Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se me ngritjen e satelitëve Albania 1 dhe Albania 2 do krijohet një “kryeinspektoriat” që sipas tij s’ka parti as kushërinj dhe as emër të përveçëm që do luftojë dhe ndërtimet pa leje. Rama tha se shërbimi i satelitëve do krijojë mundësinë për të frenuar ndërtimet pa leje, pasi për kreun e qeverisë çdo ndërtim që ngrihet mbi 70 cm kapet nga pajisjet teknologjike.
Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për ndërtimet pa leje. Ai tha se beteja më e madhe dhe më e gjatë në një proces shtetndërtimi, është “beteja për të ndërtuar një tërësi institucionesh që funksionojnë si pjesë e një makinerie që nuk varet nga subjektiviteti i personave të veçantë”. Rama tha se edhe ai i kishte parë kullat e larta, por korrupsioni dhe rryshfeti treguan se aty ishin ndërtuar kate pa leje. “Si ka mundësi që ju i patë vetëm tani? Ku i kishit sytë ju, madje edhe mua vetë më drejtohet pyetja “si nuk e pe këtë kullë”? Dhe ky debat për këtë temë ka një natyrë që lidhet jo me konkretësinë e ngrehinave të larta nëpër qytet apo qytete, por lidhet me një marrëdhënie të shtetit në terren me ligjin dhe me qytetarët, me interesin publik dhe me korrupsionin, me zbatimin e detyrave dhe me ryshfetet. Beteja më e madhe dhe më e gjatë një proces shtetndërtimi është beteja për të ndërtuar një tërësi institucionesh që funksionojnë si pjesë e një makinerie që nuk ka emër të përveçëm. Ne kemi bërë një transformim rrënjësor në raport mes shtetit dhe qytetarit, duke kaluar 95% të shërbimeve në portalin e-Albania dhe duke i dhënë mundësi që shërbimet t’i marrin pa pasur kontakt me persona të përveçëm”, tha kryeministri. “Në terren kemi një problematikë, e cila edhe pse sot është më e lehtë, vazhdon të jetë problematikë që rëndon biznese, që është problematika e individëve, emra të përveçëm në funksion të një detyre shtetërore, për të bërë presion mbi biznesin dhe për të marrë ryshfet. Ky është fakt. Këto ngrehina janë rezultat i mosfunksionimit siç duhet të një zinxhiri kontrolli që hallkën e vet të dobët ka drejtësinë që funksionon me të dobëtit, por jo me të fortët”, shtoi Rama. Lajmin më të mirë Rama e dha nga mesi e deklaratës së tij. Ai tha se kryeinspektori më i mirë do të jetë nga qielli. “Lajmi është që do të kemi një kryeinspektorat në qiell, që nuk ka parti apo kushëri dhe i shikon të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje”, theksoi kryeministri Edi Rama, duke iu referuar nënshkrimit të kontratës së Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc”. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, të ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës metrave. Në mesazhin drejtuar qytetarëve kryeministri ia hodhi “fajin” e ndërtimeve pa leje sistemit të drejtësisë dhe tha se me VKM-në e re të miratuar, çdo metër katrorë i ndërtuar në mënyrë abuzive i kthehet stetit si përfitim. “Firmoset akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës, të cilat do të përdoren sipas ligjit për interes publik”, shkruan Rama në mbishkrimin e videos.