Dhimbja e një poeti kosovar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kategori semantike në librin poetik “Lum Lumi” të Ali Podrimjes

Nga: Fatlum Meholli

  1. Tekstualiteti

Për ta ndërtuar vëllimin poetik Lum Lumi, Ali Podrimja thekson se kishte punuar për tri dekada radhazi, duke i rishikuar dhe ripërpunuar vazhdimisht poezitë; pra, duke u kushtuar një rëndësi tejet të madhe. Ky kujdes aq i theksuar për gdhendjen e vargjeve, përdorimin e figurave letrare, formimin e cikleve poetike të librit etj., bën që Lum Lumi të jetë ndërtuar në atë mënyrë që secila fjalë e përdorur është e zgjedhur në mënyrë të kujdesshme duke bërë një kombinim mes tyre në mënyrë unike. Ato janë koherente, të vendosura në një vijë, të cilat rëndom nuk funksionojnë pa njëra-tjetrën.

Koherenca vërehet në të gjitha vargjet e poezive; por, sa për ilustrim po marrim poezinë “Kur kapërcen flakën”:

Kur kapërcen flakën

Guximi yt më zgjon

Nuk mund të ekzistoj

                        pa ty

As dita ime nuk vjen

Pa natën tënde të gjatë

Siç shihet, fjalët janë të radhitura njëra pas tjetrës e të ngjizura semantikisht, dhe po qe se heqim ndonjërën, vargu do të pësonte ndryshim të dukshëm kuptimor. Kjo dukuri e eliptizmit është shumë e pranishme në poezitë e Ali Podrimjes, sidomos në përmbledhjen Lum Lumi. Eliptizmi paraqet njërën ndër veçoritë kryesore, e cila i jep poezisë së tij veti të poezisë moderne.

Ali Podrimja në një shënim për librin ndër të tjera thekson se Lumi nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje…. Me këtë, autori na lë të kuptojmë që semantika tekstuale e poezive ka karakter universal që ndërlidhet dukshëm me fenomenin e vdekjes në përgjithësi dhe dhembjet që shkakton ajo. Madje, studiuesi Mensur Raifi shprehet se i gjithë vëllimi është një meditim poetik mbi jetën dhe vdekjen që nuk mbahet mend me fuqi dhe bukuri të thënies e shprehjes në poezinë shqipe që nga fillimet e deri më sot.

Së pari kemi të bëjmë me dhembjen njerëzore (sëmundjen dhe vdekjen e djalit), ndërsa së dyti me vetëdijesimin kolektiv. Podrimja nuk e shihte poezinë vetëm si shprehje intime, por edhe si pasqyrë të angazhimit e përparimit. Pikërisht këtë, e realizonte përmes një gjuhe të përzgjedhur duke ndërtuar një tekst të veçantë letrar.

Kjo përmbledhje para së gjithash karakterizohet nga vetë titulli – i cili hynë te paratekstualiteti – Lum Lumi që, në të vërtetë është i biri i autorit/poetit.

Gjithashtu, si pjesë e paratekstualitetit është edhe shënimi, i cili nuk mungon te kjo përmbledhje, i dhënë nga poeti me një titull metaforik Shpjegimi i dhembjes sime, që përbëhet nga këto dy kategori fundamentale, siç janë: Dhembja = Sëmundja dhe ime = djali im. Nëse ky titull do të zhvishej nga shprehja metaforike, ai do të ndërtohej kështu: Shpjegimi i sëmundjes së djalit tim; pra, inspirimi kryesor ose lajtmotivi për realizimin e kësaj përmbledhje është sëmundja e pashërueshme e të birit, i cili në realitet nuk mundi t’i mbijetojë asaj.

Përdorimi i figurave letrare është kyç në poezitë e Lum Lumit. Aty hasim ndjeshëm në përdorimin e metonimisë, metaforës, simbolit e personifikimit. Këtë të fundit mund ta hetojmë qartazi në poezinë “Dhembja ime”, në të cilën dhembja ka dy sy dy vesh një hundë; […]ka një trup të gjatë 130cm. Kjo dhembje që merr tipare njerëzore, gjegjësisht pamje të fëmijës, shfaq emocione të jashtëzakonshme atërore. Ati me “guximin e tij” e “mban gjallë” “dhembjen”.

