Sulmet kibernetike/ SHBA projektrezolutë kundër Iranit: Po minon Shqipërinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Bashkëkryetarët e grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, paraqitën në Dhomën e Përfaqësuesve një projekt-rezolutë ku dënohen me forcë sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë.

Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.

“Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, thotë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë.

Projekt-rezoluta, tekstin e së cilës e ka parë Zëri i Amerikës, inkurajon bashkërendimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për t’u siguruar që mekanizmat e saj për sigurinë kibernetike të jenë të afta për t’u mbrojtur kundër ndërhyrjeve dhe sulmeve të ardhshme të mundshme kibernetike.

Përveç zotit Torres projekt-rezoluta ka si autorë tre bashkëkryetarët e tjerë të Grupit të Kongresit për Çështjet Shqiptare, ligjvënësi tjetër demokrat Jim Himes dhe republikanët Lisa McClain dhe Robert Aderholt.

Më 7 shtator, Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë , duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online.

Sulmi kibernetik, Shqipëria akuzon Iranin dhe ndërpret marrëdhëniet diplomatike
Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi.

Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas tij qëndronte Irani.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, u shpreh në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik”.

Lexo edhe :  Begaj takim me ministrin e jashtëm çek: Marrëdhëniet e mira ndikojnë në turizëm

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkaura, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.

Më 9 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, përfshirë sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun,” tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.

“Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi ai.
Irani goditi sërish një prej sistemeve të rëndësishme informatike, atë të regjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS, siç konfirmuan autoritetet e Shqipërisë një ditë më pas.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu mbështetjen për Shqipërinë në një telefonatë me kryeministrin Edi Rama dhe tha se “Uashingtoni nuk do të tolerojë sulmet kibernetike që synojnë SHBA-të apo aleatët e tyre në NATO”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Teknologjinë Kibernetike dhe atë në Zhvillim, Anne Neuberger tha se sanksionet e menjëherëshme ndaj Iranit ishin pjesë e një strategjie për të vënë para përgjegjësisë aktorët e papërgjegjshëm në hapësirën kibernetike.

“Kjo është arsyeja që kur pamë sulmin iranian ndaj Shqipërisë, që ndërpreu shërbimet e qeverisë shqiptare për qytetarët e saj, ne dhe vendet e tjera e denoncuam për të vënë para përgjegjësisë Iranin, për ta bërë të qartë që pas tij ishte Irani, dhe për të imponuar pasoja”, tha ajo.

Të fundit

Pse Gjesti u largua nga banorët sapo në shtëpi u vendosën këngë greke?

Gjatë festës për ditëlindjen e aktorit Laert Vasili në “VIP Albania”, një moment ka tërhequr vëmendjen e publikut. Kur filloi...

Luftojnë 6 sëmundje, çfarë ndodh me trupin po të hani 3 hurma arabie çdo ditë

Ju mbase nuk dini disa fakte për hurmat e Arabisë, përveç faktit se janë shumë të shijshme dhe kanë shumë vlera ushqyese. Më poshtë po...

Aktorja tregon sfidën e jetës: Donin të më hiqnin nga puna se linda

Rozi Kostani është një aktore dhe regjisore e njohur dhe me një karrierë të pasur në fushën e artit. E ftuar në studion e...

Fshehu informacionet për COVID-19/ Gjykata amerikane dënon Kinën me 24 miliardë dollarë

Një gjykatës federal në Missouri e shpalli qeverinë kineze përgjegjëse për fshehjen e fillimit të pandemisë së COVID-19 dhe për grumbullimin e pajisjeve mbrojtëse....

Shtyhet Barça-Osansuna, ndahet tragjikisht nga jeta doktori i skuadrës së katalanasve

Ndeshja mes Barcelonës dhe Osasunës në La Liga është anuluar pak minuta para fillimit të saj, pasi është mësuar për ndarjen e parakohshme nga...

Lajme të tjera

Web TV