Nga Elton Qyno
Zbardhet dëshmia e plotë e Arsen Muskurtit, personazhit që në 30 gusht ekzekutoi me armë zjarri vëllain Dritanin dhe më pas kunatën e tij, Nora Muskurtin.
Krimi i rëndë tronditi opinionin publik, ndërsa ngjarja ndodhi pikërisht në një moment kur konflikti mes dy vëllezërve, kishte kaluar në dyert e gjykatës së Tiranës.
Në dëshminë e tij, Arsen Muskurti akuzon gjyqtaret e Tiranës që kanë dhënë vendime të gabuara dhe që nuk i kanë shërbyer fare zgjidhjes së mosmarëveshjes mes dy vëllezërve.
Njëherësh Muskurti, tregon dhe 4 format që ka përdorur vëllai i tij, Dritani, për ta diskredituar në publik dhe mes rrethit shoqëror të tij.
Sipas dosjes, Arsen Muskurti ka negociuar me avokatin e tij dhe prokurorin e çështjes, për tu vetëdorëzuar.
Pas vetëdorëzimit të tij, Arseni ka deklaruar se me Dritan Muskurti dhe Nora Muskurti, kemi patur problematika të vazhdueshme që prej vitit 2017, për shkak se Dritani ka qenë gjithmonë njeri që nuk pranonte kërkesë llogarie, arrogant në komunikim, kërcënues shpesh herë ndaj meje.
Në tetor të vitit 2018, në dyqanin që unë dhe Dritani ishim bashkë ortakë në rrugën “Islam Alla” Tiranë, ai ka dashur të më vrasë mua me anë të një banjonete, ngjarje për të cilën unë kam bërë njoftim dhe kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë.
Edhe pas këtij momenti Dritani ka vijuar kërcënimet me SMS ndaj meje, bashkëshortes time Erisa dhe fëmijëve të mitur. Përmbajtja e mesazheve ka qenë kryesisht” do ju vras, do ju pres etj gjëra të tjera të kësaj natyre, sidomos për fëmijët. Kjo situatë ka vijuar në mënyrë të përsëritur deri ditën e sotme, datë 30 gusht 2022.
Me sa mbaj mend, në muajin Shkurt ose Mars te vitit 2021, unë dhe bashkëshortja ime Erisa kemi kërkuar urdhër mbrojtje ndaj Dritan Muskurtit, por megjithëse kemi paraqitur një sërë provash dhe faktesh që provonin kërcënimin, Gjykata e Rrethit Gjyqesore Tiranë, ka refuzuar kërkesën tonë.
Sqaroj se avokatja e Dritanit, Violeta Tartaraj, sapo gjykatësja po tërhiqej për të marrë vendim, kam parë dhe dëgjuar që avokatja i tha Dritanit shprehimisht “…Dritan zbrit poshtë sa të takoj pak Gjyqtaren Irena Hoxha”.
E kam parë me sytë e mi, kur avokatja ka hyrë dhe ka dalë nga zyra e gjyqtares. Pas 30 minutash Gjyqtarja vendosi, mospranimin e kërkesës për udhër mbrojtje. Të njëjtën gjë, edhe bashkëshortja ime Erisa Haspepa ka kërkuar urdhër mbrojtje ndaj Dritan Muskurti por sërisht Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës, duke përdorur të njëjtin mekanizëm si më lart nëpërmjet avokates.
Në këtë rast, gjyqtare ka qenë Majlinda Doga. Që nga ajo ditë unë gjithmonë kam qenë kërcënuar, i shantazhuar nga Dritani, i cili me dërgonte SMS, tek telefoni im, tek telefoni nuses.
Në qershor të këtij viti, nëpërmjet aplikacionit ‘whatsapp’, formohet një grup, ku kryesoret e tyre ishin Dritani dhe Nora, të cilët nga data 23 deri në datë 27 qershor 2022 kanë mbledhur numra individësh të ndryshëm, të cilët të gjithë kanë parë ofendimet ndaj meje dhe familjes time.
Për këtë fakt, unë kam bërë kallëzim në Sektorin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Policisë Vendore Tiranë. Më pas në datë 05.07.2022 në rrjetin social “Facebook”, nga profili me emrin “…Visjana Dada…”, ka vazhduar shantazhimi, kërcënimi, denigrimi ndaj meje dhe familjes time, nënës dhe babait. Më konkretisht, merrnin fotot e fëmijëve nga profili im i facebook, me emrin “Hamza Muskurti” duke u shprehur se fëmijët në foto janë kopilat e Arsen Muskurti.
Gjithashtu, këto persona shkruanin për nusen time se është k… me patentë dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Shantazhimi në facebook ishte në katër forma
Forma e parë publike nëpërmjet rrjetit social facebook me emrin “Visjana Dada”,
Forma e dytë po me këtë emër tek mesenxheri im personal.
