Mbyllet dhe e diela e futbollit, ditë e cila shënon krizën e Juventusit dhe Interit, të mposhtur respektivisht nga Monza dhe Udinese. Këtu do të jetë fokusi i mediave sportive italiane për ditën e sotme.
Nga ana tjetër, në Spanjë, mediat vendase do të fokusohen plotësisht tek fitorja e ekipit kombëtar në Eurobasket.
Ndjekim disa nga titujt kryesorë të mediave sportive:
La Gazzetta dello Sport hapet me polemikën për dy italianët e mëdhenj: “Nën akuzë”. Juve dhe Interi prekin krizën. Allegri i vetëm dhe i hutuar, i tradhtuar nga Di Maria, me Monza- që bën histori. Udinese vazhdon serinë pozitive prej 5 fitoreve të njëpasnjëshme, duke i dhënë “leksion” Interit.
“Kvaratskhelia komando” është titulli i Corriere dello Sport. Testi i pare i forcës dhe pjekurisë së Napolitanëve. Spalletti në krye të tabelës bashkë me Atalantën.
Tuttosport shkon në sulmin e trajnerit të Juventusit me titullin: “Të burgosurit e Allegrit”. Situata nis të bëhet delikate për bardhezinjtë, të cilët reflektojnë për të ardhmen e trajnerit.
“Kampionët e filmave” ka shkruar e përditshmja madrilene AS. Spanja mundi Francën 88-76 dhe u shpall kampione e Eurobasket.
Prestigjozja Marca hapet me titullin: “Spanja kampione e Eurobasket 2022”. Dukej e pamundur, por ata ia dolën. Nga ana tjetër, Real Madrid mundi 2-1 Atleticon dhe fitoi derbin.Edhe katalanasja Sport fokusohet tek fitorja e Spanjës, duke vendosur titullin: “Gjigantët e Artë”.
“Të veshur me ar” ka shkruar Mundo Deportivo.
L’Esportiu hapet me titullin: “Pauzë e mirë”. Barça mbërrin në pushimin e kombëtareve me vendin e dytë në ligë, 18 gola të shënuar dhe vetëm një gol të pësuar.
Në Britaninë e Madhe, Mirror Sport hapet me debutimin historik: “Maja e tabelës”. Ethan Nwaneri (15 vjeç, 181 ditë) vendos rekord si debutuesi më i ri në historinë e Premier League. Arsenal ruan vendin e parë në renditjen e pikëve.