Bob Dylan, trubaduri pambarim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga: Bujar Meholli

Pjesë e familjes së madhe të poetëve-rokerë, gjegjësisht, poetëve-këngëtarë-muzikantë është Bob Dylani, kantautori fitues i gjithë çmimeve të rëndësishme artistike. Dylani përfaqëson më së miri artistin e angazhuar të gjysmës së dytë të shek. XX, kritikun social, antikonformistin, beat-poetin që i qëmtojë idesë së lirisë, barazisë, drejtësisë sociale e paqes. Ky bard i “pambarim” porsi poet antik grek këndoi lirikat e tij për më se pesë dekada, u shndërrua në idhullin e rinisë progresiste amerikane, karriera e tij qe e ngjizur me famën e pashmangshme dhe me të qenurit zë i brezit që shihte përpara, drejt demokracisë dhe prosperitetit. Të shkruash për këtë figurë poliedrike nuk është lehtë, ta përmbledhësh tërë krijimtarinë gjigante dilaniane që shtrihet nga vitet ’60 e tutje (deri sot). Gjithë këtë kohë, si artist ishte në ballë të ngjarjeve socio-politike duke i kënduar fjalët e tij sikur një Pindar apo Anakreont i Greqisë antike.

A është njëmend Dylani poet? Kjo, vërtet s’do mend — po! Madje, i afirmuar! Në njërën nga ligjëratat për poezinë, Borgesi thekson se kur shkruhet për diçka ekziston ndjesia se ajo, diçka, ka paraekzistuar. “E kam të qartë pak a shumë fillimin dhe fundin, pastaj zbuloj ca nga ca pjesët e ndërmjetme. Por nuk kam përshtypjen se i shpik, nuk mendoj se ato varen nga vullneti im i lirë; gjërat ekzistojnë kështu, ato janë të fshehura dhe detyra ime është që t’i zbuloj”, shprehet ai. Duke qenë se poezia ndjehet, Dylani i hyri kësaj rruge — të gjurmojë në gurrën e pashtershme të Artit të Madh & t’i zbulojë gjërat që tregojnë rrugën drejt prosperitetit, vendosjes së drejtësisë sociale, zhdukjes së dallimeve racore, gjinore, fetare. Platoni, veç tjerash, e përkufizonte poezinë si të shenjtë; Dylani kishte aq impakt të madh me lirikat dhe mesazhet e tij saqë mend konsiderohej “poeti-profet”… Ja çfarë vargjesh thur ai në poezi-këngën protestuese me titull “Ustallarët e luftës”: Ju ustallarë të luftës, që i prodhoni të gjitha armët ndërtoni aeroplanët vdekjeprurës prodhoni bombat e mëdha, fshiheni aty pas mureve e sorollateni rreth tryezave;  ta dini se mund t’ju shoh fare mirë përtej maskave tuaja! Ju jeni ata që këmbëzat i tërhiqni ndërsa të tjerët mes vete batërdisen, më pas bëni sehir për shtatë palë qejfe dhe kur vdekjet shtohen ndjeshëm, përdridheni në vilat tuaja teksa gjaku i të rinjve përskuq tokën e më pas shuhet i varrosur në baltë… (shqipëroi: BM)

Duluthi, qyteza e minatorëve në Minesota, do të mbahet mend përjetë si vendlindja e këtij gjeniu, që lindi si Robert Allen Zimmerman më 24 maj të vitit 1941, në spitalin e “Shën Marisë”. Erdhi në këtë botë si fryt i marrëdhënies së Abramit dhe Betit, prindërit e tij, hebrenj të amerikanizuar. Mes ndryshimeve të mëdha të pasluftës, po rritej Roberti i vogël që veçse kishte nisur jetën me mrekullitë e artit – ndiqte filma, luante muzikë, dalldisej nga Marlon Brando & James Dean. Kishte pasion për motoçikletat, veshjet shik dhe anën spirituale. Kështu, në vitet ‘50, kuturis të hedh diçka në letër si dhuratë për nënën; absolutisht ato janë krijimet e para poetike të tij. Nis të mësojë dhe të luajë piano, por jo edhe notat! Nuk mund të fokusohej aty, ndaj luante e nxirrte tinguj sipas kokës së vet. Pas ca sorollatjeve, më në fund, kapi në duar një kitarë e cila më s’ju hoq për vite e vite, duke u shndërruar në instrument me të cilin Dylani bëri botën të ndalet dhe t’i dëgjojë fjalët e tij të shoqëruara me tinguj dhe vargje rrëqethëse. Ahere rrinte pranë radios dhe me afsh dëgjonte Hank Williamsin, Elvis Presleyn, Woody Guthrien, Little Richardin e të tjerë, me të cilët jetonte, ai u përkiste, ata së shpejti do ta merrnin në gjirin e tyre. Megjithëse s’mundi të përqendrohej në studimet për artin në Universitet, nisi ta bëj vet atë. Dhe kështu nisi rrugëtimi pambarim i tashmë Bob Dylanit (ishte adhurues i poetit uellsian Dylan Thomas nga i cili e huazoi mbiemrin) që interpretonte nëpër New-York. Fillimi i viteve ‘60 e gjen aty, në Greenwich Village, ku gëlonte jeta artistike mes shumë kafeneve, kabareve, ku artistët bohemë mblidheshin e diskutonin për jetën, artin, filozofinë e lirinë. Në hotel “Chelsea”-n e famshëm ai bariste duke mbajtur copëza letrash në të cilat hidhte fjalët e para që do të bënin jehonë anembanë botës. Gjatë asaj kohe studionte çdo tekst e melodi të Woody Guthrie-t, “atit” të tij artistik, pastaj teatrin e Brechtit, poetët e mëdhenj modernë francezë si Baudelaire, Mallarmé, Verlen, Rimbaud, etj, perlat e folkut anglez, skocez e irlandez; kështu gjeti rrugën e tij dhe gjërat që do t’i zbulonte…

