Katër në çdo dhjetë pacientë dëmtohen gjatë kujdesit shëndetësor parësor dhe ambulator. Gabimet më të mëdha lidhen me diagnozën, përshkrimin dhe përdorimin e barnave. Procedurat e pasigurta të kujdesit kirurgjikal shkaktojnë komplikime deri në 25% të pacientëve që rezultojnë në 1 milion vdekje gjatë ose menjëherë pas operacionit çdo vit.
Në rang botëror vlerësohet afërsisht se ka 421 milionë shtrime në spital në vit, nga ku 42.7 milionë të rasteve janë nga gabimet mjeksore. Vendin e parë në botë për dëmet e jetës njerëzore, të shkatuar nga dëmët e bluzave të bardha, e mban Amerika. Vlerësohet se gabimet mjekësore përbëjnë deri në 251,000 vdekje në vit në Shtetet e Bashkuara, duke i bërë ato shkaku i tretë kryesor i vdekjeve. Normat e gabimeve janë dukshëm më të larta se në çdo vend tjetër i zhvilluar të cilat shënojnë më pak se 10% .
Po cilat janë disa nga arsyet e këtyre gabimeve mjeksore?
Siguria e pacientit dhe cilësia e kujdesit janë thelbësore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore efektive dhe arritjen e mbulimit shëndetësor universal, ndonëse të tilla standarte mbeten formale në shumicën e vendeve. Ndërkaq, një studim i Choi EY et.al., 2021 tregon se shumë gabime mjekësore ndodhin si rezultat i dështimeve të komunikimit doktor-pacient.
Bluzat e bardha nuk kanë asnjëherë kohë për të komunikuar me pacientët e tyre, komunikim në zhargonin mjeksor i cili edhe kur ndodh është i pakuptueshëm.
A komunikojnë pacienti dhe ofruesi në mënyrë efektive me njëri-tjetrin? A arrin pacienti t’i shpjegojë shqetësimet e tij shëndetësore dhe a dëgjojnë mjaftueshëm doktorët për të dhëna jashtë konsideratave tipike ?
Ajo që konsiderohet më e rëndësishme është përfshirja më e madhe e pacientit, duke e verësuar si çelësin e kujdesit më të sigurt.
Në praktikat klinike mjeksore, specialistët e shëndetit hasin përditë pacientë që kanë marrë mjekime të gabuara. Në kërkim të shërimit të simpomave që vuajnë, individët në nevojë i besojnë kurës së çdo mjeku ku shkojnë e gëlltisin gjithshka u rekomandohet. Duke i parë doktorët si autoritet absolut, indivdët, të cilët nuk e kuptojnë kompleksitetin e sistemit të kujdesit shëndetësor, supozojnë se bluzat e bardha garantojnë automatikisht përgjigje për misteret e tyre komplekse mjekësore.
Çdo rast është unik ashtu sikurse dhe vet individi në unikalitetin e tij, e për këtë nevoitet një ekzaminim i saktë dhe i detajuar. Shumica e pacientëve lihen të padëgjuar në historikun e tyre mjeksor dhe familjar, të neglizhuar dhe rrallë të shërbyer.
Marrëdhënia doktor-pacient është një marrëdhënie thellësisht personale. Është shumë e rëndësishme që pacienti të dëgjohet me empatinë e duhur. Një doktor punon për individin, është aty për t’i shërbyer në mënyra të shumta, për edukimin e kujdesit të tij shëndetësor, lidhur me të qënët përgjegjës për shëndetin dhe jetën e tij.
Por nuk është gjithmonë faji i doktorëve. Në partneritetin me pacientët, transparenca duhet të ekzistojë nga të dyja anët, i krijuar nga komunikimi i qartë dhe heqja e paragjykimeve.
Besojini vetes dhe intuitës tuaj gjatë marrjes së informacionit kompleks duke u konsultuar me sa më shumë specialistë. Mund të mos jetë e lehtë të dëgjoni lajme për shëndetin tuaj, por nëse ndjeni të sigurt gjatë komunikimit mund t’i besoni doktorit procesin tuaj të shërimit.
Siguria e pacientëve është një shqetësim serioz global për shëndetin publik ku gabimet në diagnozë, në receta dhe dhe përdorimi i papërshtatshëm i barnave janë tre arsyet kryesore të numrit në rritje. Shumë punë mbetët për të bërë nga institucionet drejtuese në investime ifrastrukturore dhe formuese akademike por përgjegjësia më e madhe profesionale mbetet në dorën e doktorit, i cili para se të jetë Doktor është Njeri. Ndonëse njohuritë absolute janë të pamundura, të jesh njeri empatik është e mundur me të gjithë.
Mjeku i mirë e trajton sëmundjen; mjeku i madh trajton pacientin që ka sëmundjen.- William Osler
Përgatiti Rudina Koromani
Psikologe Klinike