Sa i përket aspektit ndërtimor, është me interes të theksohet se, Lum Lumi përbëhet nga shtatë cikle poezish (“Buzë ujit të madh”, “Me jetue”, “Vdekja dhe Lumi”, “Në mbretërinë e humbur”, “Hyrje në tempull”, “Pastërti njerëzore” dhe “Kërkoj njeri”). Edhe kjo mënyrë ndërtimi është e veçantë dhe në njëfarë mënyre ngërthen situata njerëzore në raport me ballafaqimin me dhembjen. Ndërkaq, poezitë e përmbledhjes Lum Lumi janë të strukturuara në vargje të lira gjë që është karakteristikë e poezisë moderne në përgjithësi.

  1. Intertekstualiteti

Ali Podrimja, në bazë të dijes që posedonte rreth kulturës shqipe dhe asaj botërore, në vitin 1996, zuri vend pune në gazetën e përditshme “Rilindja”, përkatësisht në rubrikën e kulturës.

Me këtë  kuptojmë që Podrimja kishte një formim të lartë kulturor, duke bërë që në këto poezi të hyjnë copëza të ndryshme nga kultura shqipe dhe nga ajo botërore. Kjo dukuri e futjes së këtyre copëzave veçohet te intertekstualiteti në përgjithësi.

Intertekstualiteti nuk haset në të gjitha strukturat e këtyre poezive të përmbledhjes Lum Lumi, por në disa raste edhe mund t’i vërejmë. Siç theksuam më sipër, formimi i lartë intelektual e kulturor i autorit, ka bërë që të ndikohet nga kultura e vjetër shqipe, gjegjësisht nga  krijimtaria gojore, dhe t’i sjellë të riinterpretuara disa: emra (Gjergj Elez Alia, Oso Kukë Shkodrani, E Bukura e Dheut, Rozafa, Doruntina), simbole (ujë, lumë, qiell, det, kullë) e shprehje mitike (zana e shitoftë: shembull: poezia “Përbindëshi”; fq. 107, etj.).

Lexo edhe :  Mbi 48 mijë objekte pasuri kulturore në Shqipëri

Natyrisht që këto rimarrje shfaqen të risemantizuara në një dimension tjetër, që kryesisht hyjnë në funksion të dhembjes dhe ideve të poezive në përgjithësi. Shembull te poezia “Dita që ma kujton vdekjen” figura e Gjergj Elez Alisë na jepet si figurë universale, duke dhënë fatin e brishtë të individit dhe luftën me vdekjen:

Je një Gjergj Elez Ali

Kërkon të humburën

E plagë merr nga zotërat (fq. 103)

Në librin poetik Lum Lumi shpesh herë hasim edhe në emra të huaj, siç janë: Diokleciani, Betoveni, Moxarti, Shopeni, Shekspiri, personazhi Vito Corleone etj. Të gjithë këta emra paraqiten brenda vargjeve të ndryshme dhe secili nga ta hyn në funksion të poezisë dhe semantikës tekstuale gjegjëse. Sa për ilustrim po marrim poezinë “Fati na la?”, në të cilën rimerret figura e shkrimtari anglez Daniel Defo. Në poezi kjo figurë shpërfaqet në relacion me veprën e famshme të tij “Robison Kurzo” që ndërlidhet me vetminë dhe ngujimin. Kjo dukuri hyn në raport me idetë ekzistencialiste e filozofike të autorit në përgjithësi:

Pas nesh vrapon Daniel Defo

miku ynë i vjetër

Kërkon Robinson Kruson

atë zbulues të madh të vetmisë njerëzore (fq. 34.)

Pra, Podrimja, i ndikuar edhe nga kultura dhe letërsia botërore, nëpër poezitë e tij fut edhe simbole të veçanta, ndër të cilat “korbin” e Edgar Allan Posë te poezia “Pikëllimë”. Korbi asocon me të keqen, vetminë e vdekjen, por në poezinë gjegjëse intensiteti i të keqes dhe të zezës që “mbështjellin shtëpinë” e subjektit lirik e tejkalon atë.

  1. Kontekstualiteti

Shumica e këtyre poezive përshkohet nga konteksti personal i cili është kontekst burimor familjar. Nga konteksti shpirtëror i cili është kontekst burimor prindëror, përkatësisht babai (Podrimja) i cili ndjen dhembje të madhe ndaj sëmundjes së pashërueshme të të birit (Lumit). Dhe, nga konteksti filozofik që është kontekst burimor meditativ, që përbëhet nga periudhat e rënda të jetës, tragjedia e humbjes së djalit, dhembja që nuk mbaron kurrë, etj…

Mënyra e ndërtimit të poezive duke pasur bazë kontekstin personal është krejt e veçantë, madje një ndërtim i tillë është antologjik në kuadër të letërsisë shqipe. Studiuesi Sabri Hamiti thotë për poetin se te Lum Lumi është faza më e akseptueshme e poezisë së tij nga lexuesit shqiptarë. Dhe kjo ngjet për dy arsye: e para, Ali Podrimja këtu ka krijuar disa nga poezitë e tij më personale e më të njohura; e dyta, ngase lexuesi shqiptar deri më sot, më mirë e pranon poezinë e emocioneve të forta e të shpalimeve të drejtpërdrejta, sesa krijimin e kërkimin e thellë që futet në sferat e abstragimit poetik apo filozofik.