Lexo edhe :  David Beckham u bën thirrje publike djemve të tij që të bëhen gati për të mbrojtur motrën

Incizimet filluan. Zëri i tij ende i papjekur ishte grishës, për më tepër mesazhet anti-luftë, pro paqe e solidaritet të cilat po e fascinonin publikun. Ç’ishte ky djalosh vallë? Pale ky talent në të shkruar! Këtë e dinte New-Yorku, djepi i lëvizjeve artistike i cili e kishte marrë në gjirin e tij. Kështu Dylani prodhoi lirika të shumta, tronditëse, madhështore, profetike, romantike/sublime, të cilat i deklamonte para gjeneratës së tij, zëdhënës i së cilës u bë. Tekset e këngëve si “Blowin’ in the wind”, “A hard rain’s a-gonna fall”, “Only a pawn in their game”, “Masters of war”, “To Ramona”, etj, që i qëndisi si djalosh, u bënë himne madhështore e të përjetshme në ballë të lëvizjeve qytetare për liri, barazi, drejtësi sociale & prosperitet. Sot, Bob Dylani është kult; ai kudo përmendet me respekt të thellë për gjithë atë karrierë të vrullshme të cilën e bëri me shpirt e pasion. Për pesë dekada Dylani ishte në qendër të vëmendjes për secilin veprim; sepse definitivisht Dylani nuk është i zakonshëm siç nuk ishte as paraardhësi i tij Woody. Dylani regjistroi duzinë albumesh muzikore (rreth 45) ku përfshihen gjitha zhanret e mëdha që nga folku tradicional, klasik, rock & rolli, xhazi, bluzi, swingu, kantri, gospeli…

Sa për çmimet, ato i ka fituar të gjitha sepse krijimtaria e tij vjen e ngritet mbi secilin çmim, por gjithsesi ai fitoi Grammy Awards, Golden Globe, Medaljen e Lirisë së cilën ia dhuroi Presidenti Barack Obama, Pulitzer, Nobel për letërsi… e çka jo tjetër? Pasardhësi i Woody-t u pranua gjithashtu edhe në Rock and Roll Hall of Fame dhe u nderua me Kennedy Center Honors. Qindra kritikë flasin e shkruajnë për të, studentët mësojnë nëpër Universitete për poezitë, muzikën e impaktin që pati dhe ka në botë ky gjigant që ka mbi 80 vjet jetë. Dhe ç’jetë! Sa më përket mua, ai ma ka ndryshuar jetën! E njoha herët, u dalldisa nga ai dhe s’m’u hoq asnjëherë as gjatë studimeve për letërsinë, as pas tyre. Më ishte çdoherë pranë si një njeri i dashur, i vlefshëm, zemërgjerë, që e ka trasuar rrugën e suksesit e të fton dhe ty e të ndihmon t’i futesh asaj… Andaj, për mua emri Bob Dylan do të thotë shumë; prodhon ndjenja aq të larta, të shenjta, që s’mund t’i shpreh dot e t’i nxjerr nga zemra për t’i përshkruar… Dylani është brenda meje, madje, thellë, shumë thellë… Me çfarë pathosi i shkruan paqes dëshmojnë këto vargje ikonike: Tani po largohem avash-avash me një lodhje ferri që më ka kapluar, pështjellimin që brenda e ndjej s’ka gjuhë që mund ta rrëfejë, fjalët e mendimet ma mbushin kokën plot pastaj rrjedhin e bien nëpër tokë; nëse Zoti në anën tonë do të qëndrojë, luftën e ardhshme do ta ndalojë… (BM)

Të fundit

Horoskopi i ditës, 18 Prill 2024

     Dashi Do të përfshiheni në një debat mjaft të ndezur, i cili rrezikon që të kthehet agresiv. Mundohuni që të mos keni reagime të tepruara...

Ruleta e penalltive i buzëqesh Los Blancos, Real Madrid triumfon ndaj Manchester Cityt

Reali i Madridit triumfon 4-3 në ruletën e penalltive përballë Manchester City-t dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Championsit, ku e pret Bayerni i Mynihut. Lojën...

VIDEO/ Bayern Munich mposht minimalisht Arsenalin dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Bayerni i Mynihut ruan traditën, fiton 1-0 përballë Arsenalit në “Allianz Arena” me me rezultat të përgjithshëm 3-2 kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League....

Hemofilia, sëmundja që prek meshkujt, ja sa pacientë trajtohen në Shqipëri

250 pacientë jetojnë me hemofili në Shqipëri. Sëmundja e gjakut që trashëgohet nga nëna, shfaqet vetëm tek djemtë ndërsa vajzat janë bartëse të saj....

Lajme të tjera

Web TV