Forma e tretë tek mesenxheri i Erisës.
Forma e katërt formonte grup në “facebook” dhe me ofendonte në grup.
Sqaroj, se unë arrita në konkluzionin që personat që i shkruanin këto gjëra ishin Dritani dhe Nora, pasi gjërat që shkruheshin aty i dinin vetëm Dritani dhe Nora, askush tjetër. Nga ky moment deri me sot, lidhur me këtë problematikë unë kam bërë shtatë denoncime.
Pesë nga të cilat në Komisariatin e Policisë nr 3, 1 tek Drejtoria në sektorin Krimit Kirbenetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe 1 tek krimi kibernetik në DVP Tiranë.
Nga muaji qershor 2022 deri më sot unë kam dalë me diabet dhe mjekohem për këtë gjë. Arsyeja sipas doktorëve është stresi i madh, dhe çështjet e mëdha psikologjike që kam akumuluar. Më pas, sipas rekomandimit të doktorëve kam shkuar tek një psikolog me mbiemrin Alibali, te ambulanca nr 9. Psikologu më ka rekomanduar të pi një medikamend “Ataraks”, që duhet ta pi dy herë në ditë.
Pra nga viti 2018 deri më sot datë 30 gusht 2022 unë nuk jam takuar me Dritan dhe Nora Muskurti, nuk kam patuar asnjë kontak fizik dhe as verbal, përveç rastit, ku ka dashur që të më vrasë me bajonetë. Nuk kam pas fol as në telefon me ta, madje u kam pas bë bllok, kjo me qëllim për t’ju shmangur çdo lloj konfrontimi me ta.
Ndërkohë sot jam komunikuar nga posta për një fletë thirrje të Gjykatës Civile për një “Urdhër Mbrojtje” të padrejtë. Dua të shtoj se Dritani më kërkonte një vlerë monetare të padrejtë ku ka fallsifikuar dokumete, firmën time ku dhe kemi kërkuar dhe ekspertimi kaligrafik. Dhe aktualisht jemi në një proçes gjyqësor.
Duke u mbledhur të gjitha këto probleme, kam patur një tronditje të rëndë psiqike, duke mos ditur pasojat që do të vinin më pas. Pas kësaj fletë thirrje nga Gjykata, sot ora e saktë nuk më kujtohet, por di që ka qenë pasdite, kam marrë armën e zjarrit që kam me leje të tipit pistoletë prodhim çek, prodhim i vitt 2019, kalibrin nuk e di.
Pasi mora pistoletën tek kasaforta e biznesit tim, kam shkuar tek agjensia e shtetasit Dritan Muskurti për të sqaruar shantazhet që më bënte. Kam hyrë në agjensi dhe kam gjetur aty Dritanin dhe Norën.
Menjëherë sapo kam hyrë, kam nxjerrë pistoletën dhe i jam drejtuar Dritanit”…pse më shantazhon mua, fëmijët e mi, nënën dhe babën…”. Ai më është përgjigjur me fjalët “…du me e bë…”.
Atëherë unë kam qëlluar me armë në drejtim të Dritanit dhe më pas nuk mbaj mend se çfarë kam bërë më pas. Pas këtyre veprimeve jam larguar për tek biznesi im(dyqan) që e kam aty pranë. Kam futur armën përsëri në kasaforte aty ku e kisha dhe jam larguar për tek shtëpia ime e ndodhur në rrugën “5 Maji”.
Aty pasi kam bërë dush, kam ndërruar rrobat dhe kam njoftuar avokatin tim ku i kam shpjeguar përafërsisht një problematikë.
Gjatë bisedës më ka kërkuar të dorëzohem dhe unë kështu kam vepruar. Përsa i përket rrobave që unë mbaja veshur në kohën që kam kryer krimin, i kam hedhur në një kazan plehrash në rrugën “5Maji” në anë të djathtë të rugës pranë qendrës tregtare “CONCORD”.
Arma me të cilën kam kryer vrasjen, ndodhet akoma në kasafortë e cila është e mbyllur me kod dhe këtë kod e kam unë. Në lidhje me veprimin që unë kam kryer, ndihem thellësisht i penduar pasi kam qenë i tronditur psiqikisht si dhe fëmijët e mi kanë qenë të kërcënuar për jetën…”.
Mbi bazën e deklarimeve të dhëna nga personi nën hetim Arsen Muskurti, nga vetë ai, është bërë hapja e kasafortës që ishte sekuestruar më parë në biznesin e tij, por që ishte me kod, (dokumentuar me procesverbal të veçantë), ku brenda saj, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës material, një armë zjarri pistoletë e markës “LUGER”.