Gjatë këtyre poezive hasim edhe në reagime ekzistencialiste, dilema për qenien, mendime në vetmi, përballje me fatin, frikën, vdekjen. Kjo përmbledhje poetike, në suaza te shprehjes emocionale shpesh merr konotacion të elegjisë, e cila kryqëzohet me dhembjen dhe vdekjen.

Në kuadër të Lum Lumit kemi të bëjmë edhe me poezi që ndërlidhen me kontekstin historik të zhvendosur në një kohë tjetër për nevojë shprehësie. Një poezi e kësaj natyre mund të jetë “A kollitet Ivani” që Podrimja e shkroi në Moskë gjatë vitit 1981. Duke u nisur qysh nga titulli i poezisë, kemi një shprehje metonimike që hyn në funksion të kontekstit aktual. Meqë figura e metonimisë përbëhet nga pjesa  dhe tërësia, atëherë të parën mund ta ndërlidhim me “kollitjen” ndërkaq të dytën me “Ivanin”. Natyrisht që sfondi semantik i shprehjes është i diskutueshëm. Sidoqoftë, ne mund të konstatojmë se kjo ka të bëjë me mëdyshjen për një ndikim aktual rus në vend. Gjithashtu ndërlidhet me pushtimin carist në kohën e Ivanit. Vargjet e mëposhtme të poezisë na shpërfaqin ndikimin e fuqishëm të pushtetit mbi fatin e individit dhe kolektivit:

Dorë moti kam çuar nga zotërat

por kur të bekon Ivani

                       e kuptoj ndëshkim

 

Vrapoja rrugëve shesheve parqeve

Bërtisja: për pesë para nuk vlen

Ovan Ovani lajmëronte nëntokën për ekceset

                      e një irredenti (fq.122)

Në brendi të librit, janë interesante edhe poezitë hermetike të karakterit enigmatik e asocatiov që ndërtohen mbi një eliptizëm të theksuar. Rast tipik mund të jenë poezitë “Armenia”, “Harrimi”, “Frika”, “Gabove kur the”. Libri ngërthen edhe poezi të karakterit përkushtues përveç atyre për Lumin, të tilla si “Pastërti njerëzore” (Daut Berishës), “Historia e një nëne” (bashkëshortes – Fitore Podrimjes) etj.

Përmbledhja poetike Lum Lumi, vazhdon të mbetet kryevepra e Ali Podrimjes, si dhe një ndër veprat më të arrira të poezisë së sotme shqipe në përgjithësi.

Të fundit

Këtu rrejnë të gjithë, thotë Albini!

Nga Frrok Çupi Edhe një ditë ka mbetur nga votimet për Parlamentin në Kosovë. Deri atë orë të gjithë aleatët...

Roza në pritje të ëmbël? Ish-banorja e Big Brother VIP publikon foton që ngre dyshime

Moderatorja e njohur Roza Lati, që pas pohimit të romancës me ish-banorin e “Big Brother”, Xhonatan Islamin, shpesh na ndan copëza nga rutina dhe romanca e tyre. Postimi që bëri...

Kaos në autostradën Tiranë-Elbasan/ Bllokohet qarkullimi i mjeteve

Mesditën e kësaj të premteje është regjistruar trafik i rënduar në autostradën Tiranë-Elbasan. Makinat kanë mbetur të bllokuara në hyrje të Elbasanit, në zonën e...

Përse Shqipëria nuk ndikohet nga tërmetet e Santorinit? Ekspertët japin shpjegime

Tërmetet që prej më shumë se një jave po godasin Santorinin në Greqi nuk kanë ndikim të drejtpërdrejt në territorin shqiptar. Shpjegimi vjen nga...

Virozat e stinës, mjeku Llajo: Janë 8 tipe gripi në qarkullim

Mjeku Vasil Llajo, duke folur për situatën virale, tha se në qarkullim janë 8 tipe të gripit. Ai tha se vaksina antigrip është e...

Lajme të tjera

Web TV